Prishtinë, 3 mars – Ndjenjat e njeriut kanë qenë në fokus të dirigjentit Dariusz Mikulski gjatë përpilimit të programit për koncertin e së dielës të Filarmonisë së Kosovës.
Një program i larmishëm, ashtu si jeta e njeriut e mbushur me emocione. Njëkohësisht një program ambicioz që ia vuri përballë orkestrës së Filarmonisë së Kosovës.
Këtë sfidë Filarmonia e kaloi me sukses. Edhe Mikulski, si shumë muzikantë të tjerë të huaj që vijnë këtu, ka thënë se pjesëtarët e orkestrës dhe publiku i Prishtinës meritojnë një sallë të denjë ku mund të përjetojnë së bashku ngjarje më të mëdha sesa ato që mund të mbahen në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. Kompozitori polak, i cili është themelues i Filarmonisë së Madhe të Polonisë, mendon se operat e operetat duhet të jenë synimi i radhës i Filarmonisë.
Koncerti nisi me veprën “Lascia Ch’io Pianga” (Më lër të qaj) nga opera “Rinaldo” e kompozitorit të periudhës së barokut George Handel, që kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij në Londër. Vepra e tij solli në skenë Aleksandra Gudzion. Mexosopranoja e talentuar dhe më e famshmja e gjeneratës së re në Poloni solli po ashtu edhe veprën “Porto! Ma ben mio” nga opera “La Clemenza di tito” të Mozartit, për të pasuar me “Una voxe poco fa..” nga opera “Berberi i Seviljes”. Të tri veprat ka kohë që janë bërë pjesë e repertorit të Gudzios. Ajo ka thënë se ato çdoherë pëlqehen nga publiku.
Vepra e kompozitorit polak të muzikës klasike bashkëkohore, Henryk Górecki, ishte një tjetër në repertor. Orkestra solli “Tri pjesë në stilin e vjetër”. Por një nga pikët kulmore të kësaj mbrëmjeje ishte premiera botërore e veprës “Altai – Traces to Infinity” (Kaleidoskop për violinë, pikolo trumbetë dhe orkestër) e kompozitorit gjerman Enjott Schneider. Në vitin 2019, Orkestra e Filarmonisë së Kosovës kishte dhënë premierën shqiptare të veprës së tij, “L'angelica farfalle”.
Në mesin e kompozitorëve që erdhën të dielën ishte edhe danezi Launy Grondahl. Orkestra e Filarmonisë së Kosovës, e shoqëruar nga trombonisti zviceran Armin Bachmann, solli “Koncertin për tromb dhe orkestër”. Me këtë vepër identifikohet karriera e Grondahlit.
{gallery}
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditiore”)