“’Nomadland’ është film që duhet ta shohin të gjithë, jo pse ishte në ‘Oscars’, por për shkak të temës dhe mesazhit, apo filmin ‘Parasite’ është mëkat të mos e shohë shikuesi kosovar. Edhe tema edhe mesazhi i këtij filmi përkojnë me vlera universale, qoftë në nivel të përmbajtjes, qoftë në kuptim të mesazhit”, ka thënë regjisori Isa Qosja. Rrjeti i kinemave “Cineplexx” më 13 maj, do të sjellë filmin “Nomadland” të regjisores Chloé Zhaos. Ky film pritet të jepet edhe në “Kino ABC”, si dhe “DokuKino”
Drama mbi “nomadët amerikanë”, që u shpërblye trefish në “Oscar” - me çmimin e filmit më të mirë, për regjinë më të mirë dhe për aktoren më të mirë kryesore - këtë muaj do të shfaqet në Kosovë. Rrjeti i kinemave “Cineplexx” më 13 maj do të sjellë filmin “Nomadland” të regjisores Chloé Zhaos. Ky film pritet të jepet edhe edhe në “Kino ABC” si dhe “DokuKino”. Për njohës të kinematografisë “Nomadland” është një vlerë e pakrahasueshme që do të ndikojë në kultivimin e shijes së publikut kudo në botë. Një përzgjedhje e duhur, sipas tyre, për publikun në Kosovë që di të vlerësojë filmat me vlerë artistike e jo vetëm filmat komercialë.
Në edicionin e 93-të me radhë të “Academy Awards”, “Nomadland” ka fituar “Oscarin” në kategorinë e filmit më të mirë – në një garë me rivalë seriozë si “The Father”, “Judas and the Black Messiah”, “Mank”, “Minari”, “Promising Young Woman”, “Sound of Metal” dhe goxha të favorizuarin në parashikime “The Trial of the Chicago 7”. Drama në kohëzgjatje prej 108 minutash i solli Chloé Zhaos trofeun e regjisores më të mirë, ashtu sikurse aktores 63-vjeçare të këtij filmi Frances McDormand (në rolin e Fernit) çmimin e aktores më të mirë kryesore. Filmbërësja 39-vjeçare e lindur në Pekin, Chloé Zhao, është bërë gruaja e para aziatike që fiton një “Oscar” për regjinë më të mirë.
“Nomadland” është rrëfim vivid që lidh bashkë fatin e brezit të viteve ’60 e ’70, në Amerikë, e ardhmja ekonomike e të cilëve u copëzua për shkak të krizës së vitit 2008. Të gjendur përballë varfërisë dhe duke e pasur të vështirë që edhe të tërhiqen, por edhe të punojnë, bëhen pjesë e një “fisi” të ri në Amerikë. Bredharakët që janë në fokus të filmit e kalojnë jetën nga një shtet në një tjetër me minibusë, që në fakt janë edhe streha e tyre ku flenë.
Drama është e bazuar në librin e Jessica Bruder të vitit 2017 me titullin: “Nomadland: Surviving America in the Twenty-First Century”. Filmi ndjek jetën e gruas me emrin Fern dhe pak kohë, pasi humb burrin e saj e humb edhe punën. Ferni në të gjashtëdhjetat e saj, vendos që të shesë gjërat dhe të marrë një minibusë për të udhëtuar përgjatë Amerikës në kërkim të një punë. Gjatë udhëtimit të saj, ajo takohet me disa nomadë që i mësojnë aftësitë bazike për të mbijetuar dhe për të pasur pavarësi.
Artan Ramadani, menaxher i marketingut në “Cineplexx”, ka thënë për “KOHËN” se duke marrë parasysh sukseset e filmit në arenën ndërkombëtare, ne e pamë si të arsyeshme që filmin “Nomadland” t’ia ofrojmë edhe publikut tonë këtu në Kosovë, me gjithë sfidat që u paraqitën së fundmi me distribuimin global të filmave.
“Në situatë më normale, duke mos u përballur me pandeminë e Covid-19 dhe ndikimin zinxhiror që ka pasur në të gjithë industrinë e kinematografisë, ne do ta transmetonim edhe më herët jo vetëm këtë film, por edhe filmat e tjerë që kanë qenë pjesë e garës këtë vit”, ka thënë ai. Sidoqoftë, ka shtuar se përballja me shtyrjen e njëpasnjëshme të filmave nga studiot si dhe me masat e qeverisë, ua ka mundësuar vetëm tani që ta sjellin këtë film në kinema. Ramadani ka thënë se edhe në të kaluarën, “Cineplexx” u ka kushtuar rëndësi të veçantë filmave që janë bërë pjesë e “Oscar-it”.
“Ne e shohim si vitale që në kinemanë Cineplexx, t’u mundësojmë filmdashësve të të gjitha zhanreve dhe llojeve të filmave, që t’i shohin ata në ekran të madh, ashtu siç duhet të përjetohet filmi”, ka thënë ai.
Avni Dobraj nga “Kino ABC” ka thënë se edhe kjo kinema ka pranuar ofertën për të shfaqur këtë film dhe të njëjtën janë duke e shqyrtuar. “Ne punojmë me të njëjtin distributor dhe ai ka dhënë mundësi që filmi të shfaqet në të gjitha kinematë e Kosovës”, ka thënë Dobraj.
Edhe Nora Fetoshi, zëdhënëse për media në “DokuKino”, ka thënë se sjellja e dramës “Nomadland” varet më shumë prej distributorit. Sidoqoftë ka theksuar se ata janë të interesuar për të sjellë të njëjtin në kinemanë e tyre. “Ajo çka na shtyn që të sjellim këtë film përveç faktit se është fitues i çmimit kryesor në ‘Oscar’, është gërshetimi i jashtëzakonshëm ndërmjet filmit narrativ dhe atij dokumentar, duke marrë parasysh se përveç aktores Frances McDormand dhe aktorit David Strathairn të gjithë personazhet e tjera nuk janë aktorë, por njerëz që shpalosin mënyrën e tyre të jetesës”, ka thënë ajo.
Arben Zharku nga drejtori i Qendrës Kinematografike e Kosovës ka thënë se në shumë vende evropiane filmi autorial subvencionohet prej shtetit që të shfaqet nëpër kinema apo platforma të tjera.
“Pandemia dhe debatet e pandërprera mbi barazinë gjinore, racën etj. e ka prekur edhe industrinë me të fuqishme në bote. Kjo mendoj që ka ndikuar që ‘Nomadland’ të triumfojë dhe fatmirësisht të shihet kudo në botë”, ka thënë ai. Sipas tij, kjo është vlerë e pakrahasueshme që do të ndikojë në kultivimin e shijes së publikut kudo në botë.
Regjisori Isa Qosja, ka thënë se ka kaluar koha kur në sallat e kinemasë kërkohej që të shikoheshin vetëm hite kinematografike. “Unë e kam shikuar vitin që shkoi ‘917’ dhe ishte me sa më kujtohet projeksioni i pesëmbëdhjetë. Salla plot, përcjellja e filmit e shkëlqyeshme, filmi i tipit shumë profesional. Pra i punuar për filmbërës”, ka thënë ai. Sipas tij, kjo ishte një dëshmi se në Kosovë shikohen filma me vlerë artistike e jo vetëm filma komercialë.
“Natyrisht që do të doja që këta filma të mos mbajnë vetëm vulën e ‘Oscarit’, por të jenë edhe filmat që arrijnë të konfigurojnë vlerat e tyre artistike nëpër festivale të ndryshme. Filma nga Evropa apo vende të tjera. Është në përparësi të theksuar filmi amerikan apo anglez në krahasim me filmat e vendeve të tjera, por të mos e harrojmë se filmi intelektual prodhohet kryesisht në Evropë”, ka thënë ai. Sipas tij, në kuptimin e shikueshmërisë, filmi evropian e ka një hendikep të theksuar në krahasim me filmin amerikan, e që Qosja ka thënë se kjo i duket e padrejtë.
“’Nomadland” është film që duhet ta shohin të gjithë, jo pse ishte në ‘Oscars’, por për shkak të temës dhe mesazhit, apo filmin ‘Parasite’ është mëkat të mos e shohë shikuesi kosovar. Edhe tema edhe mesazhi i këtij filmi përkojnë me vlera universale, qoftë në nivel të përmbajtjes qoftë ne kuptim të mesazhit”, ka thënë ai. Ka shtuar se kinematë në vend duhet t’i japin përkushtim të merituat filmit të vërtetës.
“Natyrisht duke mos e anashkaluar edhe atë komercial, sepse filmi komercial, megjithatë, ua mbush arkat. Duhet ditur se shikuesi ynë është emancipuar mirë sa i përket filmit dhe të ne ekziston një numër i madh i filmofilve apo atyre që e duan vërtetë filmin”, ka thënë Qosja.
Mirëpo, përderisa filmi i regjisores Chloé Zhao po udhëton nëpër vende të ndryshme, vetë Zhao po censurohet në vendlindjen e saj. Materialet promocionale dhe referencat për film janë tërhequr nga interneti, madje pati edhe thirrje për bojkot. “Nomadland” deri tani ka fituar mbi 150 çmime në ceremoni të ndryshme.