Prishtinë, 27 maj – I përshkruar si një dramë e komedi e zezë, filmi “Parasite” mund të shihet edhe si një hulumtim në shoqërinë e Koresë së Jugut. Sipas kritikës, është asi kërkimi që shpërfaq realitetin, por në 2 orë e 12 minuta nëpërmjet satirës e bën atë të kapshëm e joshës për publikun.
Megjithëse filmi i regjisorit Bong Joon-ho më së miri komunikon me shoqërinë e Koresë së Jugut, pasi edhe është i ndërtuar në kontekstin vendor, ai ia ka dalë që të bëjë për vete edhe jurinë e njërit prej festivaleve kryesore të botës së filmit. Ka fituar “Palmën e Artë” në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Cannes, duke e mposhtur në mesin e konkurrentëve edhe hitin e sivjetmë “Once Upon a Time in Hollywood” të Quentin Tarantinos, që ka bërë bashkë yjet si Leonardo DiCaprio, Brad Pitt, e Al Pacino. Bong Joon-ho është regjisori i parë koreano-jugor që merr çmimin prestigjioz.
Çmimin “Grand Prix” e ka marrë për filmin “Atlantique” nën regji të Mati Diop. Çmimi për regjisorin më të mirë u ka takuar vëllezërve belgë Jean-Pierre dhe Luc Dardenne për filmin “Young Ahmed”. Dyshja më 2008 me filmin “Heshtja e Lornës”, në të cilin luajnë aktorët kosovarë Arta Dobroshi e Alban Ukaj, në këtë Cannes morën çmimin për skenarin më të mirë.
Sivjet Çmimin për aktoren më të mirë e ka marrë anglezja Emily Beecham për rolin e saj në filmin “Little Joe”, aktori më i mirë është shpallur spanjolli Antonio Banderas për rolin në “Pain and Glory”, një film gjysmëutobiografik i Pedro Almodóvarit.
Sa i përket Çmimit për skenarin më të mirë, ai i ka takuar francezes Celine Sciamma për filmin “Portrait of a Lady on Fire”. Regjisori palestinez Elia Suleiman është nderuar me Mirënjohje speciale për filmin “Is Must Be Heaven” e “Palma e Artë” për kamerë i është ndarë Cesar Diaz për filmin “Nuestras Madres”.
Sikurse çdo vit, festivali që mbahet në rivierën franceze ka mbledhur yjet e kinematografisë botërore. Regjisori korean Bong Joon-ho, si fitues i çmimit kryesor të festivalit, ka thënë se kjo ishte një e papritur për të.
“Kurrë nuk e kam imagjinuar këtë”, ka thënë Bong Joon-ho.
(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")