Kulturë

Filharmonia me “Për stinët...” kërkon veprime ndaj ndryshimeve klimatike

Vepra klasike “Katër stinët” e Antonio Vivaldit, që inspirimin e gjeti te natyra, është përditësuar për të reflektuar sesi ndryshimet klimatike do të ndryshojnë botën në të ardhmen. Nëpërmjet tingujve tregohet për stuhitë e fuqishme, zjarret e furishme dhe qetësinë e plotë kur uji i deteve mbulon qytete të tëra. Filharmonia e Kosovës të dielën, nëpërmjet interpretimit të veprës së rishkruar, ka bërë thirrje për ndërgjegjësim dhe veprim ndaj ndryshimeve klimatike

Koncerti i Orkestrës së Filarmonisë së Kosovës të dielën nisi me një videomesazh nga një specie e zhdukur. Dinozauri i famshëm, personazhi i filmit të shkurtër të realizuar nga UNDP-ja, shihet duke hyrë brenda sallës ikonike të Asamblesë së Përgjithshme në zyrën kryesore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York, me një mesazh të veçantë për të gjithë diplomatët që akoma mendojnë se ka kohë për veprime karshi ndryshimeve klimatike.

“Ne të paktën mund të fajësojmë meteorin”, thotë ai duke iu referuar teorisë së njohur që sqaron shfarosjen e dinozaurëve 70 milionë vjet më parë. “Por cila është arsyeja e juaj”, pyet ai duke potencuar se bota po shkon drejt një katastrofe klimatike dhe se ka ardhur koha që të lihen pas arsyetimet dhe të fillohet e të veprohet. As pjesa tjetër e skenarit nuk u largua nga thirrja e dinozaurit.

Ishte Maria Suokko, përfaqësuese e përhershme e UNDP-së në Kosovë ajo që shpalosi programin e koncertit të së dielës që nisi me veprën “Simfonia Pastorale” të Ludwig van Beethoven.

“Orkestra e Filharmonisë së Kosovës i është bashkuar thirrjes së UNDP-së për veprime karshi ndryshimeve klimatike duke luajtur rikompozimin e veprës ‘Katër stinët’ të Vivaldit. Në anën tjetër, Beethoven dikur ka thënë se ‘muzika mund ta ndryshojë botën’ dhe unë pajtohem me këtë”, ka thënë ajo duke dhënë pastaj më shumë informata në lidhje veprën kryesore të mbrëmjes.

Në origjinal, “Katër stinët” e Antonio Vivaldit flet për ndryshimet sezonale. Pak a shumë për lidhjen e njerëzve me natyrën. Mirëpo vepra e kompozitorit italian është parë si brumë i duhur për të treguar edhe të ardhmen. E mbushur me të dhëna kompjuterike mbi ndryshimet klimatike, vepra pëson një transformim i cili vjen si thirrje për ndërgjegjësim e veprim karshi ndryshimeve klimatike. Pikërisht këtë rikonfiguracion të veprës e ka interpretuar Filharmonia e Kosovës të dielën nën dirigjimin e italianit Giulio Arnofi. Ai erdhi për herë të parë në Kosovë.

“Sonte kemi pasur një vepër të mrekullueshme, atë të Vivaldit, por në një mënyrë të veçantë të aranzhuar për orkestra të mëdha e që vë theksin te ndryshimet klimatike. Kompozuesit dhe muzikantët e rinj kanë vendosur të vepra e Vivaldit ngjyra dhe tinguj të tjerë dhe disa e kanë njollosur atë për të provokuar një tingull të ri që është irritues, pasi që kështu është ndryshimi klimatik dhe qëllimi i kësaj vepre është i veçantë dhe shumë i rëndësishëm”, ka thënë Arnofi.

Sipas tij, vepra është më e fuqishme dhe ngjall ndjenja të reja më të fuqishme pasi që ka edhe më shumë instrumentistë të përfshirë në interpretimin e saj. Edhe ai njëlloj si orkestra e Kosovës u njoftua për herë të parë me këtë vepër gjatë përgatitjeve për këtë koncert.

E titulluar "Për stinët: Ndryshimet klimatike (294 vjet më vonë)”, vepra muzikalisht shpalos fakte mbi ndryshimet klimatike të mbledhura prej vitit 1725. Ajo u realizua nga muzikantët e “NDR Elbphilharmonie” në Hamburg, inxhinierë zëri, zhvillues softuerësh dhe aranzhues muzikorë.

Vepra është e ngarkuar nga të dhënat në lidhje me lirimin e dyoksidit të karbonit në nivel global, të cilat janë shpërndarë gjatë kohëzgjatjes së veprës. Në këtë formë, sa më e lartë të jetë vlera e dyoksidit të karbonit, aq më e gjatë është vlera e notave muzikore. Meqenëse lirimi i dyoksidit të karbonit është vazhdimisht në rritje, koha e fundit e veprës “Dimri” tingëllon gjithnjë e më e dhunshme dhe intensive.

Muzikanti Tomor Kuqi ka thënë se vepra “Për stinët” ishte mjaft sfiduese për të si dëgjues.

“Sidomos duke marrë parasysh aspektin muzikal ku ti pret me dëgjua diçka tjetër e vepra shkon tjetërkah. Pra, në këtë aspekt ishte goxha një eksperiencë e veçantë për mua pasi që e njeh ndonjë moment të veçantë të veprës dhe e pret që do të ndodhë një temë e caktuar muzikore, por ajo shkon tjetërkah. Në të njëjtën kohë një mënyrë shumë e mirë që na bën me reflektua se çfarë po ndodh. Por për mua posaçërisht i theksuar ishte ky elementi i habisë”, ka thënë ai.

Për shkak se ndryshimet klimatike do të kenë efekte të ndryshme në mbarë globin, ekipi krijoi rreth 1 mijë partitura unike, të personalizuara për çdo orkestër kryesore në botë. Ato bazohen në modelet rajonale të motit, në grupet e të dhënave gjeohapësinore dhe në raportet e Panelit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike të OKB-së.

Drithëruese e mjaft të zymta ishin edhe të dhënat për vendin. Për shembull, origjinali i Vivaldit përfshinte këngë zogjsh për të përfaqësuar pranverën, së bashku me elementë të tjerë që përfaqësonin secilën nga stinët që ai vlerësonte. Të dielën, asnjë tingull shpendësh nuk u dëgjua.

Kompozitorit dhe multi-instrumentisti Liburn Jupolli ka thënë se vepra e Vivaldit, një ndër veprat me të dëgjuara dhe të preferuara të muzikës klasike, është një zgjedhje fenomenale për të potencuar faktin se bota është duke shkuar drejt katastrofës klimatike nëse nuk bëhen ndryshime të menjëhershme.

“E kemi një metamorfozë ekstreme të veprës ku e dëgjojmë shumë qartë se çfarë po i ndodh botës përmes këtij transformimi nga vepra origjinale në të renë. Është një përjetim shumë i veçantë, në të njëjtën kohë shumë interesant dhe gjithçka që ndodh brenda veprës është shumë e bukur pasi që po flasin për një vepër e cila është shumë e njohur, estetikisht e pranuar nga publiku i gjerë dhe tani kjo është një përvojë specifikisht për publikun që e njeh veprën. Është një shokim total”, ka thënë ai. Ka shtuar se realisht këtë duhet për të pasur si efekt për një ngjarje sensibilizuese si kjo.

“Me e pru publikun në atë gjendje ku kuptohet shumë qartë, thellësisht dhe saktësisht problematika e një çështjeje siç është krejt ky ndryshim klimatik që po ndodh qe sa vite”, ka përfunduar Jupolli.

Në vend që të dëgjoni telat duke luajtur atë që tingëllon si një stuhi e lehtë, mund të dëgjohet një përsëritje e saj që ilustron reshjet ekstreme që do të përjetojnë disa qytete. "Pranvera" e gëzueshme e Vivaldit nuk është më e tillë. E "Vera " që fillimisht përfaqësonte një fshatar që dremiste paqësisht në pasdite, tani është si një ëndërr e mbushur me ankth në një kohë kur zjarret, uraganet, varfëria dhe fatkeqësitë e tjera bëhen gjithnjë e më të zakonshme.

Për dëgjuesit, melodia e njohur, që kthehet në diçka shqetësuese shërben si një paralajmërim se si mund të ndihet bota nëse nuk bëhet asgjë për të parandaluar skenarin më të keq.

Violinisti Visar Kuqi, solist i mbrëmjes, ka thënë se për herë të parë kur e ka dëgjuar veprën ishe shokuar.

“Ka qenë diçka që të bën me e kuptua se çka po ndodh me klimën, të futë pak në atë botë, por në anën tjetër muzikalisht ka qenë shumë e vështirë për ta përballuar pasi që jemi mësuar gjithmonë me e dëgjua Vivaldin në formën origjinale dhe muzikën e tij e njoh dhe veprën e kam luajtur, pra kjo ka qenë diçka e re”, ka thënë Kuqi duke shtuar se pasi kishte marrë dhe analizuar veprën kishte filluar që t’i pëlqente. “Dhe mendoj se si ide ka qenë diçka gjeniale”, ka theksuar ai.

Kuqi mendon që audienca të jetë larguar me një përvojë të thellë emocionale që motivon veprime urgjente karshi ndryshimeve klimatike.

“Ne njerëzit e kemi një të keqe që derisa nuk ndodh katastrofa nuk reagojmë. Çka po bëhet në botë, çka po bën Greta Thunberg dhe gjithë aktivistët e tjerë është se po mundohen me na tregu që situata nuk është e mirë. E kur e merr një vepër të tillë që krejt njerëzit e njohin, e secili e ka si vepër me të dashur e që e dëgjojnë shpesh dhe kur ua shkatërron këtë vepër dhe ata e vërejnë, aty fillon me ndryshua ndoshta pak qasja dhe perceptimi i asaj që po ndodh dhe ndryshimeve ekstreme”, ka thënë ai.

Po nuk u ndërmor diçka, paralajmërimi që jep vepra për atë që vjen është i tmerrshëm.

Vepra “Për stinët” ka rezultuar nga iniciativa e muzikantëve të “NDR Elbphilharmonie” dhe Jung von Matt Spree.