“Brenda ciklit të financimit të filmit në Kosovë: të njëjtit njerëz trajnojnë, kurojnë, gjykojnë – dhe fitojnë”, është titulli i një artikulli të “Film Industry Watch”, një platformë jo fort e njohur, por që në shikim të parë identifikon figurat e njëjta në skenën e kinematografisë në Kosovë. “Të dhënat publike tregojnë një rrjet të ngushtë profesional, në të cilin drejtues festivalesh shfaqen gjithashtu në role vendimmarrëse brenda Qendrës Kinematografike të Kosovës, ndërsa kineastë të lidhur me ‘DokuFestin’ përfitojnë mbështetje nga QKK”, shkruhet aty. Disa prej atyre që janë përmendur në artikull kanë thënë se nuk ka asgjë të fshehtë në punët që bëjnë
Fundjava e ka gjetur një pjesë të komunitetit kinematografik të Kosovës duke shpërndarë te njëri-tjetri një artikull të platformës “Film Industry Watch” që s’është njohur edhe aq në këto anë. Ka publikuar një tekst pa autor. Është mbështetur në të dhëna publike dhe ka bërë një skanim goxha të saktë sa i përket institucionit më të lartë kinematografik të Kosovës, njerëzve që drejtojnë atë dhe atyre që u financohen projekte nga buxheti i shtetit.
“Brenda ciklit të financimit të filmit në Kosovë: të njëjtit njerëz trajnojnë, kurojnë, gjykojnë – dhe fitojnë”, është titulli i artikullit. Qysh në fjalinë e parë sqarohet se për vite me radhë sektori i filmit në Kosovë ka festuar sukses të shpejtë ndërkombëtar. Tregohet se prodhimet në masë të madhe mbështeten nga fondet publike të administruara nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Në paragrafin e parë po ashtu tregohet se “DokuFest” është festivali më i njohur i vendit që ka evoluar përtej kurimit artistik, duke u zgjeruar në trajnime dhe prodhim përmes “DokuLab”.
“Të marra së bashku, të dhënat publike tregojnë një rrjet të ngushtë profesional, në të cilin drejtues festivalesh shfaqen gjithashtu në role vendimmarrëse brenda QKK-së, ndërsa kineastë të lidhur me ‘DokuFestin’ përfitojnë mbështetje nga QKK. Asgjë nga këto nuk është e pazakontë në tregje të vogla. Pyetja që shtrohet është ajo e transparencës: kur rolet bashkohen brenda një ekosistemi të financuar me fonde publike, si identifikohen, menaxhohen dhe bëhen publike konfliktet e interesit?”, shkruhet në artikull. Kjo platformë sqaron se që nga viti 2023, sektori i filmit në Kosovë i financuar nga fondet publike ka përjetuar ndryshime të ndjeshme. Shkruhet se nën udhëheqjen e re të Qendrës Kinematografike të Kosovës janë zhvilluar tri cikle të mëdha financimi si thirrja e pranverës 2024, një thirrje të paprecedentë vetëm për filma të gjatë artistikë në dhjetor 2024, si dhe thirrjen e plotë të pranverës 2025.
“Nëpër këto cikle, të dhënat publike tregojnë një konstelacion marrëdhëniesh midis vendimmarrësve të QKK-së, udhëheqjes së “DokuFest/DokuLab” dhe një grupi përfituesish të përsëritur, bashkëpunimet, rolet e tyre trajnuese dhe lidhjet me festivalet e të cilëve mbivendosen ndjeshëm”, shkruhet në artikull. Shpejt sqarohet diçka.
“Asnjë nga këto lidhje nuk nënkupton shkelje apo keqpërdorim. Megjithatë, këto modele ngrenë pyetje strukturore të qeverisjes, të njohura për lexuesit e ‘Film Industry Watch’: çështje të transparencës, përjashtimit nga vendimmarrja dhe menaxhimit të konflikteve të pretenduara apo të perceptuara të interesit në financimin publik”, shkruhet në artikull. Jepet një sqarim shtesë duke treguar se dinamika të ngjashme kanë dalë në pah edhe në raportimet për Qendrën e Filmit në Greqi, modelin e ‘Cannes Factory’ dhe shumë institucione e organizata të tjera.
Platforma më pas ka ndërtuar skemën nëpërmjet emrave edhe pozicioneve të tyre.
Eroll Bilibani prej sivjet është kryetar i Këshillit Profesional të QKK-së – organ këshillëdhënës – udhëheqës i “DokuLab”, ku është edhe trajnues, një prej drejtuesve të “DokuFest”-it dhe disa kineastë që ai ka trajnuar ose me të cilët ka bashkëpunuar janë përfitues të mbështetjes nga QKK-ja.
Nita Deda është anëtare e Këshillit Profesional të QKK-së, nga viti 2016 deri më 2020 drejtoreshë e “DokuFest”, bashkëkuratore e “DokuNights” më 2025 me kineastin Leart Rama, i cili përfiton nga fondet e QKK-së dhe Deda është edhe ish-producente e një filmi të shkurtër të tij. Platforma shkruan se Blerta Zeqiri është drejtoreshë e QKK-së, ish-ligjëruese në “DokuLab”, ku tash disa nga ata që ajo ka trajnuar kanë marrë financim nga institucioni shtetëror që drejton. Platforma shkruan se Veton Nurkollari është drejtor artistik i “DokuFest”-it, anëtar i Komisionit të vizionimit në QKK e ish-anëtar jurie në këtë institucion.
Lista e atyre që lidhen me “DokuFest”-in e derivatet e këtij festivali që kanë ose financohen nga QKK-ja, ose që punojnë për filmat që mbështeten nga ky institucion, është më e gjatë duke përfshirë regjisorin Samir Karahoda, montazherin Enis Saraçi pastaj Valmira Hysenin, Ilir Hasanajn e Dea Gjinovcin.
“Këto mbivendosje nuk nënkuptojnë sjellje të pahijshme ose shkelje. Megjithatë, siç ka vërejtur ‘Film Industry Watch në raste të ngjashme që përfshijnë institucione publike të filmit, problemet lindin kur rolet bashkohen pa procedura të publikuara për përjashtim nga vendimmarrja”, shkruhet në artikull. Në artikull bëhet edhe një shpjegim.
“Ky artikull bazohet vetëm në informacione publike dhe dokumente të ofruara nga burimet.
Raportohen fakte të verifikuara dhe shtrohen pyetje mbi konflikte të pretenduara strukturore ose të perceptuara të interesit në një mjedis të financuar me fonde publike. Nuk bëhet asnjë akuzë për sjellje të paligjshme. “Të gjithë personat dhe institucionet supozohen se kanë vepruar ligjërisht dhe në mirëbesim, përveç rasteve kur provohet e kundërta. ‘Film Industry Watch’ do ta përditësojë këtë raport nëse ofrohen korrigjime të besueshme ose deklarata zyrtare”, sqarohet krejt në fund.
Ajo çfarë ka raportuar kjo platformë është diçka krejt e ditur publikisht në vend. “DokuFest” është festivali më i rëndësishëm i filmit në vend dhe me alamet peshe jo veç për Kosovën, por edhe për rajonin. Përtej diplomacisë kulturore shërben edhe si platformë për talentet e reja. Kurse personat që përmenden në artikull janë profesionalisht të dëshmuar në profesionin e vet. Samir Karahoda, i cili punon për “DokuFest”-in dhe projektet e të cilit financohen nga QKK-ja, e ka dërguar Kosovën në konkurrencën zyrtare të “Berlinales” e po ashtu dy herë në konkurrencë zyrtare për “Palmën e Artë”, në Cannes. Enis Saraçi, i cili ka përfunduar studimet në FAMU në Pragë, angazhohet në “DokuFest” e po ashtu monton filma edhe të Karahodës. Në rastin e kësaj dysheje aktualisht në Kosovë janë të pakonkurrencë në zanatin e tyre. KOHA vazhdimisht ka raportuar për telashet e QKK-së, prej atyre financiare, më pas me konkurset e deri te mospasja e një kandidati për “Oscar” tash e tre vjet.
KOHA ka komunikuar me disa prej atyre që përmenden në artikull. Qendra Kinematografike e Kosovës dhe Ministria e Kulturës s’kanë pasur përgjigje. Kurse Samir Karahoda s’e ka parë të rrugës të komentojë gjatë.
“Unë nuk do të doja të diskutoja diçka që vjen nga një artikull anonim dhe nga një platformë pa kredibilitet. Me gjasë, suksesi dhe puna jonë e pandalshme po i pengojnë dikujt, andaj nuk dua të komentoj më tepër”, ka thënë ai.
Kurse Eroll Bilibani ka thënë se të gjitha funksionet profesionale të përmendura në artikull – përfshirë trajnimin, kurimin, mentorimin dhe pjesëmarrjen në juri – janë publike, të deklaruara dhe transparente. Sipas tij, nuk ka asnjë proces të fshehur apo informal.
“Këto role shpallen dhe dokumentohen hapur dhe janë pjesë e praktikave standarde në industrinë e filmit, si në Kosovë ashtu edhe ndërkombëtarisht”, ka thënë ai. Sipas Bilibanit, Qendra Kinematografike e Kosovës vepron mbi bazën e rregullave të qarta dhe formale për konfliktin e interesit.
“Të gjithë vendimmarrësit janë të obliguar të nënshkruajnë deklarata për konflikt interesi dhe çdo person me konflikt të mundshëm përjashtohet nga proceset e përzgjedhjes, vlerësimit apo vendimmarrjes për projektet e financuara. Këto procedura janë institucionale, të detyrueshme dhe zbatohen në mënyrë të vazhdueshme”, ka thënë ai. Në këtë rast ka shtuar se personat e përmendur në artikull janë profesionistë të njohur dhe të vlerësuar ndërkombëtarisht, të konfirmuar përmes punës së tyre me festivale të mëdha ndërkombëtare të filmit, tregje, institucione filmike dhe organizata kulturore. Sipas tij, angazhimi i tyre në role profesionale si trajnerë, kuratorë apo mentorë pasqyron ekspertizë dhe standarde ndërkombëtare dhe nuk përbën shkelje apo parregullsi.
“Po ashtu është e rëndësishme të theksohet se artikulli është publikuar në një platformë anonime të një pale të tretë, e cila nuk pretendon se ka zhvilluar një hetim, nuk identifikon shkelje ligjore apo institucionale dhe nuk paraqet asnjë konstatim për keqbërje. Artikulli mbështetet në interpretime dhe supozime mbi informacione publike dhe jo në prova të shkeljeve konkrete të rregullave apo ligjit”, ka thënë ai. Bilibani ka treguar se mbeten të përkushtuar ndaj transparencës, llogaridhënies dhe praktikave etike.
“Puna jonë, vendimmarrja dhe procedurat tona janë të dokumentuara dhe të qasshme përmes kanaleve zyrtare, si dhe të rregulluara nga kornizat ekzistuese të qeverisjes dhe ligjit. Kurse publikimet anonime apo të paverifikuara nuk i konsideroj si bazë të shëndoshë për debat publik dhe nuk do të angazhohem më tej në reagime ndaj tyre”, ka thënë ai.