Kulturë

“Gadjo” denoncon demonët e ringjallur të dhunës dhe diskriminimit

Aty ringjallen demonët e dhunës, ecin shesheve. Dhe nuk është një realitet i stisur në skenë teatri. Është realiteti që bartet aty prej asaj që ngjan në përditshmëri. Në vitin 2019, një grua rome, refugjate e kthyer dhunshëm nga Belgjika në Kosovë, u ballafaqua me diskriminim e dhunë si pasojë e informatave të pavërteta për të nëpër rrjetet sociale e në media. Dramaturgu Jeton Neziraj e sjell këtë histori në skenë, me shfaqjen “Gadjo (evropianët e rinj)”, nën regji të Blerta Nezirajt. Është alarm e denoncim

Kanë qenë skena prej realitetit, të cilat tronditën opinionin kur dolën xhirimet për rrahjen e gruas rome në Ferizaj e Lipjan. Tash, skena të tilla që janë bartur në skenë teatrore dhe vija ndarëse me realitetin është krejt e hollë.

Titulli është denoncim dhe ironi në të njëjtën kohë. “Gadjo (evropianët e rinj)”, e dhënë premierë në Kosovë në teatrin “Oda”, është alarm për shoqërinë. Është reflektim i asaj që ngjan në përditshmëri, thirrje për të mos i mbyllur sytë. Publiku është krejt afër, edhe me skenën, por edhe me ngjarjen.

Skenat ndërrojnë vazhdimisht, vetëm disa çadra të varura së prapthi mbesin ashtu siç janë deri në fund. Shfaqja e dhënë të martën mbrëma vjen me plot efekte vizuale nga Mentor Berisha. Mes skenash aktorët sjellin edhe pika muzikore në gjuhën shqipe e atë rome. Ndërrimi i kostumeve është i atypëratyshëm.

Skena e parë dhe disa të tjera zhvillohen paralelisht në kohë e në dy lokacione. Në njërën janë katër të rinj shqiptarë – interpretuar nga aktorët nga Kosova e Shqipëria, Rafael Hoxha, Verona Koxha, Juli Emiri dhe Blend Sadiku – duke shikuar në telefonat e tyre pa i larguar sytë prej ekranit. Pamje krejt e zakontë. Karakteri i tyre agresiv shpërfaqet posa të thonë fjalët e para. Nuk mungojnë as të sharat, nga më banalet. Fjalë të cilat janë aq të zakonshme edhe në realitet, fare pak metra larg shkollave e institucioneve.

Në skenën tjetër është Edona Reshitaj, e cila e portretizon gruan rome që u dëbua nga Belgjika në Kosovë. Sfidat e saj nisin ende pa u akomoduar në qendrën për azil në Podujevë. Pasi që vendoset në atë qendër, rehatohet me ato pak gjëra që i ka me vete, vendos ta marrë autobusin dhe ta bëjë një shëtitje. Në stacion i afrohet një djalë, i flet por ajo nuk di si t’i përgjigjet, nuk e kupton shqipen. Në momentin kur ai e merr vesh që po i flet një romeje, bërtet e thërret emra ofendues. Gruaja trishtohet. Brenda pak kohësh vjen autobusi, ajo hyn, ulet afër dritares dhe nuk ka si mos t’i vërejë shikimet plot përbuzje. Vendos të zbresë në një stacion të rëndomtë. Dielli është përvëlues dhe asaj i pihet një birrë e ftohtë. Ulet në verandën e një kafeneje dhe i drejtohet kamerierit në anglisht: “Can i have a cold beer, please?” Më kot e kërkon disa herë birrën. Kamerieri vjen duke i bërtitur dhe e largon nga kafeneja e menjëherë e dezinfekton karrigen ku gruaja rome ishte ulur. Kështu vazhdojnë edhe skenat tjera. Situata të ndryshme me të njëjtin përfundim.

Aktorët janë në disa role. Vijnë herë si qytetarë, policë, gazetarë. Të gjithë janë dhunues. Romja, përherë viktimë. Ajo kërkon shpëtim edhe në rite të moçme, u kthehet porosive të gjyshes. Thërret për ndihmë ujin e bekuar. S’e gjen dot. “Gadjo...” nga gjuha rome është emri për të huajin, tjetrin. Në shfaqje dhe në realitet, është fenomen shoqëror. Aty ngërthehen paragjykimi, përbuzja, racizmi. Godet “shekullin” kur krejt këto janë përqafuar prej evropianëve të rinj, e kur janë ringjallur “demonët e dhunës”.

Shfaqja vjen si bashkëpunim midis qendrës “Multimedia” dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” në Tiranë.

Drejtori i teatrit “Kujtim Spahivogli”, Gjergj Prevazi, ka thënë se teksti i Jeton Nezirajt e regjia nga Blerta Neziraj i kanë shtyrë ta nisin këtë bashkëpunim.

“Kjo ka qenë arsyeja pse ne si teatër eksperimental ndoshta nga të rrallat bashkëpunime, nga të rrallat bashkëprodhime në fushën e teatrit ndërmjet një institucioni publik në Shqipëri dhe një iniciative të pavarur në Kosovë, siç është qendra ‘Multimedia’. Unë si drejtues i Teatrit Eksperimental jam super i kënaqur nga ky bashkëpunim. Së pari në rrafshin profesional, siç e pamë është një produksion i cili besoj fort dhe shpresoj të jetojë sa më gjatë e të prezantohet sa më shumë që të jetë e mundur, jo vetëm në Shqipëri e Kosovë, por edhe jashtë”, ka thënë Prevazi.

Në përshkrimin e shfaqjes nga qendra “Multimedia” shkruan se tregu medial është kaotik dhe i pakontrolluar dhe se nevoja për “klikime” është shndërruar në qëllim sipëror.

“’Gadjo’ është një dramë për krejt këta të rinj e të reja, që me kurajë e vendosmëri po e përqafojnë këtë shekull të dhunës e mosdurimit, për të cilin kemi kontribuar të gjithë ne, por më së shumti mediat dhe shkollat tona. Demonët e dhunës janë ringjallur dhe po kalërojnë shesheve të qytetet tona...”, shkruan qendra “Multimedia”.

Në esencë shfaqja e trajton fenomenin e racizmit. Ka edhe elemente që prekin të tjera dukuri negative të shoqërisë. Skenat në vazhdimësi nëpërmjet lojës skenike përshkruajnë gati çdo ditë të zakonshme në Kosovë. Mediat portretizohen si palaço e rinia si e dhunshme, pa ambicie e krenare me të qenët agresiv. Krejt këto si pasojë e përmbajtjeve të pakontrolluara në rrjetet sociale.

Image
Aktorët janë në disa role. Vijnë si qytetarë, policë, gazetarë. Të gjithë janë dhunues. Romja, përherë viktimë. Ajo kërkon shpëtim edhe në rite besëtyte, u kthehet porosive të gjyshes. Thërret për ndihmë ujin e bekuar. S’e gjen dot. “Gadjo...” është emri për të huajin, tjetrin nga gjuha rome

Aktori Rafael Hoxhaj ka thënë se shfaqja nuk ndalet vetëm te fati i subjektit që e trajton. Prek dhe hap çështje të përgjithshme që nuk lidhen domosdo me ambientin prej nga e merr temën.

“Sa u përket temave që prek besoj se janë shumë globale dhe universale, nuk është vetëm një temë që prek vetëm komunitetin rom, por është dhuna faktor të cilin ne e vuajmë në jetën e përditshme, qoftë ajo verbale, fizike, në vendet e punës, në shkolla. Pra, është një fenomen që gjendet. Pastaj gjëja më shqetësuese është brezi që po rritet, ata që po rriten, po rriten me një frymë totalisht të gabuar, me shembuj totalisht të gabuar që servohen nga serverë interneti e rrjete sociale në të cilat është shumë e thjeshtë ta japësh një mesazh, por është shumë e vështire ta mbash dhe t’i qëndrosh atij”, ka thënë Hoxhaj.

Gjergj Prevazi ka thënë po të ishte shoqëria po aq e ndjeshme sa publiku gjatë shfaqjes “Gadjo” do të bëheshin progrese të mëdha. Ka thënë se si problem e sheh edhe mburrjen e shoqërisë në Kosovë e Shqipëri me aktet e dhunës dhe ndjenjës së siperioritetit, edhe pse një shoqëri e shëndoshë është krejt e kundërta.

“Është një mesazh shumë i fortë. Është një shfaqje multidimensionale, jo vetëm për luftën ndaj racizmit, por në njëfarë mënyre edhe për të pavërtetat e mëdha që shpeshherë mediat i servojnë. Unë po flas përpara një medie por kjo është një e vërtetë. Ekziston ky fenomen, ekziston ky problem, pra ne nuk jemi një racë kaq e kulluar sa shpeshherë e tregojmë veten tonë. Unë di të them që shoqëritë e zhvilluara janë pikërisht ato shoqëri të cilat e kanë të fortë sensin e autokritikës dhe reflektimit nga vetvetja së pari”, ka thënë Prevazi.

Loja e aktorëve vjen e gjallë, sikur secili nga ta të mundohet që në ato momente ta çrrënjosë racizmin e përbuzjen, të ngulitura thellë në vetëdijen e shoqërisë.

Aktori Hoxhaj e ka vlerësuar të rrallë këtë lloj bashkëpunimi.

“Është një ndër bashkëpunimet e rralla, sepse nuk ka pasur të tillë që vjen si bashkëprodhim i dy teatrove, qendrës ‘Multimedia’ dhe Teatrit Kombëtar Eksperimental në Tiranë. Besoj se është diçka e rrallë. Ka qenë një përvojë shumë e mirë për vetë faktin që kemi përqafuar një stil të ri teatri, stil të cilin Blerta me Jetonin kanë kohë që e përçojnë, jo vetëm këtu por edhe në Evropë, ndërsa për ne ishte diçka e re por shumë frytdhënëse, pasi patëm mundësi të njihnim degë të reja teatri dhe të njohësh edhe kolegët këtu është bukur dhe mirë”, ka thënë Hoxhaj.

Në publik ka qenë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Erxhan Galushi. Ai ka theksuar se me vetë faktin që në teatër inskenohet një shfaqje me temë të tillë, do të thotë se shoqëria po shkon drejt vetëdijesimit.

“Unë sot vërtet ndjeva emocione të posaçme duke e përcjellë dramën ‘Gadjo’, që në gjuhën rome do të thotë ‘i huaji’, dhe të them të vërtetën u emocionova jashtëzakonisht shumë. Drama kishte mesazhe të shumta, paragjykimin ndaj një grupi të caktuar, racizmi, dhunën, diskriminimin, degjenerimin dhe shumë elemente negative në mesin e shoqërisë sonë. Ajo që mua më erdhi mirë është që këtë e kanë bërë jo romët”, ka thënë Galushi.

Shfaqja përfundon me një këngë e cila feston për pasurinë kulturore të romëve, interpretuar nga Edona Reshitaj. Fillojnë duartrokitjet dhe imazhi për realitetin duket se është qartësuar.

“Gadjo” (evropianët e rinj)” premierën botërore e pati në Tiranë më 28 prill dhe kritika e ka pritur mirë këtë produksion.