Kulturë

“Fusha e mëllenjave” me idealistët e tradhtuar

Prishtinë, 18 korrik – Si personazh goxha introvert atë duket sikur e gërryen diçka nga brenda.

Nuk bëhet rehat kurrsesi. E kaluara i ka lënë pasoja psikike e fizike. Ato i ndikojnë që dyshimet, vuajtja e pamundësia për të pasur fëmijë ta rrethojnë në secilën ditë.

Syla (Shkumbin Istrefi) është portreti i një të burgosuri politik të viteve ’80 në Kosovë. U takon atyre që kishin ngritur zërin për të kërkuar shtet të pavarur në kuadër të ish-Federatës së Jugosllavisë. Por megjithëse pas burgosjes kishte ikur jashtë vendit, duket sikur burgu është brenda tij. Përgjithmonë. Është punonjës i një fabrike në Britani të Madhe. Lajmet nga Kosova i përcjell shpesh. Aty sheh duke dhënë deklarata edhe një mik të vjetër. Shabani (Astrit Kabashi) tashmë është zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Në valën e ikjes së njerëzve nga Kosova, flet se si shtetet perëndimore nuk pranojnë më azilkërkues nga shteti ballkanik. Syla bart fatin e atyre më të sinqertëve që sakrifikuan për vendin e tyre me idealizëm. Pos që nuk mori asgjë si shpërblim, humbi edhe mundësinë që të ketë pasardhës.

Në premierën e filmit “Fusha e mëllenjave” me regji e skenar të Arzana Krajës, të martën mbrëma në Teatrin Kombëtar të Kosovës në hapje të edicionit të 11-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFilmFest”, janë ekranizuar vuajtjet e të burgosurve politikë nga perspektiva e ditëve të sotme.

Syla në vitet ’80 kishte një lidhje dashurie me një fqinje të tij në fshat, Zylfijen. Ajo kishte vdekur. Por ai merr vesh që e dashura e tij kishte qenë shtatzënë dhe vendos t’i kthehet vendlindjes me shpresën që një pasardhës i tij jeton diku. Në kërkim e sipër arrin deri te informata se Zylfija, që kishte vdekur më 1989, ishte detyruar të abortonte.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")