Nexhmije Pagarusha thotë se i duket e çuditshme që ka nisur të këndonte. Kishte qenë një 15 a 16vjeçare e ardhur në Prishtinë me një rutinë monotone ditësh: shtëpi... shkollë... shtëpi, shkruan sot Koha Ditore.
Në shtëpi nuk kishin as radio dhe ajo nuk kishte as ku të dëgjonte ndonjë këngë të re sa për ta zhvilluar shijen muzikore. E, megjithatë, një njohje e zakonshme do t’ia zbulonte talentin për të kënduar. Në ndonjë ditë që mund të ketë qenë me diell a me shi, në pranverë a në vjeshtë, Nexhmije Pagarusha do ta merrte një ofertë që do t’ia ndryshonte jetën.
Melihate Hasani ishte arsimtarja e saj e anglishtes dhe një këngëtare e formuar, e cila mund t’ia kishte vërejtur talentin nxënëses, kështu që po e ftonte për t’i kënduar zërat dytësorë gjatë një incizimi në radio. Nexhmijes sot nuk i kujtohet fort ai takim me arsimtaren e saj. Mirëpo, ajo dhe të tjerët e dinë se pas atij incizimi, pas asaj dite, do të formësohej një ndër karrierat më të ndritshme të një artisteje shqiptare.
“Po jo, unë çudi qysh ia kom nisë me knu. Melihate Hasani u konë ajo... ka dhanë anglisht n’gjimnaz. Atëherë, n’atë kohë n’çfarë familje ka qenë ajo, sigurisht naj familje e ngritur e Prishtinës, edhe knojke bukur edhe u takojshim shpesh ,se une pi qasaj rruge shkojsha n’qytet edhe ajo,... edhe knojke ajo e unë ia nisa me përcjellë - merre me mend unë, zonin e dytë që kurrë s’kom ndigju as muzikë as, hiç, as radio, s’kom ditë çfarë osht bile... Edhe ajo tha: ‘Hej’ – tha – ‘hajde me knu n’radio’... ‘Jo’, thashë, ‘çfarë radio. Unë s’di me knu”... Edhe boni, shka boni, m’çoi, edhe ata m’provun... Edhe atëherë n’ora 5 u dufke me shku, kur e kishin emisionin me knu pa (asgjë v.j.), veç mikrofon edhe me orkestër gjallë. Qashtu kom knu atëhere. E pse qysh, qysh unë as s’kom digju muzikë, as s’jom shoqnu as nuk e di. N’5 edhe s’e kom ndi randë aspak hiç. Qaty e kemi pasë qat rrugën ku osht shkolla teknike, qatje dikun. U çojsha, shkojsha, kurrë s’u vonojsha, as kurrë ‘kik’ s’kemi ba”, thotë ajo me habi.
(Shkrimin e plotë mund ta lexoni sot në gazetën “Koha Ditore”)