Kulturë

Fjalorë me 6 mijë fjalë – kapitull i ri për arbnishten

Ka kohë që është dhënë alarmi se abrnishtja në Kroaci dita-ditës po shuhet. Por vepra madhore e Maximiljana Barančić, profesoreshë e gjuhëve të huaja në Universitetin e Zarës në Kroaci, është shpresë e kapitull i ri për këtë të folur. Por ajo numëron dy dekada prejse i ishte përveshur punës për një projekt më të madh: Fjalorin arbnisht-kroatisht dhe një tjetër anasjelltas. Të dyja botimet që kanë nga 6 mijë fjalë tashmë janë në shërbim të atyre që duan të mësojnë arbnishten

Historia e arbneshëve të Zarës së Kroacisë do të ishte më vështirë e deshifrueshme sikur ata të mos e ruanin gjuhën e tyre, arbnishten. Për dekada e patën të pamundur ta mësonin atë. Edhe kur mundësia u ofrua nuk zgjati shumë. Por arbnishtja mbijetoi falë të folmes në familjet e qytetit dhe komunës perëndimore të Kroacisë.

Për mësimin e arbnishtes profesoresha e gjuhëve të huaja në Universitetin e Zarës në Kroaci, Maximiljana Barančić, më herët kishte përgatitur një doracak. Por ajo numëron dy dekada prejse i ishte përveshur punës për një projekt më të madh: Fjalorin arbnisht-kroatisht dhe një tjetër anasjelltas. Të dyja botimet që kanë nga 6 mijë fjalë tashmë janë në shërbim të atyre që duan të mësojnë arbnishten.

Në kuadër të edicionit të 39-të të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, të mërkurën, nëpërmjet një lidhjeje në platformën “Zoom”, Barančić ka prezantuar veprat e saj.

Gjuhëtari dhe anëtari korrespodent i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Bardh Rugova, e ka prezantuar atë si personalitet të rëndësishëm të kulturës arbneshe. Ka treguar se ajo ka punuar doracakun për mësimin e arbnishtes në Kroaci.

“Profesoresha nuk ka trembje për të folur se si i ka punuar fjalorët. Tash do t’ia jap fjalën profesoreshës dhe kam me i thënë faleminderit për atë që ka punuar për gjuhën arbneshe”, ka thënë ai në arbnisht. Për ta folur atë me saktësi, këtë e ka shkruar paraprakisht.

Maximiljana Barančić ka treguar se kohëve të fundit ka promovuar të dy fjalorët. Ka thënë se me qejf do të ishte në këtë edicion të Seminarit, por e kishte të pamenduar shkaku i pandemisë. Bile, ka thënë se ka dashur që promovimet të bëheshin bash në këtë kohë, pasi nuk dihet se çfarë do të sjellë vjeshta.

“Profesor Bardhi me ka lutur të flas në arbnisht. Në arbnisht dhe anglisht do të provoj t’ju tregoj se si i kam shkruar fjalorët”, ka thënë ajo. Fillimisht ka folur në arbnisht e më pas në gjuhën angleze. Ka treguar se arbneshët e kanë ruajtur gjuhën e vet. Sipas saj, mundësia që ata ta mësojnë gjuhën e nënës nuk ekzistonte. Ka bërë të ditur se kah fundi i shekullit 19 dhe fillimi i shekullit 20 mësimi i gjuhës së tyre ishte bërë i mundur nëpërmjet mësuesve nga Shqipëria.

“Pastaj pas vitit 1920 nuk kanë mësuar me gjuhën e tyre. Por asnjëherë askush nuk ka mundur të na ndalë ta mësojmë gjuhën arbneshe në shtëpi. Ajo është pjesë e identitetit tonë”, ka thënë ajo. Ka treguar se për hartimin e fjalorëve nuk e ka përdorur gjuhën shqipe por arbnishten, gjuhën kroate dhe disa gjuhë të tjera që janë pjesë e leksikut të arbnishtes.

“Me këtë jam munduar që ta sjell arbnishten sa më afër arbneshëve që janë të interesuar. Një numër i madh i fjalëve shqipe të përfshira këtu përdoren nga arbneshët e Zarës. Janë mbi 6 mijë fjalë në këta fjalorë”, ka thënë ajo. Ka bërë disa dallime se si dallon shqipja nga arbnishtja.

“Ne nuk themi ‘ne shkomi’, por ‘ne shkona’. Ka treguar se as gjyshërit e saj, prindërit e as gjenerata e saj nuk e përdorin shkronjën “Th”. Sipas saj, ajo zëvendësohet nga shkronja “S”.

“Jo ‘unë kam thanë’, por ‘unë kam sanë’. Nuk e kanë përdorur shkronjën ‘th’”, ka treguar ajo. Ka thënë të jetë përlotur derisa ka shpjeguar punën e bërë për fjalorët. Këtë e ka lidhur me emocionet që i zgjon gjuha e të parëve.

Bëhet fjalë për fjalorët e parë që lidhin arbnishten me kroatishten dhe anasjelltas. I janë dashur dy vjet vetëm për t’i shkruar, kurse ajo ka mbledhur fjalë për 20 vjet me radhë.

Vitin e kaluar ishte promovuar Fjalori kroatisht-arbnisht në Zarë, ajo kishte treguar se gjithçka kishte filluar në studimet e saja pasuniversitare, në vitin 1999, kur u interesua më shumë për arbnishten. Në Zarë Fjalori ishte vlerësuar si vepër e një rëndësie të veçantë pasi përfshinte gramatikën e një gjuhe që përdoret nga pak veta dhe rrezikon të zhduket.

“Duhet të theksoj se fjalorin e kam shkruar ekskluzivisht duke përdorur fjalët që përdorim çdo ditë në arbnisht. Shumë njerëz tashmë e dinë se ne u ndikuam nga gjuha italiane dhe më vonë nga gjuha kroate, dhe për këtë arsye ajo përmban një numër më të madh fjalësh nga ato dy gjuhë”, kishte sqaruar profesoresha. Kishte thënë se shpreson që ky fjalor do t’u shërbejë edhe bashkëqytetarëve të saj për të përmirësuar njohuritë e tyre për Arbanasin. Ajo mban edhe kurse në arbnisht për fëmijët që janë të interesuar.

“Gjuha ishte në prag të zhdukjes. Diçka vërtet duhej bërë. Jam shumë i lumtur që vitin e fundit kam gjithnjë e më shumë pjesëmarrës të rinj në kursin tim dhe do të doja veçanërisht të veçoja një grup fëmijësh të moshës katër deri në dhjetë vjeç që mësojnë fjalë të reja të Arbanasit, çdo të mërkurë”, u kishte thënë ajo të pranishmeve në promovimin e bërë me 28 tetor të vitit të kaluar në Zarë.

Seminari do të vazhdojë edhe sot (e enjte) dhe të premten. Gjatë të mërkurës pos ngjarjes së promovimit të fjalorëve gjatë gjithë ditës kanë pasur diskutime doktorantët. E kurset e gjuhës shqipe do të vazhdojnë deri në fund të edicionit.