Kulturë

Galeria Kombëtare e Kosovës me Këshill të ri e në pritje të drejtorit

Ministrja e kulturës, Vlora Dumoshi, ka vendosur që Galeria Kombëtare e Kosovës të jetë institucioni i gjashtë me radhë që do të ketë përbërje të re të Këshillit Drejtues

Galeria Kombëtare e Kosovës është institucioni i radhës të cilit i është ndërruar përbërja e Këshillit Drejtues. Ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, ka vendosur që GKK-ja të jetë institucioni i gjashtë me radhë që do të ketë përbërje të re të organit më të lartë udhëheqës.

Nëpërmjet një vendimi të së mërkurës të kësaj jave, ministrja Dumoshi ka shkarkuar gjashtë nga shtatë anëtarët që përbënin Këshillin Drejtues të GKK-së. Kësisoj, ajo ua ka ndërprerë në gjysmë mandatin katërvjeçar në këtë organ Driton Axhanit, Xhevdet Pantinës, Malbora Krajkut, Arjeta Miftarit, Enver Hoxhës dhe Arlinda Hajrullahut, si përfaqësuese e MKRS-së. Vetëm piktorja Zake Prelvukaj i ka mbijetuar zhbërjes së vendimit me të cilin këta anëtarë ishin emëruar nga ish-ministri I Kulturës, Kujtim Gashi, më 9 nëntor të vitit 2017.

Sipas vendimit të ri të ministres Dumoshi, në përbërjen e re të Këshillit Drejtues të GKK-së do të vazhdojë të jetë piktorja Zake Prelvukaj. Kurse anëtarë të rinj do të jenë: Blerta Syla-Surroi, piktore dhe aktore, grafistët Shyqri Nimani, Agim Salihu e Bastri Makolli, profesoresha e gjuhës gjermane Vjosa Sadriu-Hamiti dhe punonjësi i Muzeut Kombëtar të Kosovës, Fatmir Hoxha si përfaqësues i Ministrisë së Kulturës. Por, pas anëtarëve të Këshillit, ky institucion pritet të bëhet edhe me drejtor të ri.

Qysh prej gushtit të këtij viti edhe Galeria Kombëtare e Kosovës ka ngelur pa udhëheqës. Arta Aganit, që ishte zgjedhur në këtë pozitë në vitin 2016, i kishte përfunduar mandati. Aktualisht ushtruese e detyrës së drejtorit të GKK-së është Dhurata Ramosaj-Shala, njëherësh koordinatore e Galerisë së Ministrisë së Kulturës.

Sipas konkurseve të hapura më 26 nëntor për këtë pozitë, atë të drejtorit të përgjithshëm dhe udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe drejtorit të Baletit Kombëtar të Kosovës, aplikimet mund të bëhen deri më 10 janar. Për të gjitha pozitat kërkohet që kandidatët të jenë profesionistë të fushave që mbulojnë institucionet. Kërkohet që ata të kenë nga 7 vjet përvojë pune profesionale. Për Galeri kërkohen 4 vjet përvojë pune në udhëheqje. Për udhëheqës artistik të TKK-së kërkohen 5 vjet përvojë pune relevante, kurse për drejtor të përgjithshëm, 7 vjet përvojë pune, prej tyre 4 në pozita udhëheqëse.

Vonimi i hapjes së konkurseve ishte parë si mangësi në menaxhim të institucioneve.

Sa u përket këshillave drejtues, paraprakisht në tetor Teatri Kombëtar i Kosovës ka hyrë në radhën e institucioneve qendrore të kulturës të cilave u është ndërruar përbërja e këshillave drejtues.

Ministrja Dumoshi shkarkimet i kishte nisur me disa ndërrime në Këshillin e Librit, për të vazhduar edhe me Këshillin Drejtues të ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”. Vetëm gjatë muajit gusht, ministrja Dumoshi kishte nënshkruar vendimet për emërimin e përbërjeve të reja të Këshillit Drejtues të Baletit Kombëtar të Kosovës, si dhe atij të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Më pas kishte vazhduar me Këshillin Drejtues të Qendrës Kinematografike të Kosovës.