Prishtinë, 23 korrik – Gara për pozitën e drejtorit të Muzeut Kombëtar të Kosovës do të vazhdojë me 11 kandidatë.
Shtyrja për një javë, që ia ka bërë Ministria e Kulturës afatit për pranimin e aplikacioneve, nuk e ka ndërruar numrin e kandidaturave.
Tashmë ka mbetur që Ministria e Kulturës dhe Këshilli Drejtues i Muzeut Kombëtar të Kosovës të vazhdojnë procesin e vlerësimit të kandidatëve nëse i plotësojnë kushtet për t’iu nënshtruar testimit për pozitën më të lartë menaxheriale të MKK-së. Këshilli Drejtues i Muzeut do të mblidhet sot (e martë).
Sipas sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së, Veton Firzi përfundimi i javës shtesë për pranimin e aplikacioneve shkaku i plotësimit të kriterit gjinor e etnik e çon konkursin për drejtor të MKK-së në një tjetër nivel.
“Tash mbetet që Këshilli Drejtues të bëjë vlerësimin nëse kandidatët plotësojnë kushtet e kërkuara me konkurs në mënyrë që t’u nënshtrohen procedurave për zgjedhjen e drejtorit”, ka thënë Firzi për konkursin që ishte hapur më 27 qershor.
Edhe
Shtyhet konkursi për drejtor të Muzeut Kombëtar të Kosovës me 11 kandidatë në garë
Sipas listës që posedon gazeta, konkursit që është hapur pas dështimit të atij të brendshëm, ia kanë mësyrë: Izet Miftari, Ajet Leci, Sadik Krasniqi, Arsim Mehmeti, Sedat Sahitaj, Naim Çekaj, Bekim Vishaj, Bekim Gashi, Arben Arifi, Fatmir Hoxha e Ismet Mulaj.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")