Kulturë

Filharmonia në njëzet minuta harmonizon Kuvendin

Deputetët e zyrtarët shtetërorë, të premten në ditëlindjen e shtetit, i ka bashkuar muzika. Intro para seancës solemne ka qenë koncerti i Filharmonisë së Kosovës. Ka nisur me himnin, për të vazhduar “Shotë e Azem Galica” të Nikolla Zoraqit, me “Bareshën” e Rexho Mulliqit dhe “Ode gëzimit” të Beethovenit, si himn i Evropës, aty ku vendi aspiron kaherë. Por njashtu si në muzikë, harmonia është e domosdoshme edhe në politikë. Ky ka qenë mesazhi që kanë përcjellë muzikantët dhe së paku për nja njëzet minuta Kuvendi e ka ndier atë

Deputetëve e Qeverisë u ka rënë shpesh të ngrihen në këmbë kur Orkestra e Filharmonisë ka nisur intonimin e himnit shtetëror. Por në ditën kur Kosova ka shënuar jubileun e 15 vjetëve shtet, presidentja, deputetët e kabineti qeveritar janë ngritur në këmbë para Orkestrës në Kuvendin e Kosovës.

Anëtarët e Orkestrës kanë zënë vend te pjesa ku ulet kabineti qeveritar, përballë udhëheqësve shtetërorë, ku i pranishëm ishte edhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj. Ky formacion i Filharmonisë së Kosovës nëpërmjet tri veprave ka bërë që Kuvendi të ngjajë me një sallë solemne të koncerteve. Një harmoni të tillë në lojë, ajo sallë s’e përjeton rëndom.

Dueti nga baleti “Shotë e Azem Galica” ka hapur koncertin e Orkestrës në Kuvend. Vepra e Nikolla Zoraqit nis me temp të shpejtë sikurse ndonjë muzikë betejash. E ky vend betejat i ka pasur të shumta e të gjata deri në ditën e 17 shkurtit 2008 kur edhe po në atë Kuvend është shpallur Pavarësia. Këtij dueli i mungonin vetëm balerinët, por edhe si vepër muzikore ka primatin që në një datë historike të imponojë reminishenca për të pasur ndjesinë e shumë dueleve që kanë kaluar qytetarët e shtetit më të ri të Evropës.

Të prirë nga dirigjenti Gridi Kraja, Orkestra ka bërë që ky rrugëtim i shkurtër muzikor të duket si një koncert i gjatë. Aranzhuar nga Kraja, “Baresha” e Rexho Mulliqit ka sjellë një tjetër frymë në Kuvendin e Kosovës, paraditen e së premtes. Kjo vepër me tingull fort burimor shqiptar, që shpesh konsiderohet edhe kompozimi më emblematik në këto anë, ka bërë që të lëvizë fort gjuha e trupit edhe tek ata deputetë që kurrë nuk shihen nëpër koncertet e Filharmonisë së Kosovës. “Baresha” ka futur harmoninë në Kuvend. Koncerti është ndjekur edhe nga shumë mysafirë, si diplomatë e politikanë të rajonit.

Flautistja Venera Kajtazi ka qenë e ulur në karrigen e kryeministrit. E kryeministri aktual ishte përballë saj krahas me udhëheqësit e tjerë shtetërorë. Me të përfunduar koncerti ajo ka përshëndetur nga afër kryeministrin Kurti. Ka pasur edhe porosi për të. I ka rekomanduar që në politikë shpesh të sillet në harmoni sikurse bën Orkestra.

“Si muzikante bashkë me kolegët secili e kemi mendimin tonë për çështje të caktuara, por për një vepër të mirë muzikore ne bashkohemi të gjithë. Këtë porosi e kam edhe për deputetët”, ka thënë ajo. Sipas saj, secili e ka mendimin e vet, por kur bëhet fjalë për mirëqenie e për Kosovë, duhet të bashkohen e të mos përplasen fort në Kuvend.

“Po të isha kryeministre këtë do ta tentoja dhe do ta bëja”, ka thënë ajo. Edhe “Baresha” pak a shumë këtë mesazh e ka. Versioni i luajtur krijon më shumë hapësirë për frymorët, gjë që e bën veprën të nxjerrë në pah edhe më shumë nuanca.

Image
Një harmoni të tillë në lojë, kjo sallë s’e përjeton rëndom

Dirigjenti Gridi Kraja ka thënë se ishte një ndjesi e mrekullueshme, pasi bëhet fjalë për një jubile shumë të rëndësishëm.

“Është një festë dhe është paqe. Është festë paqeje e gërshetuar me muzikë. Ishte më e veçantë, pasi programi ishte i përzgjedhur për të tingëlluar shqip dhe është muzikë e gjenit tonë”, ka thënë Kraja, i cili është bërë bashkëpunëtor i shpeshtë i Orkestrës së Filharmonisë.

“Ode gëzimit” e Ludwig Van Beethoven, nën aranzhim të Emir Nuhanoviq, ka rrumbullakuar festën në Kuvendin e Kosovës. Kjo vepër luhet gjithandej botës nëpër jubile të rëndësishëm, ku festohen arritje të mëdha edhe globale.

“Oda e gëzimit”, që është edhe himni zyrtar i Evropës, ka qenë vepra kryesore e interpretuar prej Filharmonisë së Kosovës edhe në koncertin e luajtur vetëm katër orë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, të dielën e 17 shkurtit të vitit 2008 në sallën “1 Tetori” në Prishtinë. Asokohe presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, do të thoshte se Kosovës i duhet edhe integrimi politik në Evropë, pasi që, sipas tij, me kulturë ky integrim ka ekzistuar qëmoti. Kosova atë ditë ende nuk kishte himn. Ai do të miratohej tek më 11 qershor të atij viti, kur u votua vepra e kompozuar nga Mendi Menxhiqi. Në atë koncert qe sjellë premierë edhe “Simfonia nr.1” e Rexho Mulliqit, e konsideruar e humbur.

Solisti e koncert-mjeshtri Visar Kuçi ka thënë se është ndjenjë e mirë prezenca në momente ku shënohen arritje e suksese jubilare.

“Ne jemi në gjendje si institucion ta japim kontributin tonë dhe ta shfaqim një tjetër pasqyrë të shtetit. E bëjmë të njëjtën si Kuvendi, pasi edhe ne jemi prezantues të shtetit”, ka thënë Kuçi.

Por në institucionin ku kanë luajtur instrumentistët, rrallë flitet për Filharmoninë e Kosovës. Madje, Filharmonia tash e më shumë se 20 vjet është pa shtëpi të sajën e pa sallë ku mund të mbajë ushtrime dhe hapësirë për të dhënë koncerte. Përgjegjësinë më të madhe për këtë e mbajnë krejt politikanët që për më shumë se dy dekada kanë frekuentuar sallën e Kuvendit shkaku i punës së tyre. Për Filharmoninë ende nuk ka ndonjë ide se ku do të mund të vendoset në të ardhmen.

Deputetët edhe në vitin 2018 ishin përballur me një ansambël instrumentistësh. Por asokohe artisti Sislej Xhafa kishte futur në Kuvend veprën “Again and again”, duke bërë që edhe maskat të jenë në Kuvend. Instrumentistët mbanin maska në atë vepër. Ato asocojnë me periudhat në të cilat ka kaluar Kosova bashkë me paraqitjen e parë të UÇK-së në publik, ku mbanin edhe maska. Përtej saj kishte ngacmuar edhe maskat e politikës. E janë pikërisht maskat e politikës që për dy dekada kanë premtuar hapësira për institucionet e Kosovës e nuk i kanë bërë ato.

Por Filharmonia, pavarësisht kushteve, mbetet një prej krenarive të shtetit. Edhe pse shteti nuk kujdeset për të sa duhet. Institucioni e lë anash këtë fakt, duke çuar përpara mesazhe paqeje.

{gallery}