Kulturë

Filharmonia bashkon stile e interpretues në mbrëmjen unike të muzikës

Publiku në këtë koncert u është kthyer interpretimeve sfiduese të Filarmonisë nën dirigjimin e Gregory Charette. Vepra e Mozartit ka shpërfaqur edhe virtuozitetin e oboistit Seong Young Yun, i cili pos në Kore të Jugut ka studiuar edhe në Paris, ku edhe jeton. Si solist që numëron disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, Young Yun së bashku me Orkestrën kanë bërë që Atelieja e Pallatit të Rinisë dhe Sportit të marrë ngjyra evropiane sa i përket muzikës. Vetë ai e ka veçuar këtë koncert si një përjetim tejet emocional

Është prej oboistëve më të dalluar të gjeneratës së tij. Gjendet për herë të parë në Kosovë për të interpretuar një prej veprave të njohura të kompozitorit me nam Wolfgand Amadeus Mozart. Koncerti për obo në C-dur i kompozitorit austriak është një prej veprave kryesore për këtë instrument. Orkestra e Filharmonisë së Kosovës ka zgjedhur që këtë vepër ta sjellë në koncertin e së dielës mbrëma me solist koreanojugorin Seong Young Yun.

Vepra e kompozuar më 1777 ka dërguar publikun nëpër krijimet e bujshme të Mozartit nën interpretim të orkestrës dhe oboistit virtuoz.

Publiku në këtë koncert u është kthyer interpretimeve sfiduese të Filharmonisë nën dirigjimin e Gregory Charette. Vepra e Mozartit ka shpërfaqur edhe virtuozitetin e oboistit i cili pos në Kore të Jugut ka studiuar edhe në Paris, ku edhe jeton. Si solist që numëron disa çmime kombëtare dhe ndërkombëtare, Young Yun së bashku me Orkestrën kanë bërë që Atelieja e Pallatit të Rinisë dhe Sportit të marrë ngjyra evropiane sa i përket muzikës. Vetë ai e ka veçuar këtë koncert si një përjetim tejet emocional.

“Në koncerte jam gjithnjë shumë i lumtur. Sonte jam kënaqur shumë. Duke luajtur krejt audienca dhe orkestra ishin shumë të koncentruara. Jam kënaqur shumë”, ka thënë Young Yun.

Ka qëndruar për herë të parë në Kosovë. Më herët kishte dëgjuar shumë pak për shtetin më të ri në Evropë. Por njohjen me këto anë nuk mendon ta lërë me kaq.

“Kam ditur shumë pak për këtë vend para se të vija këtu. Kam shëtitur pak dhe më duket shumë bukur. Dje kam qenë në një restorant dhe më ka pëlqyer shumë. Atmosfera është shumë e mirë dhe prekëse. Ndoshta shpejt do të kthehem për ta vizatur këtë vend me familjen ose miqtë e mi”, ka thënë ai.

Koncertin e së dielës, Orkestra e Filharmonisë së Kosovës e ka hapur me premierën vendore të “Sinfonietës” së Kreshnik Aliçkajt. Nën dirigjimin e Gregory Charette, të pranishmit kanë hyrë në lojën muzikore të veprës që prek tema sa vendore aq edhe universale. Premierën botërore kjo vepër e kishte në koncertin e Filharmonisë së Kosovës në Izmir në fund të shtatorit në qendrën e artit “Ahmed Adnan Saygun”. Vepra është mjaft ritmike dhe ju përgjigjet shumë sfidave të kësaj pjesë të Ballkanit, por edhe telasheve globale.

Për dirigjentin Charette, ky ishte një rikthim në Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës.

“Qysh prej pandemisë ky është një prej koncerteve më të mëdha. Ishin vepra shumë të mira, por edhe sfiduese. Gjithnjë është shumë kënaqësi të prezantojmë një vepër që nuk është dëgjuar. Vepra e kompozitores amerikane nuk është shumë e re, por shumë aktuale”, ka thënë Charette.

E vepra e fundit, Simfonia në E-mol e amerikanes Amy Beach ka bërë që Prishtina të jetë nikoqire e një prej kompozimeve me nam. Pikërisht në tetor vepra ishte luajtur edhe premierë botërore më 1986. E njohur ndryshe edhe si “Simfonia Gaelic”, simfonia e parë e një kompozitoreje më me nam në Shtet e Bashkuara të Amerikës ka sjellë tjetër ritëm në sallë. Vepra reflekton muzikën amerikane të shekullit të 19-të, por prek edhe elemente evropiane. Kjo e bën tejet universale dhe kompozim që komunikon me publikun gjithandej. Ritmi që merr hov kohë pas kohe e bën atë më dramatike. E nën dirigjimin e një amerikani si Charette, Simfonia ka ardhur edhe më e plotë të dielën mbrëma.

Për Filharmoninë ky ishte një prej koncerteve që ktheu veprat sfiduese pas pandemisë.

Sipas drejtorit të Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ky institucion më i lartë i muzikës klasike në vend do të vazhdojë të sfidohet me vepra të kompozitorëve me nam. Sipas tij, pas pandemisë dhe bashkë me këtë koncert si realizim sfidues ishte edhe “Carmina Burana”, që ishte luajtur në sheshin “Skënderbeu” në përmbyllje të sezonit të kaluar.

“Sonte kishim vepra sfiduese si ajo e kompozitorit tonë Kreshnik Aliçkaj, pas Mozartit e kompozitorja amerikane”, ka thënë Jashari. Sipas tij, Filharmonia e Kosovës është duke e marrë veten mirë pas periudhës pandemike kur jeta kulturore kishte pauzuar sikurse krejt aktivitetet e tjera.

“Kohëve të fundit kemi shpeshtuar koncertet dhe bashkëpunimet. Vetëm këtë muaj janë dhënë katër koncerte. Kemi punuar me shumë ritëm dhe mendojmë të vazhdojmë kështu”, ka thënë Jashari.

Në fund të muajit të kaluar Orkestra është prezantuar me koncert në Izmir, në sallën e madhe të qendrës prestigjioze të artit, “Ahmed Adnan” në Izmir. Filharmonia qe mysafire e Festivalit të 16-të Ballkanik të Kulturës dhe Valleve Tradicionale në Izmir. Koncerti kishte nisur me interpretimin e uverturës “Coriolan” nga Ludëig van Beethoven dhe me koncertin për piano në A-mol nga Robert Schumann me soliste, pianisten e mirënjohur turke Yeşim Gökalp. Ndërsa pjesa e dytë e koncertit për publikun kishte sjellë një panoramë të muzikës simfonike shqiptare me vepra nga Çesk Zadeja, suitën simfonike “Skënderbeu”, të Lorenc Antonit, “Në Prizrenin e vjetër”, Valton Beqiri, “Loja”, Hajrullah Syla, “Uverturë shqiptare” dhe versionin orkestral të “Bareshës” nga Rexho Mulliqi me solist Shkumbin Bajraktarin në klarinetë.