Kulturë

Filharmonia me vepra sfiduese në homazh të viktimave

Filharmonia

Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, nën dirigjimin e Antoine Marguier, ka shëtitur publikun nëpër vepra botërore. Të dielën mbrëma, bashkë me solisten Besa Llugiqi, Orkestra ka interpretuar veprën “Laudatatio funebris” për soprano dhe orkestër harqesh nga kompozitori kosovar Rafet Rudi, që u është dedikuar viktimave të luftës në Kosovë, veçanërisht fëmijëve, fati i të cilëve është segmenti më i trishtë i tragjedisë së fundshekullit të kaluar. Vepra e përbërë edhe nga vargjet e poemës “Lum Lumi” të poetit Ali Podrimja vjen si monument i shprehjes së dhimbjes për humbjen e fëmijës

Tinguj të pakoordinuar mes vete të violonçelave, flauteve e violinave dëgjoheshin nga skena e prapaskena e qendrës “Bogdani Polis” dhe i shoqëronin mysafirët derisa rehatoheshin në vendet e tyre. Ishin “provat” e fundit para koncertit të Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës. Fiks në orën 20:00, instrumentistët u pozicionuan në formë harku dhe prisnin t’u bashkohej edhe udhëheqësi i tyre. Dritat e publikut u fikën dhe Orkestra u kompletua me dirigjentin zvicerano-francez Antoine Marguier.

Marguier ka dirigjuar orkestra ndër më prestigjiozet në botë, si atë të Marsejës, Gjenevës, Tokios, Pekinit, Bangkokut e shumë të tjera. Ndërsa listës së gjatë të orkestrave që u ka prirë ai iu shtua edhe ajo e Filharmonisë së Kosovës.

Me “Crystal Palace Overture” të kompozitorit nga Malta, Alexey Shor, u hap seria e veprave të luajtura për publikun adhurues të koncerteve të muzikës klasike.

Çdo vepër që përfundonte, sillte një mal duartrokitjesh nga publiku, që e rikthenin dirigjentin Marguier në përulje falënderimi për disa herë para të pranishmëve.

“Me instrumentistët e Orkestrës së Kosovës kam punuar për një javë, janë me shumë potencial. Kjo është hera e parë që kam udhëhequr këtë orkestër. Edhe publiku ishte shumë entuziast. U ndjeva shumë mirë kur ata duartrokisnin dhe ngriheshin në këmbë, e ndieja audiencën edhe me shpinën e kthyer nga ta. Ishin të vëmendshëm dhe dëgjues shumë të mirë”, ka thënë dirigjenti Antoine Marguier.

Image

Më pas koncertit i është bashkuar solistja Besa Llugiqi duke interpretuar “Laudatatio funebris” për soprano dhe orkestër harqesh nga kompozitori kosovar Rafet Rudi, që u është dedikuar viktimave të luftës në Kosovë, veçanërisht fëmijëve, fati i të cilëve është segmenti më i trishtë i tragjedisë së fundshekullit të kaluar. Vepra e përbërë edhe nga vargjet e poemës “Lum Lumi” të poetit Ali Podrimja vjen si monument i shprehjes së dhimbjes për humbjen e fëmijës.

Me zërin që herë prekte notat më të larta e herë ulte gradualisht intensitetin deri te shuarja, sopranoja ka futur publikun në një udhëtim të trishtë.

Llugiqi ka interpretuar në disa skena evropiane të muzikës klasike, si në Bullgari, Poloni e Venecia. Për të është ndjenjë e veçantë performimi para publikut vendës, teksa shprehet e emocionuar për mesazhin që përçon performanca e saj.

“Mendoj se është një vepër jashtëzakonisht e bukur dhe prekëse, shumë e ndjeshme në interpretim. Përveç vështirësive teknike që ka, është mesazhi që përçon, ajo e bën edhe më dramatike dhe më tragjike veprën në të njëjtën kohë. Është një poezi që flet për humbjen e fëmijës, është një vaj i nënës i përshkruar në poezinë e Ali Podrimjes”, ka thënë ajo. Ka treguar se e ka pasur të vështirë t’i përmbajë emocionet për shkak të mesazhit që përcjell tek publiku. Deri në prapaskenë Llugiqin e shoqëruan duartrokitjet e publikut, të cilat njëherësh mirëpritën një tjetër soliste.

Artemida Qarri-Haxhiaj me elegancë luajti pjesë të Koncertit për piano nga kompozitori dhe pianisti rus Dmitri Shostakovich. Interpretimi i saj në piano harmonizohej në të njëjtën kohë me tinguj violonçeli e flaute. Publiku e ktheu edhe pianisten Qarri-Haxhiaj disa herë në skenë me duartrokitje, gjë për të cilën ajo ka thënë se është mënyra më e mirë e shpërblimit të punës që bëhet gjatë gjithë vitit. Është shprehur e privilegjuar për të qenë në të njëjtën skenë me dirigjentin Marguier.

“Të interpretosh me instrumentistë të nivelit të tillë është privilegj, mundësi dhe përmbushje shpirtërore. Numri i madh i publikut, duartrokitjet dhe mbështetja e tyre, për neve si artistë është ‘feedback’ për gjithë punën tonë të gjatë që bëjmë gjatë gjithë vitit për ta përmbyllur të gjithën në një mbrëmje”, ka thënë ajo, ndërsa shprehet se të jesh nën drejtimin e një dirigjenti me renome botërore të jep kënaqësi.

Dirigjenti Marguier, siç edhe pohoi për KOHËN se kishte kaluar mjaft mirë me instrumentistët e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës, e dëshmoi edhe para publikut në disa momente që sikur thyen zymtësinë e seriozitetit mes tingujsh. Për shaka, u kërkon atyre të ulen e të ngrihen brenda një kohe shumë të shkurtër, sa për të krijuar një lloj interaktiviteti të tij me anëtarët e orkestrës, e me këtë rast edhe me publikun.

Sapo bie tingulli i fundit në përmbyllje të koncertit të Orkestrës, heshtjen e thyejnë duartrokitjet e publikut që ngrihet në këmbë për virtuozët që shndërruan një pjesë të katedrales “Nënë Tereza” në kryeqendër të muzikës klasike në mbrëmjen e së dielës. Festivalet e koncertet në Kosovë së fundmi kanë sjellë virtuozë botërorë të muzikës klasike në kushte jo të denja, në kryeqytetin pa asnjë sallë koncertale.

Dirigjenti zvicerano-francez, Antoine Maguier, e filloi karrierën e tij si bas klarinetist në “Orchester de la Suisse Romande”, ndërsa si dirigjent, për herë të parë drejtoi Orkestrën Kombëtare në Lion në vitin 2009. Ai themeloi Orkestrën e Kombeve të Bashkuara, që më pas u emërua si “Orkestra e Kombeve” më 2019. Aktualisht Marguier është ligjërues i muzikës në “Haute Ecole de Musique de Geneve” dhe drejtor muzikor i “Geneva Conservatory Orchestra”. E të dielën në Prishtinë përvojën e tij e dëshmoi bashkë me Orkestrën duke sjell një koncert, midis të tjerash, edhe homazh për fëmijët e vrarë në luftë.