Kulturë

Galeria mbetet pa drejtor, anulohet konkursi i dytë dhe paralajmërohen ankesa

Galeria e arteve

As pas dy vjetësh pa drejtor, Ministria e Kulturës nuk është duke ia dalë që të gjejë një udhëheqës edhe me fajin e saj. Një konkurs ishte anuluar nga MKRS-ja gjoja për rrezik të konfliktit të interesit, interpretim ky që doli të jetë bosh, pasi Agjencia Kundër Korrupsionit nuk e kualifikoi si të tillë. E konkursi tjetër është anuluar të premten.

Galeria Kombëtare e Kosovës ka hyrë në procesin ku interesimi për të drejtuar këtë institucion është tejet i ulët. As pas dy vjetësh pa drejtor, Ministria e Kulturës nuk është duke ia dalë që të gjejë një udhëheqës edhe me fajin e saj. Një konkurs ishte anuluar nga MKRS-ja gjoja për rrezik të konfliktit të interesit, interpretim ky që doli të jetë bosh, pasi Agjencia Kundër Korrupsionit nuk e kualifikoi si të tillë. E konkursi tjetër është anuluar të premten.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë së Kulturës, kandidatët duhet arritur mbi 50 për qind të pikëve për ta kaluar testin me shkrim. Del se një gjë e tillë nuk është arritur dhe konkursi duhej anuluar. Kandidatja e vetme që kishte hyrë në test kësaj radhe qe ish-drejtoresha Arta Agani. Dy konkurrentët e tjerë, Fehmi Hoxha e Refki Gollopeni, nuk i kishin plotësuar kriteret për t’iu nënshtruar testit me shkrim.

Por, procesi do të vazhdojë ende. Arta Agani do të parashtrojë ankesë në MKRS. Pretendon se i janë shkelur një varg të drejtash dhe nuk janë respektuar aktet ligjore në fuqi. Aganit i kishte skaduar mandati katërvjeçar në ditën e parë të gushtit në vitin 2020. Tashmë janë bërë më shumë se dy vjet që institucioni më i lartë i artit pamor në vend është pa drejtor.

Agani, e cila ka paralajmëruar ankesë, ka thënë se procesi ka qenë jo i rregullt dhe i pabazuar në legjislacionin në fuqi. Sipas saj, testi me shkrim nuk ka qenë elektronik dhe ka qenë e vetmja kandidate që është testuar, gjë që bie në kundërshtim me Rregulloren për procedurat e rekrutimit në shërbimin civil ku kërkohen të paktën tre kandidatë të përgjegjshëm për të vazhduar procesi.

“Problem tjetër janë kushtet e mbajtjes së testit pasi kjo nuk është hera e parë që testohem unë”, ka thënë Agani.

Sipas saj, në testin më shkrim i është kërkuar që të shkruante 14 ese me minimum 250 fjalë brenda periudhës kohore 1 orë e 20 minuta, pos dy pyetjeve me alternativë.

“Të shkruash 3.500 fjalë për 80 minuta është kriter realisht pothuajse i pamundur të arrihet”, ka thënë Agani. Sipas saj, krejt këto ankesa do të kenë bazë ligjore, e cila do të argumentohet në ankesën që do t’i drejtohet MKRS-së.

KOHA gjatë ditës së premte ka kërkuar nga MKRS-ja sqarime për anulimin e konkursit, por përgjigjet kanë munguar.

MKRS-ja kishte dështuar herën e kaluar në raport me anulimin e procesit të rekrutimit për këtë pozitë.

Në janar konkursi i parë qe anuluar me pretendimin se mund të ketë konflikt interesi dhe ish-drejtoresha e këtij institucioni, Arta Agani, nuk e mori pozitën edhe për një mandat. Pasi u vlerësua nga juria, MKRS-ja para se ta publikonte emrin e saj si kandidate fituese vendosi ta tirrte procesin: konstatoi mundësi të konfliktit të interesit. Tash GKK-ja ka mbushur dy vjet që është pa drejtor.

Por Agjencia Kundër Korrupsionit, pas kërkesës së Aganit, ka dalë me tjetër opinion. Nuk kishte konflikt interesi.

Këshilli Drejtues asokohe kryesohej nga piktorja Zake Prelvukaj, më së shumti e vlerësoi ish-drejtoreshën Arta Agani. Ia dha 84.52 pikë. E dyta kishte dalë Ermirë Krasniqi me 66.27 pikë.

Por Agani nuk ishte prezantuar si kandidate e suksesshme. MKRS-ja dyshonte për konflikt interesi.

Para krejt kësaj historie kryetarja e Këshillit Drejtues, Zake Prelvukaj, kishte konkurruar në MKRS për ta përfaqësuar Kosovën më 2022 në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Pjesë të ekipit e kishte prezantuar edhe Arta Aganin. Më pas MKRS-ja e anuloi procedurën për gjoja mundësi të konfliktit të interesit.

Por, ndryshe konstatoi me një opinion AKK-ja, institucioni kompetent për telashe të tilla.

“Pjesëmarrja e znj. Zake Prelvukajt, kryetare e Këshillit Drejtues të GKK-së, në procesin e rekrutimit të drejtorit të GKK-së në të cilin kandidatja A.A. e rekomanduar për emërim ka qenë partnere e saj në një projekt sipas thirrjes së MKRS-së për ‘Pavijonin Kosovar të Bienales së Artit në Venecia 2022’, edhe pse mund të duket (konflikt në dukje i interesit) apriori nuk i paraqet konflikt faktit të interesit”, shkruhet në opinionin e AKK-së.

Agani pos AKK-së kishte dërguar dy kërkesa në Ministrinë e Kulturës dhe një ankesë po në këtë institucion. MKRS-ja e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e saj.

Sipas Komisionit të MKRS-së, zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të MKRS-së ka mandat ligjor për të parandaluar konfliktin e interesit. Në vendim është cituar komunikimi i zëvendësuesit të sekretarit me Divizionin e burimeve njerëzore.

“Një nga aplikuesit për pozitën e drejtorit të GKK-së ka qenë partnere në një projekt-propozim me të cilin kanë aplikuar në konkurs publik sipas thirrjes së MKRS-së, me një prej anëtarëve të Këshillit Drejtues të GKK-së”, shkruhet aty. Komisioni e ka marrë si të mirëqenë urdhëresën për anulim të konkursit. Sipas Komisionit, MKRS-ja në këtë rast nuk ka pasur nevojë e as detyrim ligjor që të kërkojë interpretim në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

E opinioni i AKK-së nuk e rrëzon poshtë këtë vendim të MKRS-së.

Zëvendësuesi i sekretariatit të përgjithshëm të MKRS-së ka thënë se konkursi i dytë do të vazhdojë.

“Opinioni tregon se nuk kishte konflikt interesi, por na jep të drejtë dhe realisht na detyron të veprojmë kur konflikti është i mundshëm. Pastaj vendimin e Komisionit të Ankesave vetëm një vendim i gjykatës mund ta anulojë”, kishte thënë Bislim Bislimi.

Në konkursin e mbyllur më 4 mars, për drejtor të GKK-së kishin konkurruar Arta Agani, Fehmi Hoxha e Refki Gollopeni. Që të tre i plotësonin kriteret e konkursit.

Qysh prej gushtit të vitit 2020, Galeria Kombëtare e Kosovës ka mbetur pa udhëheqës. Arta Aganit, që ishte zgjedhur në këtë pozitë në vitin 2016, i kishte përfunduar mandati. Aktualisht zëvendësues i drejtorit të GKK-së është Naim Spahiu.

GKK-ja është bërë me Këshill të ri Drejtues qysh prej prillit të këtij viti.

Astrit Bytyqi, Linda Gusia, Nita Salihu-Hoxha, Renea Behluli, Somer Shpat, Guri Çavdarbasha e Arlinda Hajrullahu kanë zëvendësuar përbërjen e Këshillit prej Zake Prelvukajt, Agim Salihut, Basri Mekollit, Blerta Syla-Surroit, Shyqri Nimanit, Vjosa Hamitit e Fatmir Hoxhajt.