E kanë quajtur “skulptor të tingullit” dhe Gabriele Carcano e dëshmon këtë sapo nis të luajë në piano. Skena e “Chopin Piano Festit” ka qenë debutimi i tij para publikut në Kosovë. Me audiencën, siç e thotë edhe ai vetë, ka një raport unik, por ajo nëpërmjet së cilës lidhet me të natyrshëm është muzika. Performanca për të është një pikëpyetje që rri pezull deri në fund të koncertit, por përgjigja që ia ka dhënë publiku kanë qenë duartrokitjet dhe kureshtja, që për të ka shumë rëndësi
Me koncertin në “Chopin Piano Fest”, pianisti italian Gabriele Carcano ka debutuar në Kosovë. Krahas delikatesës e maturisë në lojë, ai solli edhe një frymë të veçantë të interpretimit të sonatave të Beethovenit, duke e njoftuar publikun edhe me një kompozitor të ri. Mes tri sonatave të përzgjedhura për program, ishte edhe ajo e kompozitorit Matteo Monzitti.
Carcano koncertin të martën mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare e nisi me “Sonatën op.14 nr.1 E-dur” të kompozitorit gjerman Beethoven, për të vazhduar me “Sonatën op. 31 nr.3 Es-dur” të Matteo Monzittit, një vepër premierën e së cilës e kishte dhënë vetë Carcano vite më parë, e që për herë të parë është luajtur për publikun në Kosovë. Opera "Invisibili" është e para e këtij kompozitori të gjeneratës së re. Thur rrëfimin mbi imigracionin dhe u shkrua me mbështetjen e Presidencës së Republikës së Italisë dhe të Kombeve të Bashkuara. Ai është themelues, drejtor artistik dhe muzikor i “Ensemble Eutopia”, i specializuar në muzikë bashkëkohore, me të cilën ai kuron një përmbledhje muzikore në “Teatro della Tosse” në Gjenovë. Gjithashtu është shumë aktiv edhe në pedagogjinë muzikore.
Carcano ka thënë se është gjithmonë një ndjenjë e çuditshme pas një koncerti, sepse kur është në skenë dhe luan e performon, nuk dëgjon asgjë që audienca është duke dëgjuar.
“Pra, është shumë e vështirë që të dish se si disa gjëra kanë ndodhur, por me eksperiencë kam vërejtur që disa herë kam një përshtypje për atë se çfarë bëra e që është krejtësisht ndryshe nga ajo që ka dalë në skenë”, ka thënë Carcano. Ka shtuar se ani pse artisti e ndien se ka dhuruar gjithçka nga vetja, nuk e di se si ka shkuar në të vërtetë, prandaj nevojitet ekzistenca e publikut.
“Je aq shumë brenda performancës, saqë nuk dëgjon asgjë tjetër sepse je duke performuar nga brendësia jote dhe kjo është një ndjenjë e veçantë dhe prandaj e dua shumë. Interpretimi në Prishtinë shkoi shumë mirë dhe pashë shumë studentë të muzikës që ishin shumë të entuziazmuar dhe përkrahës. Andaj, kurioziteti i publikut është gjëja më e mirë që ndodh, e sidomos kur ata vështrojnë dhe dëshirojnë të kuptojnë se çfarë po ndodh”, ka thënë Carcano, i cili ka shtuar se pjesë të preferuar të programit të përzgjedhur e ka veprën e fundit.
Ai e mbylli koncertin me “Sonatën op.53 ‘’Waldestein’ në C-dur” të Beethovenit, një nga tri sonatat me të rëndësishme të kompozitorit gjenial, krahas “Apassionata, op.57” dhe “Les Adieux, op.81a”. Qe pikërisht kjo sonatë e kompozuar më 1804 që vendosi një standard të ri për kompozimet pianistike.
“Vëmendja e publikut, fytyrat e reja në publik dhe reagimet e tyre të menjëhershme ndaj muzikës janë gjërat që do t’i mbaj në mend kur mendoj të vij e të performoj në Prishtinë”, ka thënë Carcano, i lindur në Torino, artisti që i filloi mësimet në piano kur ishte shtatëvjeçar dhe diplomoi në konservatorin “Giuseppe Verdi” në Torino kur ishte 17-vjeçar, me notat e vlerësimet më të larta. Që nga vjeshta e vitit 2015 ai jep mësime në “Accademia di Musica” në Pinerolo” dhe ai është një artist i “Steinway”.
Alberta Troni lojën e italianit Gabriele Carcano e ka konsideruar simpatike dhe të tillë që rrëmben zemrat e publikut.
“Interpretimi i tij shkon pakëz në stilin e klasicizmit të hershëm, është mjaft delikat e i përpunuar në aspektin teknik. Ajo çka ndoshta stilistikisht mungon është ai temperamenti i Beethovenit, mirëpo e gjithë kjo varet prej shkollave ku ai ka studiuar e ku është përgatitur, sepse kemi shkolla të ndryshme pianistke që mund ta interpretojnë siç dëshirojnë, apo edhe siç përgatiten. Pra, kompozitorin e njëjtë e sjellin në fryma të ndryshme”, ka thënë ajo.
Delikat e me maturi në lojë e ka cilësuar edhe pianistja Lejla Pula interpretimin e pianistit 35-vjeçar.
“Kemi kënaqësinë ta dëgjojmë një pianist të nivelit shumë të lartë”, ka thënë Pula, njëherësh drejtoreshë ekzekutive e festivalit. Ka thënë të jetë e lumtur që një pianist i cili ka interpretuar nëpër sallat më prestigjioze të botës tashmë e ka edhe Kosovën në listën e vendeve ku ka interpretuar.
Gabriele Carcano është fitues i çmimit “Borletti-Buitoni Trust Fellowship 2010” dhe është një pianist mjaft i arrirë solist apo pjesë e orkestrës. Nga “Studdeutsche Zeitung” është vlerësuar si “skulptor i tingullit”. Është fitues i çmimeve të shumta, duke përfshirë çmimin “Casella” në konkurrencën “Premio Venezia”, ku bëri debutimin e tij në “Teatro La Fenice”.