Kulturë

Galeria Kombëtare sivjet përball gjeneratën pioniere me artistët e rinj

Galeria Kombëtare e Kosovës me programin për sivjet, ka paralajmëruar ekspozita që përfshijnë periudha të ndryshme të artit pamor. Prej tyre, edhe ato që prekin gjenerata të ndryshme të artistëve nga vendi dhe atyre ndërkombëtarë. Me projekte hulumtuese e edukative synohet të zgjerohet më tej audienca e Galerisë përderisa vazhdon tradita e prezantimit të punës së pionierëve në Kosovë.

Ekspozita “Dita natë, nata vjet” e kolektivit “Haveit”, e programit të vitit të kaluar, që aktualisht qëndron e hapur, i paraprin listës së aktiviteteve për sivjet. Me ekspozitën kolektive “Ngjarja e një fijeje”, që hapet në shkurt, nis të eksplorohet një etapë e re e artit në Galeri. Si bashkëpunim ndërmjet GKK-së dhe “Institutit për Marrëdhëniet e Jashtme — IFA” nga Berlini, e bashkëkuruar nga kuratoret gjermane Susanne Weiß dhe Inka Gressel, si dhe kuratorja e Galerisë Kombëtare të Kosovës, Hana Halilaj, bëhet e ditur se ekspozita bën bashkë artistët vendorë e ndërkombëtarë për të paraqitur narrativat globale të tekstilit.

Kuratorja Halilaj ka treguar se kjo ekspozitë do të hapet më 29 shkurt.

“Këtë vit do të kemi ekspozita kolektive dhe personale në Galerinë Kombëtare. Fillojmë më 29 shkurt në ekspozitën e parë kur hapet ‘Ngjarja e një fijeje’, e cila sjell narrativen globale mbi tekstilin. Është bashkëpunim ndërmjet Galerisë dhe Institutit IFA në Berlin. Është ekspozitë udhëtuese kurse në kontekstin e Galerisë do të ketë edhe një numër të artistëve vendorë e rajonalë që i bashkohet trupit të artistëve bazë”, ka thënë Halilaj në emisionin “Express” në “KTV”, derisa ka folur për programin e sivjetmë të Galerisë Kombëtare të Kosovës.

Artistët si Noa Eshkol, Uli Fischer, Zille Homma Hamid, Heide Hinrichs, Olaf Holzapfel, Elisa van Joolen e Vincent Vulsma, Eva Meyer e Eran Schaerf, Judith Raum, Franz Erhard Walther, David Horvitz dhe ata vendorë Valbona Zherka, Barbara Prenka, Driton Selmani, Blerim Luzha, dhe Matej Rodiqi, ndër të tjerë, bëhet e ditur në program se do të prezantojnë objekte, video, tapiceri e instalacione.

Galeria vazhdimisht ka sjellë opusin shumëvjeçar të artistëve vendorë që kanë lënë gjurmë në historinë e artit. Këtë vit ekspozita retrospektive e Gjelosh Gjokajt do të sjellë etapa të ndryshme të krijimit artistik duke filluar nga vitet ’60.

“Ai kthehet në Galerinë Kombëtare pas dy dekadash. Një artist mjaft i njohur si piktor dhe si pionier i grafikës në vendin tonë. Ekspozita do të prezantojë seri e cikle të ndryshme të veprave të tij dhe do të sjellë një perspektivë të re mbi praktikën e tij. Jemi shumë të lumtur që do të kemi nderin ta kemi këtë ekspozitë të tij në GKK, mirëpo do të kemi edhe artistë të rinj”, ka thënë kuratorja Hana Halilaj.

Këtë vit në kuadër të programit të Galerisë do të rikthehet bienalja tradicionale e fotografisë “Gjon Mili”, e cila prezanton artistë ndërkombëtarë e vendorë që nga viti 2002. Ekspozita sivjet do të kurohet nga italiani Leonardo Bigazzi. Bëhet e ditur se në institucionin shtetëror të artit në vend do të shfaqet edhe jeta e puna shumëvjeçare e artistit dhe arkitektit Agush Beqiri që është edhe arkitekt i objektit aktual të GKK-së.

Hana Halilaj, e cila mori mandatin si kuratore e Galerisë Kombëtare të Kosovës në fillim të vitit të kaluar, ka thënë se kjo ekspozitë do të sjellë një numër të materialeve arkivore që prezantojnë punën e Beqirit.

“Agush Beqiri është një ndër artistët e veçantë që ka pasur një praktikë më multidisiplinare. Ka eksperimentuar me mediume të ndryshme në artet aplikative. Ai është i njohur për shumë dizajnime të ndërhyrjeve në ndërtesat e objekteve të institucioneve dhe jo vetëm, përfshirë fasadën dhe enterierin e Galerisë”, ka thënë kuratorja Halilaj në “Express” duke bërë të ditur se është vazhduar puna në promovimin e artistëve të rinj.

“Mendoj se ka qenë me rëndësi për ne ta vazhdojmë pak a shumë frymën e programit që e kemi pasur vitin e kaluar që Galeria të prezantojë më shumë zëra e pikëpamje nga artistët e rinj. Kështu sivjet do të shfaqim punën e Dren Maliqit që ka qenë shumë aktiv sidomos në vitet 2000’ kështu që do të jetë një rikontekstualizim i veprës së tij e kuruar nga Catherin Nichols”, ka thënë Hana Halilaj.

Ka përmendur kapërcimin e tradicionales në moderne sa u përket teknikave e mediumeve me të cilat artistët kanë punuar, përfshirë edhe periudhën kohore në të cilën janë krijuar veprat.

“Do të kemi një kapërcim dhe prezantim shumë me rëndësi për Galerinë Kombëtare që të jetë vend i prezantimit të shumë mediumeve, shumë zërave të ndryshëm artistikë nga të rinjtë e deri tek ata të cilët kanë qenë ndër pionierët e artit. Më pas janë edhe ekspozitat grupore, dy të cilat do t’i kemi këtë vit mendoj se do të jenë mundësi e mirë e prezantimit të artistëve rajonalë e ndërkombëtarë”, është shprehur ajo.

Gjithashtu këtë vit do të realizohen edhe ekspozitat personale të Jetmir Idrizit, Rron Qenës e Dren Maliqit. Krahas ekspozitave do të jenë edhe projektet edukative si hulumtime, botime, diskutime e ligjërata publike. GKK ka bërë të ditur në adresën e saj elektronike se prej këtyre botimeve do të jenë hulumtimi “Arkiva e Trupit. Trupi si Arkivë” nga historiania e artit Anyla Kabashi dhe “Vitet 2000: Një studim mbi pasojat e kamerës së telefonit në botën e artit në Prishtinë” nga hulumtuesja e kuratorja Donjetë Murati.

Ligjëratat edukative në kuadër të aktivitetit “Klasat e Majit” e organizuar nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë” do të kenë GKK-në një prej destinacioneve edhe sivjet.

Institucioni bën të ditur se “programi i ekspozitave dhe hulumtimeve do të pasurohet me udhërrëfime, punëtori tematike, biseda me artistë dhe kuratorë si dhe bashkëpunime me grupin ‘Ndërmjetësimi kulturor’, duke i plotësuar edhe më tej nevojat specifike të GKK”.

Së fundi ky institucion ka pasuruar koleksionin e tij me blerjen e veprave të artisteve gra. Kuratorja e Galerisë, Hana Halilaj, ka treguar se është përzgjedhur krijimtaria e atyre të cilave kishte mungesë në fondin e koleksionit.

“Mendoj se përveç historive që koleksioni tanimë i tregon është i rëndësishëm fokusi në ata që kanë qenë në margjina dhe nuk janë përfshirë më herët. Për këtë arsye vitin e kaluar jemi fokusuar në artiste gra të asaj periudhe. Tani mendoj se mund të zhvillohet metodologjia apo qasja në hulumtim, duke u fokusuar në tematikat e veçanta apo artistët e tjerë duke konsideruar edhe ata lokalë që kanë punuar jashtë e ata në rajon”, ka thënë Halilaj.

Ka bërë të ditur se nëpërmjet vizitave në studio kanë blerë vepra nga artistet Violeta Xhaferi, Alije Vokshi, Lala Meredith-Vula, Zake Prelvukaj, Valbona Zherka, Hyrije Krypa dhe Feride Rada.

“Një pjesë e fondit për blerje të veprave është menaxhuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës me një komision të brendshëm dhe ekipin e Galerisë dhe është fokusuar në pasurimin e koleksionit me veprat e artisteve gra të cilat kanë qenë më aktive në vitet ’70, ’80 dhe ’90. Koleksioni është treguesi më i mirë i historisë së artit,”, ka thënë kuratorja Hana Halilaj derisa ka bërë të ditur se do të vazhdojnë të blejnë vepra me qëllim pasurimin e koleksionit të GKK-së.