Kulturë

Fuqizimi i identitetit indigjen nëpërmjet artit

Gratë grenlandeze po transformojnë skenën e artit të Arktikut dhe po çlirojnë identitetin e tyre indigjen nga e kaluara koloniale. Ato po nxisin vëmendjen nëpërmjet zanatit të tyre.

Zejtarja Sara Marie L Berthelsen, nga kryeqyteti i Grenlandës, Nuuk, është e specializuar në prodhimin dhe qëndisjen e çizmeve tradicionale “kamik” nga lëkura e fokave – pjesë e rëndësishme e veshjes kombëtare të Grenlandës. Familjet “inuit” në Grenlandë kanë përcjellë modelet e tyre unike të kostumeve nga brezi në brez. Berthelsen thotë se ajo i trashëgoi aftësitë e saj artizanale nga gjyshja.

“Për mua është shumë e rëndësishme të ruajmë mënyrën tradicionale të të bërit kamik”, thotë Berthelsen, duke shtuar se mbijetesa e popullit Inuit ka qenë e varur nga gratë. Të kesh aftësi të shkëlqyera artizanale dhe të bësh kamik me cilësi të mirë nënkupton që të keni këpucë në të cilat nuk arrin të depërtojë uji gjatë gjuetisë në borë, dhe gjithashtu ato parandalojnë fundosjen e kajakëve të bërë nga lëkura e fokave.

“Ëndrra ime është që fëmijët në Grenlandë ta kthejnë veshjen e kamikëve edhe në jetën e përditshme”, thotë ajo.

Numri i kërkesave për kostumin tradicional në Grenlandë është rritur, veçanërisht te të rinjtë e vendit, të cilët po shprehin gjithnjë e më shumë dëshirat politike për pavarësi kombëtare.

“Të rinjtë kanë filluar të ndihen më krenarë që janë grenlandezë. Shumica prej tyre duan të lënë pas lidhjet koloniale dhe kështu po përqafojnë kostumet”, rrëfen Berthelsen.

Grenlanda ishte një koloni daneze deri në vitin 1953 dhe tani është një territor gjysmë autonom nën Mbretërinë e Danimarkës me vetëqeverisje të kufizuar.

E kaluara koloniale e kombit arktik filloi me udhëheqësin danezo-norvegjez, Hans Egede, i cili mbërriti aty më 1721. Në vitin 1953, Danimarka ndryshoi në mënyrë të njëanshme statusin e Grenlandës në një zonë elektorale nën mbretërimin e saj.

Që nga viti 1979, Grenlanda ka fituar më shumë autonomi si dhe parlamentin e vet. Megjithatë, shumë grenlandezë, duke përmendur dominimin dhe kontrollin e vazhdueshëm të ushtruar nga autoritetet dhe figurat daneze në të gjitha sferat e jetës grenlandeze, vazhdojnë të luftojnë për pavarësinë kombëtare.

Tensione të tilla shfaqen edhe në art. Gjatë sundimit kolonial danez, kultura Inuite u shtyp në mënyrë sistematike, duke dobësuar përhapjen midis brezave. Efektet e saj shihen ende sot. Për shembull, praktika inuit e tatuazhit, të cilën misionarët u përpoqën ta zhduknin, sapo ka filluar të rivendoset më gjerësisht.

Maria Paninguak Kjærulff, një artiste pamore, shkrimtare dhe ilustratore nga Nuuk, tregon se ajo e shikon artin si “një mënyrë për ta shprehur identitetin kulturor dhe për të lënë gjurmë personale në të”. Projekti i saj i fundit, një libër për fëmijë, synon ta nderojë dhe ta lartësojë kulturën dhe traditën e tyre.

Tregimi flet për një vajzë grenlandeze, e cila niset në një aventurë për t’i zbuluar vlerat dhe aftësitë dhe për të takuar njerëz interesantë gjatë rrugës. Libri trajton tema universale si të qenët i vërtetë me veten.

“Për mua është e rëndësishme që fëmijët në Grenlandë kanë një univers me të cilin mund të lidhen me një vajzë grenlandeze”, thotë Paninguak Kjærulff. “Është thelbësore për artistët inuit të bëjnë art pasi përfshin perspektivat tona dhe çështjet e përfaqësimit”.

Historia zë vend brenda një shtëpie “komode dhe të zakonshme” grenlandeze, por përmban elemente magjike kulturore dhe tradicionale inuite.

“Ishte një zbulim për mua kur fillova të kem një zë. Unë mund të vendos gjithçka në universin që krijoj dhe shpresoj të krijoj një univers tërheqës dhe të ngrohtë”, tregon ajo.

Sascha Blidorf është një disenjatore bizhuterish nga Qaqortoq, Grenlanda jugore. Ajo bën kthesë moderne me punimet e saj me rruaza për të pasqyruar evolucionin e vazhdueshëm të bizhuterive grenlandeze.

“Unë jam frymëzuar nga ngjyrat e natyrës në Grenlandë. Është një përzierje e stilit modern dhe tradicional”, ka treguar ajo.

“Arti im do të thotë që unë mund të tregoj identitetin tim indigjen në një mënyrë më moderne, që i përshtatet kësaj bote moderne, pa harruar kulturën time dhe nga vij… për mua është jashtëzakonisht e rëndësishme ta tregoj artin tonë dhe të vazhdoj ta bëj atë”, ka treguar ajo.

Artizania shet produktet e saj në mbarë botën duke përdorur platforma të mediave sociale si “Instagram”. Ato mund të vishen si pjesë e kostumit kombëtar ose si pjesë e veshjes së përditshme.

“Bërja e bizhuterive me rruaza është një pjesë e historisë sonë”, thotë Blidorf. Leshi dhe lëkura e përdorur në bizhuteritë dhe veshjet grenlandeze janë zakonisht nga kafshët e gjuajtura. “Nuk është se ne vrasim kafshët për të bërë bizhuteri, por për të ngrënë. Në kulturën tonë, ne respektojmë natyrën dhe kafshët, kështu që kur vrasim kafshët përdorim çdo pjesë të saj”, shpjegoi ajo.

Artet dhe zanatet “kanë rëndësi për ne dhe forcojnë kulturën inuite grenlandeze”, ka thënë Blidorf, duke shtuar se ajo ndihet “e kompletuar” kur vesh bizhuteritë e saj.

“Inuitëve indigjenë iu tha ta ‘harronin’ kulturën e tyre për shkak të kolonializmit. Por nëpërmjet artit dhe zanatit, ne nuk mund të harrojmë kurrë se nga jemi dhe kush jemi’”.

Nuk ka traditë historike të prodhimit të qeramikës në Grenlandë. Por poçaria Nuuna Papis Chemnitz shpreson ta ndryshojë këtë. Ajo nisi punimin e qeramikës si hobi, më pas hapi një atelie në Nuuk.

“Më pëlqen të krijoj qeramikë për t’i treguar kulturën dhe artin tonë inuit në një mënyrë tjetër që nuk është shfaqur më parë”, thotë Papis Chemnitz. “Mendoj se është e rëndësishme për mua dhe inuitët e tjerë që të tregojmë diçka që kishim lënë pas vetes për t’u perëndizuar. Më pëlqen që mund të kombinoj materialin perëndimor me qeramikën dhe artin inuit”, thotë ajo.

Tradicionalisht, grenlandezët inuitë përdorën gur sapuni ose fildish deti për të krijuar art, shpjegon artizania. Enët e kuzhinës bëheshin kryesisht nga druri i shkrirë nga Kanadaja ose nga guri. Takëmet nuk ishin të njohura deri vonë.

“Nëna ime nuk përdori thikë dhe pirun deri në moshën shtatëvjeçare. Para kësaj, ajo përdorte ‘ulu’ (thikën tradicionale të grave)”, rrëfeu ajo.

Artistja e qeramikës pikturon motive të frymëzuara nga inuitët në veprat e saj. “Qulliq” simbolizon familjen, mbledhjet dhe ngrohtësinë - ose fuzhnjën për të tërhequr një gjueti të suksesshme.

Papis Chemnitz, gjithashtu, përdor tokën dhe baltën nga rrjedha e akullnajave për të bërë pika të veçanta të frymëzuara nga tatuazhet inuite në punën e saj. “Simbolet inuite janë unike. Pikat inuite ju japin mendime të mira dhe ju ndihmojnë të mbani mend diçka të veçantë, si gjyshërit, paraardhësit ose dasmat”, tregon ajo. Poçaria është e bindur se arti inuit po fiton vend në një botë gjithnjë e më të lidhur mes vete.

“Bota është bërë më e vogël. Ne tani shohim lidhjen tonë me inuitët e tjerë në Kanada dhe Alaska dhe kjo po forcon artin tonë”, tha ajo. “Arti inuit ka qenë i fshehur për shumë vite, por tani ai sapo po lulëzon”.

Artisti i librave për fëmijë, Paninguak Kjærulff, pajtohet se “ka shumë potencial për grenlandezët inuit që të tregojmë historitë e tyre”. “Unë me të vërtetë shpresoj se mund të krenohemi edhe më shumë për atë që kemi për të ofruar”.

(Marrë nga DW, përktheu: Mirjetë Sadiku)