Kulturë

Galeria pret që me 300 mijë euro të zgjidhë problemet e kahershme

Tash e më shumë se dy dekada në objektin e Galerisë Kombëtare të Kosovës s’ka pasur ndonjë rinovim madhor e problemet infrastrukturore janë të kahershme. Ka vjet që ngrihet alarmi se s’ka vend për ruajtjen e veprave të fondusit, por ky është vetëm një kapitull. Probleme si këto GKK-ja pret t’i zgjidhë me rinovimin prej 300 mijë eurosh, që është projektuar të nisë sivjet me 100 mijë euro, për të vazhduar deri më 2024

Numri i ekspozitave, vetëm në dy dekadat e fundit, arrin në 350. E në fondus numëron mbi një mijë vepra. Janë të artistëve vendorë, atyre të rajonit e deri te emrat e njohur botërorë. Por ka kohë që Galeria Kombëtare e Kosovës ka ngritur alarmin për kushte më të mira. Stafi profesional e hapësirat adekuate, veçmas për fondus, janë pikat kryesore.

Për të dytën Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit planifikon që të ndërhyjë sivjet. Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij vitit, te projektet kapitale hyn edhe “Renovimi i Galerisë Kombëtare”. Për këtë projekt janë paraparë 100 mijë euro. Po ashtu nga 100 mijë euro janë paraparë edhe për dy vjetët e ardhshme. Planet janë për 300 mijë euro investime deri në fund të vitit 2024.

Institucioni më i lartë i artit pamor në vend numëron 1 mijë e 35 vepra në fondin e vet. Problemet për mirëmbajtjen e tyre sa i përket stafit profesional janë çështje më vete. Por edhe infrastruktura është tjetër kapitull. Hallet në këtë aspekt janë shtuar kur në janar të vitit të kaluar GKK-ja ka marrë edhe 125 vepra që ishin të ekspozuara në hapësirat e hotelit “Grand”.

Fillimisht ishin vendosur në sallat e katit të sipërm në mënyrë që më vonë t’u bëhej vend në pjesën ku mbahen ato që janë pronë e institucionit.

Zëvendësuesi i drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, Naim Spahiu, ka thënë se duhet bërë ndërhyrje në shumë pjesë të ndërtesës ku ruhet arti pamor që është në pronësi të shtetit.

Ai ka treguar nga muaji shtator ka punuar rreth një projekti të detajuar së bashku me një grup arkitektësh sa u përket hapësirave ekspozuese dhe atyre ku mbahet koleksioni i Galerisë Kombëtare të Kosovës. Ai ka dhënë detaje të kërkesës që i është bërë MKRS-së.

“Në sallën ekspozuese parashihet të ndërrohet ventilimi i vjetër që nuk është funksional, ngritja e mureve ekspozuese rreth 3.5 deri në 4 metra, ndriçimi profesional, klimatizimi me standarde ndërkombëtare dhe krijim i kushteve optimale për prezantimin e ekspozitave”, ka thënë Spahiu. Sipas tij, nevojat dhe propozimi është që hapësira ku gjendet koleksioni të zgjerohet dhe të krijohen rafte profesionale me standarde ndërkombëtare që në këtë mënyrë të bëhet ruajtja dhe sistemimi i veprave. Ka thënë se salla e dytë duhet të rregullohet me klimatizim, ndriçim profesional e ndërhyrje të tjera.

“Siç e dini edhe ju nga paslufta, në Galerinë Kombëtare e Kosovës nuk ka pasur asnjë investim në sallat ekspozuese dhe hapësirën ku gjendet koleksioni. Shpresojmë qe gjatë këtij viti do të fillojmë me rikonstruktimin e këtyre hapësirave që është më se e nevojshme në mënyrë që të ngrihet niveli i prezantimeve në të ardhmen”, ka thënë Spahiu. Sipas një projekti ideor që e ka përgatitur GKK-ja, intervenimet që janë kërkuar duket të jenë goxha ambicioze edhe në aspektin estetik.

Por pavarësisht projektit që do të hartohet, meqenëse GKK-ja është monument, implementimi duhet ta ketë pëlqimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

E ish-drejtoresha e këtij institucioni – prapë kandidate për këtë pozitë – Arta Agani, ka thënë se duhet të përmirësohen kushtet në disa drejtime. Sipas saj, ventilimi është veç një prej pikave ku duhet ndërhyrë. Ka përmendur prej shtimit të hapësirave e deri te standardet e mbajtjes së veprave të artit.

“Fillimisht hapësira është e pamjaftueshme në të gjitha aspektet”, ka thënë ajo. Ka treguar se nuk ka zyra të mjaftueshme për stafin, mungon hapësira për bibliotekë, duhet rregulluar ndriçimi i sallave ekspozuese e po ashtu ndërhyrje në hapësirën e tavaneve.

“Nuk ka hapësirë për koleksione dhe ky është problemi kryesor për një institucion të artit pamor”, ka thënë Agani. Ajo është ndalur edhe te problemet që kanë të bëjë me menaxhimin ditor të institucionit. Ka ironizuar fort duke shtuar se “gati kurrë nuk ka as letër tualeti”. Sa u përket furnizimeve me mallra e shërbime, probleme kanë të gjitha institucionet qendrore të kulturës pasi janë të varura nga Ministria e Kulturës.

Të hënën KOHA ka adresuar pyetje në MKRS sa u përket planeve për renovimin e GKK-së, por ky institucion ka thënë se përgjigjet do të përgatiten nga departamenti përkatës. Deri të martën vonë nuk ka marrë përgjigje.

Galeria Kombëtare e Kosovës është themeluar në vitin 1979, si një domosdoshmëri pas themelimit të Akademisë së Arteve në vitin 1973.

Që nga themelimi i Galerisë Kombëtare, që asokohe ishte quajtur Galeria Kombëtare e Arteve, dhe deri në vitin 1990, artistët kosovarë kanë promovuar veprat e tyre në ambientet e institucionit. Kishte “pauzuar” në vitet ’90 kur shqiptarët në masë të madhe nuk ishin pjesë e institucioneve që udhëhiqeshin nga regjimi serb. E pas çlirimit më 1999, GKK-ja ka vazhduar punën në objektin e vet.

Zgjidhja e përhershme për koleksionin e GKK-së me vepra emrash të njohur jo vetëm vendorë, gjithherë ishte menduar muzeu i artit bashkëkohor, i cili tash e më shumë se një dekadë është shembull i dështimit. Si opsion për bartjen e fondusit me vepra, viteve të fundit ishte përmendur edhe ish-strehimorja në “breg të Diellit”, ka pasur projekt për këtë, por ende pa rezultate.

Projekti i 2007-s prej atëherë ka mbetur në letër, përderisa Ministria e Kulturës çdo vit në buxhet planifikon si investim kapital. GKK-ja posedon vepra të artistëve të njohur vendorë e të huaj midis të cilëve të Andy Warholit, Edo Murtiqit, Fatmir Krypës, Fatmir Zajmit, Franco Gentilinit, Gabrijel Stupicas, Rexhep Ferrit, Gjelosh Gjokajt, Nysret Salihamixhiqit, Hilmija Qatoviqit, Shyqri Nimanit, Muslim Mulliqit, Xhevdet Xhafës, Tahir Emrës e të Sislej Xhafës. GKK-ja tash e dy dekada nuk ka blerë vepra të artit. Nuk ka pasur as fond për të shtuar pasurinë artistike që posedon. Por në kushtet në të cilat funksionon edhe sikur të posedonte mjete monetare, nuk ka hapësirë për vepra të reja. Shumë prej veprave që ka nuk ka mundur t’i ekspozojë për publikun.

Këtë vit Galeria Kombëtare e Kosovës do të ketë buxhet shumë më pak se vitin e kaluar. Vitin e kaluar kishte buxhet prej 206 mijë eurosh. Sivjet do të ketë vetëm 150 mijë euro. Është një prej zbritjeve më të mëdha të buxhetit me të cilin është përballur ky institucion. E me zbritje të buxhetit po përballen edhe Baleti Kombëtar i Kosovës, Teatri Kombëtar dhe ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota”.