Kulturë

Fishta në botime të rralla si klasik që i orientoi shqiptarët drejt Perëndimit

Për gjysmë shekulli kishte qenë shkrimtar i ndaluar, pavarësisht se më shumë se kushdo tjetër kishte vënë gurë në themelet e letërsisë shqipe. Egërsia e sistemit komunist kishte shkuar deri atje, saqë eshtrat e tij, që preheshin në Kishën e Gjuhadolit, më 1967 u hodhën në ujërat e lumit Drin. Frati françeskan, i lindur në Fishtë të Zadrimës, u bë autor i letërsisë kombëtare me epin “Lahuta e Malcís”, e për katër dekadat e para të shekullit të kaluar ishte emri më i spikatur i kulturës shqiptare

Prishtinë, 30 dhjetor – Ishte dita e fundit e dhjetorit të vitit 1940 kur një grup i vogël françeskanësh po hapnin një varr për fratin që deri asokohe kishte madhështuar letërsinë e kulturën shqiptare.

Siç kujtonte Atë Zef Pllumi, në një qiell të ngrysur e me tokën me borë e skllotë, “po zhvillohej funerali i zi mortuor i Fishtës”.

Vite më vonë, në Kuvendin Françeskan të Gjuhadolit do të hynin ushtarët që mbanin yllin e kuq në ballë, duke shkulur kryqin e çdo shenjë që përkujtonte fratin që për gjysmë shekullli do të mohohej.

Në 80-vjetorin e vdekjes së Atë Gjergj Fishtës, biblioteka kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” paraditen e së mërkurës ka hapur ekspozitën “Për Atmé e fé Gjergj Fishta”.

Duke hapur fondet e koleksioneve të tij, institucioni më i madh bibliotekar në vend ka bërë bashkë njëzet botime të rralla të veprave të Fishtës nga viti 1907 deri më 1942, 150 libra e monografi me subjekt fratin e lindur në Zadrimë, si dhe qindra artikuj gazetash e revistash.

Në kornizat e xhamta më së shumti binin në sy botime të ndryshme të kryeveprës epike shqipe “Lahuta e Malcís”. Mes tyre ishte edhe një botim në italisht i së njëjtës vepër me titull “Il liuto delle montagne” i bërë nga albanologu arbëresh ‎Ignazio Parrino, ashtu si edhe një tjetër në gjermanisht “Die Laute des Hochlandes” i bërë më 1958 nga Maximilian Lambertz.

Image

Në kornizat e xhamta më së shumti binin në sy botime të ndryshme të kryeveprës epike shqipe “Lahuta e Malcís”. Mes tyre ishte edhe një botim në italisht i së njëjtës vepër me titull “Il liuto delle montagne” i bërë nga albanologu arbëresh ‎Ignazio Parrino

Thesare që i orientuan shqiptarët drejt Perëndimit

 

Të vlerësuara si thesare kujtese për një nga emrat më impozantë të letërsisë dhe kulturës shqipe në katër dekadat e para të shekullit të 19-të, ekspozita ka sjellë edhe kopje dorëshkrimesh e korrespodencash në italisht që Fishta, në të gjallë të tij, kishte mbajtur me njerëz të kulturës e shkencës për “Atmé e fé”.

Në ceremoninë e hapjes së ekspozitës, drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, ka vlerësuar se Gjergj Fishta ishte figura më e jashtëzakonshme që, gjatë gjithë jetës së tij, shkroi dhe veproi për identitetin shqiptar.

“Ai i dha lexuesit shqiptar mrekullim e mahnitje me veprën e tij letrare që e orientoi kombin shqiptar drejt botës perëndimore”, ka thënë ai.

Sipas tij, secili që mësyn njohjen në plotni të veprës së Fishtës e ka të vështirë të vendosë se ku duhet të lartësohet më shumë figura e tij “në arsim, shkencë, publicistikë apo në jetën rregulltare”.

“Ai shkroi një sërë veprash letrare që ndihmuan në hedhjen e themeleve të një letërsie klasike. Me Fishtën, letrat shqipe arritën kulmin e një letërsie kombëtare, çka për këtë autor ishte një shenjë për arritjen e pavarësisë politike dhe kulturore shqipe”.

Duke vlerësuar aftësitë e tij krijuese, Gajraku ka shtuar se Fishta njihej edhe për “aftësinë e tij për të shprehur unin kolektiv të kombit shqiptar”.

“Shfaqja e tij si një shkrimtar kombëtar ishte shfaqja e një jehone për të gëzuar kombin shqiptar”.

Drejtori i BKK-së, po ashtu, ka bërë me dije se gjatë këtyre njëzet vjetëve fondi për Fishtën është pasuruar përmes dorëshkrimeve, botimeve monografike, tematike, si dhe atyre serike, siç janë gazetat e revistat e ndryshme.

Sipas Gajrakut, fondet digjitale bibliotekare së fundmi u pasuruan edhe me 360 dorëshkrime e objekte të dhuruara nga studiuesi i arkivave Bejtullah Destani.

Image

Të vlerësuara si thesare kujtese për një nga emrat më impozantë të letërsisë dhe kulturës shqipe në katër dekadat e para të shekullit të 19-të, ekspozita ka sjellë edhe kopje dorëshkrimesh e korrespodencash në italisht që Fishta, në të gjallë të tij, kishte mbajtur me njerëz të kulturës e shkencës për “Atmé e fé”.

Afirmim i vlerave të trashëgimisë së shkruar

 

I pranishëm në ngjarje ishte edhe zëvendësministri i Kulturës, Engelbert Zefaj, i cili thase kjo ekspozitë afirmon vlerat e trashëgimisë së shkruar.

“Ndërsa flasim për figurën e Fishtës, e cilësuar si më e fuqishmja në letërsinë shqiptare, ne e rikthejmë vëmendjen kah përpjekjet e pareshtura dhe shumëdimensionale të këtij njeriu për ndriçimin e rrugës së shqiptarëve si në aspektin letrar, ashtu edhe në atë kolektiv”, ka thënë Zefaj.

Tutje, zëvendësministri i Kulturës ka shprehur mbështetjen për të gjitha institucionet që, sipas tij, kanë për qëllim ruajtjen dhe shpalosjen e vlerave dhe kulturës albanologjike.

“Nëse Fishta ishte njëri nga nismëtarët e vënies në binarë të alfabetit të gjuhës shqipe, simbol i lulëzimit të letërsisë, folklorit e historisë, si dhe shembull i qëndrimeve të palëkundura politike, përkushtimi ynë doemos të jetë i tillë sa të arrijë të ruajë kujtimin për udhërrëfyesit e lirisë dhe pavarësisë së atdheut”, ka thënë Zefaj.

Të pranishmëve u është drejtuar me një fjalë të shkurtër edhe ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, i cili, teksa falënderoi për organizimin e ekspozitës, ka vlerësuar se Fishta ishte një nga ata që e mbrojti fuqishëm identitetin shqiptar.

“Nëse latinofonët mburren me Danten, gjermanishtfolësit me Goethen, ne shqiptarët mburremi me Fishtën, që ishte pena më e hollë e të gjitha kohërave”, ka thënë Gjergji. “Ai diti të shprehë shpirtin tonë shqiptar, vuajtjet tona si popull dhe vuri në pah pasuritë tona shpirtërore”.

Kjo ekspozitë – e përkrahur edhe nga MKRS – do të qëndrojë e hapur deri më 11 janar.

Ndryshe, Ministria e Kulturës në Republikën e Shqipërisë në shtator të këtij viti restauroi shtëpinë në Fishtë, ku lindi kolosi i letrave dhe i kulturës shqiptare. Në projektin “Rrugëtimi fishtian”, për të cilin ishin ndarë 5,935,887 lekë, është paraparë që në Fishtë të Zadrimës të bëhet ndërtimi i një memoriali të denjë për poetin e “Lahutës së Malcis”. Në këtë projekt është përfshirë edhe Kuvendi i Troshanit – monument kulture – ku ai kaloi një pjesë të madhe të kohës si mësimdhënës, si dhe Kisha famullitare e Gomsiqes.

Ndërkaq të mërkurën presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, e nderoi Fishtën pas vdekjes me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.

“Në vlerësim të veprës atdhetare dhe të rolit të jashtëzakonshëm në fushat e gjuhës dhe të letërsisë shqipe, arsimit e kulturës, diplomacisë, politikës e teologjisë, si dhe për meritat e Tij historike në krijimin e alfabetit shqip dhe në proceset shtetformuese, kam sot nderin e veçantë të çmoj me Dekoratën më të lartë në Republikën e Shqipërisë, Atë Gjergj Fishtës”, ka thënë Meta.

Image

Vepra në gjermanisht “Die Laute des Hochlandes” botuar më 1958 nga Maximilian Lambertz, është në mesin e botimeve të ekspozuara