Të shtunën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit institucioni i muzikës klasike ka vënë në skenë veprat e Robert Schumann e të Franz Schubert bashkë me solistët Filip Petreski e Yesim Gokalp me interpretimin mjeshtëror të Orkestrës. “Al-Ba via Corona” e Bashkim Shehut është interpretuar si premierë në një kontekst të veçantë. Me veprën “Al – Ba via Corona” për harmonikë dhe orkestër të kompozitorit kosovar Bashkim Shehu ka nisur koncerti. Gërshetimi i harmonikës me instrumentet frymore dhe harkore në veprën e Shehut e ka bërë atë të konceptohet si tejet bashkëkohore, por shpesh edhe tradicionale
Filharmonia e Kosovës ka lidhur tingujt e veprave që prej atyre të romantizmit e deri në ato bashkëkohore. Pikësynim i saj është mbajtja në linjë e audiencës dhe lidhja fort me melodinë e muzikës klasike. Dëshminë se po ia del mbanë e rikonfirmon në secilin koncert.
Të shtunën në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, institucioni i muzikës klasike ka vënë në skenë veprat e Robert Schumann e Franz Schubert bashkë me solistët Filip Petreski e Yesim Gokalp me interpretimin mjeshtëror të Orkestrës. “Al-Ba via Corona” e Bashkim Shehut është interpretuar për nder të 70-vjetorit të lindjes së kompozitorit.
Magjia që sjell Filharmonia e Kosovës ka qenë e pranishme edhe në provat para koncertit. Të shtunën provat kanë filluar rreth tri orë më parë dhe veç gjysmë ore para nisjes së koncertit kanë pushuar. Publiku ka nisur që herët të pozicionohet për të përjetuar muzikën e kompozitorëve të mëdhenj botërorë e atyre kosovarë. Një pjesë e tyre është njoftuar me programin pak minuta para nisjes së koncertit nëpërmjet broshurave të shpërndara. Në koncertet e fundit që mbahen në kryeqytet tashmë është e qartë adresa, edhe të shtunën Atelieja e Pallatit të Rinisë dhe Sportit ka qenë plot. Orkestra ka zënë vendet dhe asaj i janë bashkuar edhe dirigjenti Gridi Kraja dhe solisti maqedonas Filip Petreski.
Me premierën e veprës “Al – Ba via Corona” për harmonikë dhe orkestër të kompozitorit kosovar Bashkim Shehu ka nisur koncerti. Gërshetimi i harmonikës me instrumentet frymore dhe harkore në veprën e Shehut e ka bërë atë të konceptohet si tejet bashkëkohore, por shpesh edhe tradicionale. Rrëfimin muzikor e nis Petreski me tinguj të njëtrajtshëm në harmonikë që herë bashkohen paralelisht me ata të Orkestrës e herë e dominojnë. Shpesh i jepet krejt hapësira për të jehuar melodia e saj, por që ndërpritet nga kontrabasët që e bëjnë interpretimin më dinamik. Kur bashkohen instrumentet frymore e shtojnë dozën e dinamizmit.
Shkëlqimi i harmonikës rikthehet në pauzat e shkurtra që e kthejnë atë në qendër të krejt vëmendjes deri momentin kur ndërhyn korno, pastaj bashkohet edhe klarineta, e përfundimisht edhe ansambli i harqeve. Për solistin Filip Petreski ka qenë hera e parë që ka interpretuar në shoqërimin e një orkestre. “Është hera e parë që luaj me orkestër dhe e para që luaj me Filharmoninë e Kosovës. Ishte eksperiencë e mrekullueshme. Në fakt isha pak i frikësuar për veprën sepse është pjesë më e shkurtër, por publiku e pëlqeu dhe ishte mirë”, është shprehur Petreski, fitues i çmimeve të shumta në gara kombëtare e ndërkombëtare.
Petreski është diplomuar në Fakultetin e Artit Muzikor në Shkup me notën më të lartë “cum laude”. Si solist dhe anëtar i ansambleve të ndryshme të muzikës së dhomës ka marrë pjesë në disa ngjarje, ndër to në projektin ndërkombëtar “Dita Botërore e Fizarmonikës”, koncerte të organizuara nga Rinia Muzikore e Maqedonisë, festivali “Lira e Artë”, festivali “DAM”. Në vitin 2015, Filip Petreski u rendit i pesti në një prej garave më prestigjioze të fizarmonikës “Castelfidardo” në Itali dhe po atë vit promovoi krijimtarinë maqedonase në Kupën e Botës për fizarmonikë “Coupe Mondiale” të mbajtur në Finlandë.
Vepra e kompozitorit Bashkim Shehu është luajtur në nderim të 70-vjetorit të lindjes së tij. Shehu, i cili prej shumë vjetësh jeton dhe vepron në Kroaci, është një prej personaliteteve më të dalluara të muzikës klasike të Kosovës dhe jo vetëm.
Mungesa e kushteve për koncertet e Filharmonisë shpërfaqen në secilin koncert të saj. Sapo Petreski liron skenën, në vend të tij do zinte vend pianistja turke Yesim Gokalp, por fillimisht është dashur që pianoja të vendosej në skenë
Publiku e ka pritur me shumë duartrokitje dhe kur është pozicionuar para pianos, e ka nisur edhe rrugëtimin muzikor në instrument. Vepra me tri kohë ka qenë përjetim emocional me kontraste ritmesh të gërshetuara me ato të lehta në harmonikë e dinamikë. Vepra e interpretuar në “Allegro affettuoso” ka qenë një lloj gërshetimi i tingujve. Ka qenë edhe përrallor në të njëjtën kohë.
Në “Intermezzo: Andantino”, pianoja dhe harqet fillojnë njëkohësisht me melodinë e lehtë dhe delikate, ku bashkohen ngadalë violonçelat dhe instrumentet frymore. Pianoja shoqëron bashkë me to, edhe ndërhyn, por nuk i jepet më hapësirë për t’u dëgjuar si e vetme. E në “Allegro vivace” dinamizmi merre hov. Larmi e ngjyra muzikore bëhen një me tinguj të zgjatur dhe emocionues që përfundojnë me krejt tingujt e instrumenteve dhe që pikën ua vënë goditjet e tupanit që rriten gradualisht dhe kumbojnë në notën më të lartë.
Për pianisten Yesim Gokalp nuk është hera e parë që ka interpretuar me Filharmoninë e Kosovës. Krahas saj kishte interpretuar fillimisht në vitin 2017 në Prishtinë e më pas në Izmir të Turqisë, kur Filharmonia kishte udhëtuar atje për të interpretuar në Festivalin e 16-të Ballkanik të Kulturës dhe Valleve Tradicionale. Edhe në atë koncert kishte interpretuar “Koncertin për piano në a-mol, Op 54” të kompozitorit gjerman Robert Schumann, pasi është vepër e veçantë për të.
“Vepra është e veçantë për mua pasi e kam luajtur disa herë. Kjo ka qenë vepra e parë që kam luajtur në moshën 16-vjeçare në Izmir. Prej atëherë është kthyer në pjesë shumë të dashur për mua. Nuk është koncert që luhet shpesh, edhe në Izmir kur e kam interpretuar është pritur shumë mirë dhe e kam luajtur me shumë dëshirë e kënaqësi dhe pritet shumë mirë çdoherë. Ka vend të veçantë për mua”, ka thënë pianistja Gokalp derisa është shprehur e lumtur dhe e kënaqur me Orkestrën e dirigjentët me të cilët ka punuar.
Gokalp ka përfunduar studimet për piano në Akademinë e Muzikës në Hanover e Detmold në Gjermani. Koncertin e parë solistik e realizoi kur ishte veç 16 vjeçe me Orkestrën Simfonike Shtetërore të Izmirit. Pos kësaj ka mbajtur koncerte në Zvivër, Austri, Gjermani, Francë e Rusi.
Koncertin e së shtunës e ka drejtuar Gridi Kraja, i cili shpesh punon me Filharmoninë e Kosovës.
“Kishte kohë që koncerti planifikohej në kuadër të disa bashkëpunimeve të vazhdueshme që kam me Filharmoninë dhe kënaqësinë e padiskutueshme për çdo bashkëpunim me këtë institucion. Koncerti kishte tri vepra impenjative, të themi. Patëm veprën e parë për harmonikë dhe orkestër, është vepër e re, disi kontemporane, disi tradicionale me ca tema do të thosha të nëndheshme”, ka thënë dirigjenti Gridi Kraja.
Koncerti është përmbyllur me “Simfoninë nr.8 në b-mol” të kompozitorit austriak Franz Schubert. Publikut i është ofruar dinamizëm i papritur dhe kontrast intensiv mes tingujve krejt të lehtë dhe atyre kulmues. Veprës së interpretuar në kohët “Allegro moderato” dhe “Andante con moto” ia kanë dhënë dinamizmin kornot e trumbetat e harmoninë flautet. Në disa pjesë ka qenë si rrëfim përrallor.
Sa ka mbyllur koncertin e së shtunës, Filharmonia e Kosovës ka paralajmëruar se në kuadër të programit “Filharmonia në lëvizje” më 5 maj do të prezantohet me koncert në kinemanë “Jusuf Gërvalla” në Pejë. Një ditë më pas do të lëvizë në Prizren, ku do të interpretojë në hapësirën e “Autostrada Hangar”. Në të dy koncertet, Orkestra Harkore e Filharmonisë do të dirigjohet nga Edon Ramadani, e para publikut do të luhen vepra vendore e botërore.