Kulturë

Filma e aktivizëm me thirrjen për mbrojtjen e Tokës

Seri aktivitetesh janë mbajtur të premten në Ditën Ndërkombëtare të Tokës, të realizuara nga “DokuFesti” dhe gjimnazi “Gjon Buzuku”. Shfaqja e filmave “I am Greta” për aktivisten e njohur mjedisore të kësaj kohe, Greta Thunberg, si dhe ai vendor “Nostros” i Nazmi Latifit dhe Albulena Kurtit, kanë qenë kryefjalë e programit, i cili pikë kryesore ka pasur edhe mbjelljen e fidanëve

Nxënësit e gjimnazit “Gjon Buzuku” dhe të tjerët, të premten, janë njohur vizualisht me angazhimet e aktivistes mjedisore Greta Thunberg, adoleshentes suedeze që shëtit botën për t’i bindur njerëzit që t’i dëgjojnë argumentet e shkencëtarëve lidhur me ndryshimet klimatike dhe problemet mjedisore në planetin Tokë. Shfaqja e këtij filmi dokumentar ka qenë vetëm njëri prej aktiviteteve të realizuara nga “DokuFesti” dhe gjimnazi “Gjon Buzuku” për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Tokës.

Kjo ditë ka nisur me shfaqjen nga “DokuFesti” të filmit “Nostros” në ueb faqen e “DokuFestit”. Filmi i regjisorëve, Nazmi Latifi dhe Albulena Kurti, i realizuar në vitin 2020, është projekt filmik i paraqitur në kuadër të programit “Future is here” (E ardhmja është këtu) të “DokuFestit”, që synon ndërgjegjësimin e shoqërisë për ruajtjen e mjedisit. Përmes pamjeve që ky dokumentar ofron, shihet qartë se çfarë është duke i shkaktuar natyrës faktori njeri. Dhe shpyllëzimi, ndotja e ajrit dhe e ujit, ngrohja globale, ndryshimet klimatike dhe papërgjegjësia shoqërore janë përmbledhur me një fjalë: Nostros.

Ndërkohë me ndihmën e nxënësve të gjimnazit janë mbëltuar edhe një numër fidanësh. Aksioni për pasurimin e fondit të drurëve ka nisur në Shtegun e gjelbër të vendosur mes Qendrës Evropa dhe Shkollës së Muzikës.

“Kemi vendosur me marrë pjesë në këtë aktivitet, pasi është 22 prilli - Dita e Tokës dhe të gjithë duhet të ndikojmë në mbrojtjen e mjedisit. Posaçërisht të rinjtë duhet të angazhohen më shumë në këtë drejtim pasi jemi e ardhmja e vendit”, ka thënë Edina Krasniqi, nxënëse e klasës së dhjetë në gjimnazin “Gjon Buzuku”.

Ndërsa Zana Arapi-Xheladini nga “DokuFesti” ka theksuar se përfshirja në aksion me nxënësit është pjesë e një sfide të iniciuar nga disa organizata të shoqërisë civile.

“Mbjellja e drurëve është pjesë e sfidës, ku jemi nominuar nga disa organizata të tjera. Ne e kemi pranuar këtë sfidë dhe drunjtë pos në Shtegun e gjelbër, do të mbillen edhe në Kej dhe në njërin prej parqeve të lagjes ‘Ortakoll’”, ka thënë ajo.

Sipas saj, si pjesë e këtij angazhimi është vendosur që të transmetohet online edhe filmi “Nostros”.

“Arsyeja pse kemi përzgjedhur që ta shfaqim filmin ‘Nostros’ në disa terminë, pra në ora 13, 17, 19 dhe 22 është se tema e tij përkon me ditën që shënohet sot, dhe njëherësh është prodhim i Shkollës së Filmit Dokumentar të Dokufestit”, ka deklaruar Arapi-Xheladini.

Si pjesë e projektit “Fabrika Digjitale e Filmit”, të premten mbrëma, është shfaqur edhe filmi tjetër dokumentar “I am Greta”, i regjisorit Nathan Grossman, i cili portretizon aktivisten e njohur mjedisore të kësaj kohe, Greta Thunberg. Ky dokumentar ka profilizuar adoleshenten suedeze, personalitetin e saj si dhe famën e shpejtë që ka arritur, duke u munduar që të vërë në pah problemin e ngrohjes globale dhe të ndryshimeve klimatike. Kësisoj edhe bëhet shembull për shumë të rinj të tjerë anë e mbanë globit, që kërkojnë veprime për adresimin urgjent të çështjes së ndryshimeve klimatike. Por, gjithashtu vërteton se si me ngulm, kurajë e integritet, krahas zemërmirësisë së saj e përkrahjes së prindërve, mund të ngrihet zëri i kërkesës për ndryshim.

Zana Arapi-Xheladini nga “DokuFesti” pohon se edhe shoqëria kosovare duhet të alarmohet për ndryshimet klimatike.

“Vetë ndryshimet klimatike, që veçse po i vërejmë në muajin prill, na tregon se duhet të alarmohemi ashtu siç e thotë edhe Greta se diçka nuk është në rregull dhe se duhet të ndërmarrim masa më adekuate për mbrojtjen e natyrës. Ne si ‘DokuFest’ jemi të përkushtuar që ta ndërgjegjësojmë komunitetin përmes filmit dhe aktualisht ka shumë vepra që i dedikohen kësaj teme, të cilat ne po mundohemi t’i shfaqim përmes programeve të ndryshme”, është shprehur ajo.

Projekti Fabrika Digjitale e Filmit mbështetet përmes pakos për ringjallje ekonomike nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe ka nisur nga muaji shkurt me një program të rregullt të shfaqjeve në kinema dhe përmes ueb faqes së “DokuFestit” me titujt më të fundit të filmave.

Filmat që prezantohen në kuadër të këtij programi janë të kuruar me temat e Ndryshimeve Klimatike, Fuqizimit të Vajzave dhe Barazisë Gjinore, Diversitetit Kulturor dhe Përfshirjes Shoqërore, si dhe Edukimit Mediatik dhe Multimedia. Projekti do të zbatohet deri në qershor të këtij viti.