Është formula që funksionon në jetën e diktuar nga pandemia: ansamble të vogla që mbajnë ritmin e koncerteve e të pranisë para publikut. Kësaj radhe, Filharmonia e Kosovës ka sjellë koncertin e ansamblit të frymorëve në një përzgjedhje shijehollë të veprave, që lidhin stile e epoka të ndryshme muzikore. Një kapitull i veçantë qenë tri veprat të kompozitorëve shqiptarë – Esat Rizvanolli, Valton Beqiri e Meriton Ferizi – që e kthyen publikun te rrënjët e muzikës shqipe. Koncerti “Frymë” u dha frymë jo vetëm veprave, por edhe një itinerari koncertesh që do të pasojnë
Tingujt që vijnë nga instrumentet frymore depërtojnë goxha si një fërfëllimë e dëlirë që shpërfaq ndërlidhjen e fortë të instrumentistëve me instrumentin. Një ndjesi e tillë ka ardhur te pjesëtarët e publiku edhe derisa kanë zënë vend në ulëset e sallës.
Instrumentistët, nga prapaskena japin sinjalet e fundit se janë gati. Para vetes kanë goxha program, gjë që e bind publikun qysh në lexim të veprave në fletushkën informuese. Janë pak mbi tetëdhjetë veta që kanë nxituar për të shfrytëzuar afatin e caktuar për të rezervuar vend. Të enjten mbrëma për herë të parë kanë përjetuar një koncert nga ansambli frymor i Filharmonisë së Kosovës. Një gjë e tillë nuk kishte qenë në planet e institucionit më të lartë të muzikës në vend, po të mos ua diktonin rrethanat e krijuara nga pandemia.
Filharmonia po përpiqet që në grupe të vogla t’i mbajë koncertet e ushtrimet në mënyrë që të respektohen masat për parandalimin e përhapjes së koronavirusit. Nga një mot i vranët, publiku ka pushuar nga atmosfera e qiellit të hirtë teksa është zhytur në një program të pasur muzikor që kapërcen nga periudha e klasicizmit deri te muzika bashkëkohore.
Veprat e kompozitorëve shqiptarë janë një ndalesë freskuese e një përjetimi frymëzues që shtjellon tema të melosit shqiptar. Një orvatje muzikore nga temat e popullarizuara të muzikës klasike botërore, instrumentistët frymorë kapërcejnë hijshëm tek ato me motive folklorike shqiptare.
Ky koncert që erdhi nën emërtimin “Frymë” është portret muzikor i literaturës së shkruar për ansamble të instrumenteve frymore të drunjta dhe të tunxhit. Vepra “Kuintet për frymor të drunjtë në G-mol – Koha e parë”, e kompozitorit francez, Hedwige Chretien e kompozuar në vitin 1887 solli ritmet e epokës së romantizmit nëpërmjet kuintetit frymor të Filharmonisë së Kosovës të përbërë nga flautistja Venera Mehmetagaj – Kajtazi në flaut, Xhovanta Marku në obo, Shkumbin Bajratari në klarinetë, Bledar Bujupi në kornë dhe Meriton Ferizi në fagot.
Vepra e dytë “Sekstet për piano dhe kuintet frymor në B-dur, Op.6 – Koha IV” e Ludwin Thuille përplas tingujt e ansamblit frymor të Filharmonisë së Kosovës me ata të pianistes Lirika Pula – Kasapolli.
“Urime instrumentistëve që kishin përzgjedhur një program shumë të mirë prej klasicizmit deri tek koha bashkëkohore, sidomos instrumentet e tunxhit që dhanë atë ngjyrën që ne kemi dëshirë ta dëgjojmë. Laramania e programit me një përzgjedhje me shije shumë të mirë dhe instrumentistët shumë të përkushtuar në ekzekutimin e tyre”, ka thënë Bajram Çupi, profesor i muzikës.
Njëmbëdhjetë anëtarë të ansamblit frymor janë shpërndarë përballë njëri-tjetrit për të bërë një kapërcim muzikor te vepra shqiptare e Meriton Ferizit. Qysh në tingujt e parë dëshmon se ka ritme të forta të muzikës. Kjo bëhet akoma më e qartë në leximin e titullit “Vepra ‘Pak ‘a shum’ Ship’”. Ajo vjen si një lundrim muzikor nëpër tri këngë shqipe të përpunuara për piano dhe ansambël frymor. “Lumja un’ për ty”, “Bilbili në pranverë” dhe “Bukuroshja e Lalës” kanë qenë një thurje prehje muzikore për publikun e etur për këngë shqipe. Ritmi që ka sjellë kënga e fundit “Bukuroshja e Lalës” është përcjellë në një moment edhe me lëvizje të lehta të këmbeve nga instrumentistët. Njësoj i kanë përcjellë edhe disa nga pjesëtarët e publikut.
Anëtarët e ansamblit frymor janë shpërndarë përballë njëri-tjetrit për të bërë një kapërcim muzikor tek vepra shqiptare (Foto: Arben Llapashtica)
Kompozitori Meriton Ferizi, i cili e ka luajtur edhe vetë veprën në fagot, i ka thënë KOHËS se kishte përzgjedhur këto tri këngë pikërisht për faktin se nuk janë aranzhuar më herët.
Ferizi ka thënë është ndier në disponim të mirë gjatë koncertit. Atë e konsideron si freski në jetën kulturore që po zhvillohet me plot barriera e kushtëzuar nga pandemia COVID-19 tash e një vit. Ka vlerësuar veprat e programit dhe ekzekutimin e notave nga instrumentistët.
“Kam filluar në pandemi t’i kompozoj këto vepra dhe deri tani kam realizuar tri prej tyre. E kam titulluar në gegnisht për të treguar se kjo është muzika shqiptare burimore. Do të kishte qenë dhe të tjerët që aranzhojnë të përshtatin sa më shumë vepra të reja të cilat jo vetëm ne t’i luajmë, por të përdoren edhe nga ansamblet e huaja që vijnë këtu”, ka thënë Ferizi për KOHËN.
“William Tell” e kompozitorit Gioacchino Rossini e kompozuar në vitin 1829 erdhi krejt ndryshe tek publiku. Kuinteti i tunxhit nuk mori duartrokitjet e daljes në skenë, pasi që këtë e bëri në mënyrë të pahetueshme. Instrumentistët luajtën një kat sipër sallës ku po qëndronte publiku duke bërë një pjesë e tij ta dëgjojë veprën pa e parë ekzekutimin e saj në instrument.
Kuinteti i tunxhit i zhvendosur nga skena, sipër sallës në interpretim të “William Tell” të Rossinit (Foto: Arben Llapashtica)
“Eine kleine Nachtmusik” e kompozitorit gjenial, Wolfgang Amadeus Mozart, erdhi e përshtatur nën titullin e saj “Një serenatë e vogël”. Ishte përshkruar si një vepër që nuk i zbehet rëndësia, pavarësisht vendit ku interpretohet. Kjo u dëshmua edhe nga interpretimi i veprës në Atelienë në Pallatin e Rinisë.
Koha e parë dhe e dytë e veprës së titulluar “Hamsa” – e kompozuar para katër vjetësh nga kompozitori Valton Beqiri – është e bazuar në figurën e dorës së Fatimës, që është kryesisht e popullarizuar në Maghreb dhe Lindje të Mesme. Bart simbolikën e fatit të mirë. E Beqiri e kishte kompozuar pikërisht që ky fat ta përcjellë ansamblin “Prishtina Brass”. Ai ka thënë për KOHËN se për ta rrumbullakuar simbolikën e numrit pesë që lidhet edhe me pesë gishtërinjtë e dorës, ai e ka në plan që të kompozojë edhe tri kohë të tjera.
“Sa i përket përmbajtjes muzikore është vepër karakteristike e shprehjes sime stilistike - muzikore, duke përdorur fillimisht harmoni komplekse te pjesa fillestare dhe pastaj duke përdorur aksente dhe sinkopa kryesisht në ritmin 7/8”, ka thënë kompozitori Beqiri.
“N’mjedis t’ballit” e Esat Rizvanollit dhe vepra e Valton Beqirit ishin ndalesa tjetër muzikore.
Trumbetisti Avni Krasniqi, ka thënë se janë munduar që ta gërshetojnë një program sa ma gjithëpërfshirës që prek të gjitha epokat por që e shënjon një ndalesë të veçantë në veprat shqiptare.
“Ne si instrumentistë të tunxhit u japim rëndësi edhe kompozitorëve vendorë. I gjithë programi ka qenë një përzierje e disa epokave. Valtoni njihet për kreativitetin e tij për të luajtur me folklorin dhe e ka bërë një vepër të mirë për ne. Mezi po presim t’i luajmë edhe kohët e tjera pasi që është një vepër ciklike”, është shprehur Krasniqi.
Me këtë koncert të frymorëve, sipas Baki Jasharit, drejtor Filharmonisë së Kosovës, ky institucion ka nisur “ciklin më dinamik me plot katër koncerte. Ka treguar se Filharmoninë e pret një javë e ngjeshur koncertesh në këtë fundprill. Të martën më 27 prill, Kori i Filharmonisë së Kosovës do ta prezantojë koncertin premierë dhe për herë të parë do të dirigjohet nga dirigjenti kosovar Memli Kelmendi. Orkestra Harkore më 28 prill do të prezantohet me koncert në kinemanë “Lumbardhi” e repriza e koncertit të Korit të Filharmonisë së Kosovës do të jepet më 29 prill në Kishën “Shën Katarina” në Pejë.