Viti 2000. Në Kosovën e pasluftës u zgjuan shpresat për rikthimin e një jete kulturore e cila kishte ngecur. Aktivitetet ishin pezulluar për 10 vjet me radhë.
Ishte koncerti i parë i organizuar nga bashkimi i forcave të artistëve të vendit, të cilët, të prekur nga rrethanat e vështira politike ishin të etur t’i riktheheshin asaj që ata dinë të bëjnë më së miri: Instrumentit, skenës. Programi që ata kishin zgjedhur dhe interpretimi të cilin realizuan dëshmuan rezultate tërheqëse dhe të padiskutueshme për të ardhmen e muzikës profesionale në vend. Dhe kështu, nga ajo ditë, Kosovës iu shtua një institucion tejet i rëndësishëm, i cili u shndërrua në faktor kyç për kulturën – Filharmonia e Kosovës.
Ngjallja e emocioneve në kohë amullie
Në 20-vjetorin e themelimit të Orkestrës, ne do të duhej të shfrytëzonim shansin për të kremtuar pararendësit e saj, ata të cilët ngjallën emocione të jashtëzakonshme atëherë kur amullia shoqëronte secilën ditë të jetës në vend.
Nën drejtimin e profesor Bahri Çelës u jetësua orkestra e Filharmonisë së Kosovës, e cila tashmë kishte shansin t’u ikë hijeve të së kaluarës dhe sot vazhdon të rrisë nivelin performues e paralelisht të zgjerojë repertorin e saj.
Ky institucion sot operon nën divizionin e Arteve Skenike-Muzikore dhe Pamore të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila mbikëqyr atë në aspektin administrativ, menaxherial dhe financiar, e megjithatë Filharmonia e Kosovës krahas të qenit institucion bartës i kulturës në vend, ka marrë përsipër edhe detyra të tjera. Ndër to, kurimin e programeve me karakter edukativ për fëmijë dhe të rinj.
Jeta orkestrale, interpretuese në Kosovë nuk filloi me Filharmoninë e Kosovës. Një klimë më e favorshme për krijimin e një jete të muzikës orkestrale në vend u dallua qysh në fund të viteve ‘60. Ishin disa nga orkestrat gjysmëprofesionale e formacione të tjera kamertale ato të cilat ishin bartëse të aktiviteteve të ngjashme në Kosovë.
Natyrisht, koncepti i orkestrës dhe jetësimi i saj është evidentuar shekuj më herët në botë. Nëse kthehemi pas në histori, lidhur me krijimin e orkestrës së parë në muzikën artistike evropiane, atëherë arrijmë në konkluzion që një e tillë është shfaqur në fund të shekullit të 17-të në kuadër të oborreve mbretërore të kohës, e më pas si orkestër simfonike moderne, të standardizuar e të përafërt me formacionet e sotme, e hasim qysh në shekullin e 18-të në Gjermani, në atë që njihet si Shkolla Mannheimit.
Fillet e jetës orkestrale
Në fakt, një formacion i ngjashëm inicioi jetën orkestrale në Kosovë, por tërë kjo, dy shekuj më vonë, në shekullin e 20-të. Megjithatë, sa i përket zanafillës së formacioneve të tilla në botë, kishte dhe vazhdon të ketë pretendime dhe kundërpretendime, tërë këto vetëm nga ata të cilët sot janë pjesë e institucioneve të ngjashme e të cilat i kanë mbijetuar kohës. Ndër ta, kritiku më influencues i muzikës klasike, Norman Lebrecht, i cilësuar si më i shkathëti në mesin e kolegëve të tij, në një listë të ofruar konsideron se jeta orkestrale fillon me Orkestrën Mbretërore Daneze, gjurmët e para të origjinës së saj datojnë nga themelimi i një formacioni të përbërë nga trumbetat e që daton në vitin 1448.
Fatkeqësisht, edhe në krahasim me vendet fqinje, muzika orkestrale, por edhe kultivimi i muzikës artistike në tërësi në Kosovë erdhi sërish më vonë, edhe pse pjesë e të njëjtit sistem politik e kulturor. Orkestra e parë profesionale e Serbisë u themelua në vitin 1923, në Maqedoni në vitin 1944, ndërsa në Shqipëri u themelua orkestra simfonike e Radio Televizionit Shqiptar në vitin 1962. Këto orkestra ishin bartës të zhvillimit të muzikës artistike/performuese dhe përfaqësuesi më i mirë i kulturës lokale. Ndërkohë, Orkestra Simfonike e Serbisë, me qendër në Beograd, ishte një nga orkestrat brenda ish-Jugosllavisë e cila gjithashtu interpretoi vepra të kompozitorëve shqiptarë të Kosovës, të cilët gjatë viteve ‘60 ishin duke ndjekur ose përfunduar studimet atje.
Gjatë viteve ‘70 të shekullit të kaluar, me themelimin e institucioneve muzikore, dhe krijimin e stafit profesional, doli në dritë një klimë e favorshme për zhvillimin e koncerteve profesionale në vend. Si rezultat i kësaj, që nga viti 1944, kur u themelua së pari shoqëria “Agimi”, dhe në pesëmbëdhjetë vjetët e ardhshëm jeta muzikore në Kosovë përbëhet nga aktivitete të orkestrave dhe ansambleve amatore e gjysmëprofesionale të themeluara tashmë në vende të ndryshme të Kosovës. Për më tepër, këto ansamble kanë luajtur një rol shumështresor që reflektohet edhe në mbështetjen e krijimtarisë bashkëkohore shqiptare, stimulimin e brezave të rinj të autorëve, përveç zhvillimit të publikut të saj dhe vendosjes së kritereve për cilësinë e performancave muzikore.
Fatkeqësisht, për shkak të rrethanave të vështira politike deri tek lufta e fundit në vend (1999), por edhe disa vite më vonë, i disponueshëm mbetet një dokumentacion mjaft i kufizuar i cili mund të dëshmojë aktivitetet e ansambleve. Një arsye tjetër për humbjen e dokumentacionit që i mbijetoi edhe abuzimit të Qeverisë serbe është papërgjegjësia e personave që udhëhoqën këto institucione në faza të ndryshme kohore, institucione që për popullin shqiptar në Kosovë paraqesin nivelin më të lartë kulturor.
Orkestra Simfonike e RTP-së, regjimi dhe shpërbërja
Viti 1975 shënon themelimin e Orkestrës Simfonike të Radiotelevizionit të Prishtinës, veprimtaria e së cilës u shua me dhunë nga regjimi serb në vitin 1990 e vazhdimësi e aktivitetit të së cilës është Filharmonia e Kosovës themeluar në vitin 2000. Kjo orkestër, e cila përqendroi repertorin e saj në muzikën klasike dhe romantike, si dhe në krijimtarinë e autorëve tanë, pati shumë suksese, veçanërisht gjatë viteve ‘80, nga pjesëmarrjet e saj në festivalet më të njohura të organizuara në kohën e ish- Jugosllavisë e më pas edhe puna me dirigjentë të njohur vendor e të huaj. Në vitin 1979 u regjistrua një CD nën interpretimin e orkestrës së RTP-së nën drejtimin e dirigjentit prof. Bahri Çela dhe kompozitorit e dirigjentit Ferdinand Deda. Ky regjistrim përmban vepra nga opusi krijues i kompozitorëve shqiptarë dhe si e tillë është pothuajse e vetmja dëshmi e kohës.
Mungesa e udhëheqjes, nënshtrimi ndaj kërkesave të cilat vinin nga presionet e vazhdueshme të pushtetit politik, dëbimi i dhunshëm nga puna përfundimisht çuan në shpërbërjen e anëtarëve të orkestrës.
Të gjitha institucionet e sipërpërmendura operuan në kohë jo të lehta për Kosovën, por edhe rajonin, tërë kjo si rezultat i situatave të cilat krijoheshin nga politika e ish-Jugosllavisë, e që më pas rezultuan edhe në fillet e demonstratave për liri, për të drejta civile dhe autonomi, kërkesa këto nga shtetet përbërëse të saj. Por, megjithatë, gjatë asaj që njihej si Republika Federale Sociale e Jugosllavisë (1943-1991), artistët nga shtetet përbërëse të saj, patën edhe raste kur hasën në shumë mbështetje nga institucionet kulturore të atëhershme shtetërore për t’u promovuar, prezantuar dhe përfaqësuar kulturën e tyre.
E një situatë ndryshe për shqiptarët erdhi në fundin e viteve ‘80, ku për dhjetë vjet më radhë, aktivitetet kulturore dezertuan, artistët shqiptarë u përjashtuan nga jeta publike. Ishte kjo koha kur mësimi organizohej në të ashtuquajturat shtëpi shkolla dhe kur prezantimet koncertale realizoheshin fshehurazi.
Vetëm pas luftës (1999) do të vazhdojë themelimi i institucioneve të tjera të rëndësishme të vendit apo rikthimi/riaktivizimi i tyre. Ato do të vijnë si rezultat i konsolidimit të institucioneve shtetërore. Ndër to edhe Orkestra Simfonike e Filharmonisë së Kosovës.
Që nga viti 1975, kur u themelua orkestra e parë profesionale në Kosovë (Prishtinë) - Orkestra Simfonike e Radios dhe Televizionit të Prishtinës, aktiviteti i saj duhej të ndalohej disa herë gjatë një periudhe 30-vjeçare për arsye të ndryshme e tanimë sigurisht të njohura. Deri në fund të viteve ‘80, kjo orkestër së bashku me ansamblet e tjera të këtij lloji të cilat ekzistonin në vend karakterizoheshin nga një sërë aktivitetesh, nga pjesëmarrja në festivalet lokale deri tek ato që organizoheshin në qytete të ish-Jugosllavisë dhe jashtë saj.
Sfidat për ringjalljen e muzikës artistike
Për muzikologët e sotëm e të ardhshëm, hartimi i biografisë së këtyre orkestrave, por edhe ato të cilat vepruan në vitet e para të pasluftës, do të dëshmonte një sfidë të jashtëzakonshme në përpjekjet për të ringjallur traditën tonë të muzikës artistike. Kjo jo vetëm si rezultat i situatave nëpër të cilat kaluam si komb, por edhe sepse tradicionalisht kemi kushtuar vëmendje të pamjaftueshme për të kaluarën. Megjithatë, ajo çka mund të evidentojmë sot është se këto formacione të ndryshme instrumentale, para apo pas luftës së fundit janë shtresa kryesore e muzikës artistike në Kosovë, qoftë me prezantimet e tyre lokale apo edhe ato ndërkombëtare.
E një rëndësie të jashtëzakonshme për kulturën e përgjithshme vendore mbetet Filharmonia e Kosovës, me Orkestrën Simfonike e Korin brenda saj (Kori – vazhdimësi e Korit profesional të Radio Prishtinës, ri-aktivizuar/rithemeluar në kuadër të Filharmonisë së Kosovës në vitin 2003). Orkestra simfonike e këtij institucioni këtë vit po kremton vitin e 20-të të ekzistencës.
Duke marrë parasysh që formacione të tilla në përditshmërinë e shoqërisë sonë konceptohen si pjesë e një komuniteti të caktuar (në këtë rast atij të muzikës artistike/profesionale), heshtazi në biseda joformale kam evidentuar se ekzistojnë edhe spekulime të ndryshme për to, duke filluar nga emërtimi i tyre. Me të drejtë edhe vetë komuniteti artistik do të mund të hamendësohej edhe sot sa u përket termeve të cilat përdoren për emërtimin e formacioneve të tilla.
Orkestër simfonike apo filharmoni? Deri sot janë realizuar mijëra hulumtime të cilat kanë evidentuar që të dy emërtimet përdoren për të përshkruar të njëjtën gjë, orkestër me numër të madh pjesëtarësh/performuesish e destinuar për repertor simfonik. Sidoqoftë, ka dallime nëse kthehemi në origjinën e këtyre dy termeve. Simfoni, nga gjuha greke ndërthurje e rregullt e tingujve, ngjyrave apo si term muzikor vepër e madhe muzikore katërkohëshe e dedikuar për orkestër. Ndërkaq termi “orkestër simfonike” hyri në përdorim në fund të shekullit 19-të, pikërisht për të emërtuar orkestrat si kjo e Filharmonisë së Kosovës. E sa i përket termit filharmoni ajo është e përbërë nga fjalët greke “filos” dhe “harmonikos”, e cila në thelb do të thotë miqësi/shoqëri, edhe ky term i përdorur nga shumë shoqëri muzikore, kryesisht gjatë shekullit të 19-të në mbarë botën, për të përshkruar institucione muzikore të cilat brenda tyre posedonin orkestër simfonike më qëllimin e mëparshëm, organizimin e koncerteve.
Një nga institucionet më të vjetra orkestrale në botë me rrënjë të tilla është Orkestra Filharmonike Norvegjeze në Bergen (1765) e njohur si - Musikselskabet Harmonien ("Shoqëria Muzikore Harmonia"). Më pas shoqëri të tjera që morën këto emërtime ishin Shoqëria Filharmonike, më e vjetra në Mbretërinë e Bashkuar (Londër 1813), më pas Filharmonia e New Yorkut (1842). Shpesh dhe për arsye praktike të dy emërtimet janë shfrytëzuar për të dalluar orkestrat e një qyteti (shembull zakonisht merren Filharmonia e Vjenës dhe Orkestra Simfonike e Radios në Vjenë) etj. Dhe kështu, të gjitha hulumtimet e realizuara japin rezultatin e njëjtë: termat "orkestër filharmonike" dhe "orkestër simfonike" janë përdorur me të vërtetë për të përshkruar orkestrat e saktësisht të të njëjtit lloj.
Autorja ka doktoruar në muzikologji
Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për Kulturë