Nga e kaluara që sipas kinematografëve, nuk duhet harruar e duhet trajtuar me kujdes, tek e tashmja fragjile që po ashtu kërkon kujdes të veçantë me qëllim që e ardhmja të jetë e ndritshme, filmat e “DokuFestit” në Garën ballkanike sikur janë dëshmia më e fortë për të nxitur mendim kritik e veprim të menjëhershëm karshi situatave që rrezikojnë të përsëritën
“Sikur politika të mos kishte shkuar kaq keq në Ballkan, të gjitha gjërat do të ishin ‘Made in Ballkan’”, thotë një nga personazhet në filmin “Sava” nën regji të Matthew Somerville. Filmi është dhënë premierë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest” në edicionin e tij të 20-të që ka nisur të premten e vazhdon deri më 14 gusht. E thënë ndoshta me sarkazëm, fjala “Made in Ballkan” sikur i shoqëron në një formë të gjithë filmat e kësaj gare. Filmat janë si një mozaik i plotë që plotësojnë njëri-tjetrin. Te njëri mund të gjesh pyetjet që mund t’i ketë ngritur i pari e tek i fundit mund të vijë një kundërshtim i asaj që është thënë më parë. Mënyra e jetesës e problematikat nga e kaluara, e tashmja dhe dilemat për të ardhmen bëhen bashkë. Dikush, duke u mbajtur më fort kah dokumentari e dikush duke eksperimentuar me doku-fiksion, por të gjithë mjaftueshëm të fuqishëm sa për të bërë audiencën që nga aty të dalin më kritikë ndaj veprimeve jodemokratike e shtypjes së lirisë në kërkim të perspektivave të ndryshme e pranimit të diversitetit që duhet të mbizotërojë.
“Sava” është nga filmat që deri tani më së miri përthekon tematika të shumta brenda Ballkanit. Për 70 minuta sa zgjat filmi që u dha të hënën në “Kino Lumi” ka bërë që zëri i lumit Sava të dëgjohet mbi Lumbardhin e Prizrenit. Duke qenë lumi më i gjatë në ish-Jugosllavi, Sava “flet” nëpërmjet zërit të aktores dhe këngëtares kroate që vdiq sivjet në moshën 66-vjeçare, Mira Furlan.
Vetë lumi është dëshmitar i historisë njerëzore. Brenda tij ka dy ekstreme: është gjëja më e bukur që këto vende kanë, por edhe vijë ndarëse. Filmi sjell temat e përbashkët në mes të kombeve nëpërmjet personazheve të tij që në një formë a tjetrën kanë gjetur strehë te Sava që sot rrjedh përgjatë kufijve të Sllovenisë, Kroacisë, Bosnjës e Hercegovinës dhe Serbisë.
Regjisori Matthew Somerville, ka thënë se për ta bërë këtë film ishte nxitur nga fakti se mjedisi është më i rëndësishëm se nacionalizmi.
“Mendoj se ky Lumë është diçka e mirë që tregon për lidhjet fqinjësore, kufijtë, natyrën dhe prandaj e kemi bërë këtë”, ka thënë regjisori nga Londra i cili ka bërë disa udhëtime përgjatë Lumit.
Gjashtë vjet i ka marrë kohë stafit për të bërë filmin që dallohet për diversitet të personazheve që prekin identitetin, jetën, lirinë, demokracinë, luftërat, migrimin, dallimet klasore dhe në përgjithësi mbijetesën përgjatë lumit, ani pse me këndvështrime jo çdoherë në pajtueshmëri me ato që vetë regjisori i mendon.
“Mendoj se për ne lumi është më shumë si një kujtesë kolektive ku mblidhen rrëfimet e njerëzve përgjatë. Pra, ‘Sava’ është një vend i shumë njerëzve dhe këta njerëz disi kanë një lidhje me këtë lumë dhe ideja ishte që t’i bënim bashkë këto perspektiva të ndryshme përgjatë lumit”, ka thënë ai.
Një lidhje me ujin ka edhe dokumentari i metrazhit të gjatë “Freestyle to Montenegro”, nën regji të shkodranit Ardit Sadiku. Madje të dy regjisorët debutojnë si regjisorë të filmave të metrazhit të gjatë. Personazhi kryesor i këtij filmi, Toni Gjini, në verën e vitit 1987 bashkë me një mik të tij kishin notuar nga Velipoja deri në Ulqin për të ikur nga regjimi komunist i asaj kohe në Shqipëri. Vetëm Toni e kishte përfunduar këtë udhëtim, miku i tij disa metra larg bregut kishte gjetur vdekjen. Gjini pa e kuptuar, e kishte bartur deri në bregdet me shpresë se ai është vetëm i lodhur. Trupi i tij ishte kthyer në Shqipëri ku ishte varrosur, por gjetja e tij ishte një sfidë tjetër në vete, pasi që regjimi i atëhershëm shumë njerëz i ekzekutonte nuk linte që t’u diheshin as eshtrat.
Toni Gjini që kishte kaluar 18 kilometra duke notuar herë në stilin e bretkosës e më shumë në atë që në not njihet si “Freestyle” nga Mali i Zi kishte shkuar në Amerikë. Më vonë u kthye në Shqipëri ku për regjisorin Sadiku ka kujtuar me detaje rrugëtimin e tij e jetesën në atë kohë kur Shqipëria nuk kishte komunikim me botën.
“Kam parë filma të tjerë që prekin periudhën e komunizmit, por ne nuk diskutojmë tema të tilla që të tregojmë se ka shumë të pagjetur në Shqipëri që janë ekzekutuar e nuk janë gjetur. Këtë e flas edhe te dokumentari im”, ka thënë ai. Ka shtuar se duhet të flitet për të kaluarën.
“Duhet të flasim për gjëra që vetë po i groposim, sepse me i groposë këta njerëz që nuk janë gjetur kurrë, është një groposje e historisë dhe ne po ecim para, por pa i rregulluar këto gjëra ne nuk do të mund të ecim para. Dëshiroj që njerëzit me e pa rrëfimin e Toni Gjinit për me qenë i lirë dhe dua që me i pa gjërat që janë bërë në atë kohë e qe nuk janë thënë ose që janë thënë në mënyrë propagandistike, por jo siç kanë qenë”, ka thënë ai, duke treguar se rrëfimi i Gjinit është edhe një tregim i sakrificave për liri.
Personi i hotelit, ku kishte fjetur miku i Gjinit, ishte në rrezik që të dënohej me 7 deri në 10 vjet me burg për bashkëpunim, pasi që ajo që Gjini e miku i tij kishin bërë konsiderohej krim. Sanksionohej me kodin penal të kohës. Ai nuk kishte lidhje fare me dyshen e as nuk dinte gjë për planin e tyre. Megjithatë, disi kishte shpëtuar. Jo të gjithë mund ta kenë këtë fat në një sistem të tillë. Madje dikush edhe në ditët e sotme mund të jetë duke vuajtur dënimin për diçka që nuk ka bërë, a për diçka që për pjesën tjetër të botës është absurde, por jo për vendin e tij. Një rrëfim të tillë e gjejmë te filmi “Letters from Silivri” nën regji të gjermanit Adrian Figueroa. Në 15 minuta, regjisori përmes letrave të shkruara nga filantropi turk dhe intelektuali i njohur, Osman Kavala, dokumenton kronologjinë e burgimit të tij dhe jetën në Turqi. Kavala ka qenë në burgun “Silivri” që nga 1 nëntori i vitit 2017 sipas autoriteteve për akuza lidhur me protestat e parkut “Gezi”. Vendimi i autoriteteve turke është konsideruar i padrejtë dhe shkelje e të drejtave të njeriut edhe nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës, Komisioni Ndërkombëtar i Juristëve (ICJ), “Human Rights Watch” dhe Projekti i Turqisë për Mbështetjen e Procesit të të Drejtave të Njeriut në Turqi, dhe të gjitha këto kanë kërkuar nga autoritetet turke që ta lirojnë menjëherë mbrojtësin e të drejtave të njeriut, Osman Kavala.
Një betejë për liri në një formë vjen edhe te filmi tjetër, pjesë e garës ballkanike të “A defense”. Brenda 16 minutave regjisorja Aylin Kuryel kap një dramë tjetër që zhvillohet në shtetin turk. Dokumentari shpalos rrëfimin që mori zë në vitin 2015, kur mijëra akademikë nënshkruan një peticion për të kërkuar fundin e dhunës shtetërore në rajonin kurd të Turqisë. Kështu, këta akademikë të paqes janë penalizuar dhe vënë në gjyqe me akuzën për propagandë terroriste. Mënyra e xhirimit nga Kuryl kap atë mjegullën rreth këtij procesi, e paqartësinë. Filmi është një autoportret për dhunën dhe absurditetin e mënyrave në të cilat shteti përgjon shtëpinë e një akademikeje, duke e detyruar atë t’i përshtatë fjalët, trupin dhe gjestet. Filmi bashkë me “Letters from Silivri” dhe “Sigurimi” janë shfaqur të hënën në “Lumbardhi indoor”.
Edhe “Sigurimi” ashtu si “Freestyle to Montenegro”, kapin detaje nga komunizmi. Por, filmi nën regji të shqiptares Luigjina Shkupa që jeton në Itali, ka më shumë ngjashmëri me “Savën”. Shkupa kap bunkerin në këtë rast. Sjell rrëfimet e njerëzve që akoma mbajnë një lidhje me këtë ndërtim të komunizmit. Bunkerët janë gjithandej: në qytete, oborre, varreza dhe sheshe lojërash nëpër mbarë vendin. Pas komunizmit, bunkerët u përdorën në mënyra të ndryshme nga qytetarët shqiptarë: ata u bënë piceri, bare, muze dhe hotele. Madje siç tregohet edhe në film, vende për t’u lutur e për të gjetur strehë barinjtë. Por bunkerët përdoren simbolikisht në këtë film, për të raportuar atë që ka mbetur nga diktatura komuniste.
“Shumë nga turistët që kanë qenë Shqipëri e dinë për bunkerët, mirëpo ka të tjerë që nuk e dinë që ka kaq shumë bunkerë dhe duket absurde. Dhe shumë evropianë nuk e kanë ditur se diktatura ka qenë 45 vjet në Shqipëri dhe tash vendi është në tranzicion. Për shqiptarët mund të jetë diçka e vjetër, por për evropianët ka qenë shumë interesante”, ka thënë regjisorja. I gjithë imazhi i garës ballkanike pritet të plotësohet në ditët në vazhdim, kur do të shfaqet edhe pjesa tjetër e filmave. Në total 14 filma janë pjesë e saj.