Mbi 6 mijë e 500 veta e kanë ndjekur koncertin e transmetuar online të Filarmonisë së Kosovës, të dielën mbrëma.
Në kushte normale, Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë gjithherë është plot, por nuk zë më shumë se 500 veta. E në formatin nëpërmjet teknologjisë, ani pse me një ndjesi krejt tjetër, mundësia për ta ndjekur koncertin është mbi dhjetëfish më e madhe, shkruan KOHA.
E diela riktheu koncertin e para një dekade me të cilin Filarmonia debutoi në Japoni. Janë interpretuar vepra të kompozitorëve kosovarë, Valton Beqiri e Baki Jashari dhe “Requiemi” i Mozartit, nën dirigjimin e Toshio Yanagisawas, me të cilat institucioni më i lartë i muzikës serioze në vend iu prezantua publikut japonez në korrik të 2010-s në sallën “Canora” në Suva të Japonisë. Transmetimi online qe veç një test.
Filarmonia, në këtë kohë pandemie, do të vazhdojë lansimin online të koncerteve dhe atë dy herë në javë.
Të enjten mbrëma publiku do të ketë mundësinë ta ndjekë “Simfoninë nr. 9” të Beethovenit që sjell mesazhin e paqes mes popujve dhe që vlerësohet si një nga veprat më të mira të kompozitorit gjerman. Vepra e cila u interpretua në koncertin e 26 qershorit të vitit të kaluar, që u mbajt në sheshin “Skënderbeu”, do të vijë virutalisht. Kanë qenë rreth një mijë veta që ndoqën live interpretimin e 110 instrumentistëve të Filarmonisë së Kosovës, por edhe instrumentistëve nga Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut. E me koncerte online do të vazhdojë derisa situata të kthehet në gjendje normale dhe ky institucion t’i kthehet punës.
Dardan Selimaj, menaxher i Filarmonisë së Kosovës, ka thënë se transmetimi i koncerteve online dy herë në javë, çdo të enjte dhe të diele, ka ardhur si nevojë.
“Jemi koncentruar më shumë që të transmetojmë koncertet e përmasave të mëdha, përfshirë edhe koncertet të cilat Filarmonia i ka mbajtur jashtë vendit e të cilat publiku i Kosovës nuk ka pasur mundësi që t’i shohë, por jo vetëm”, ka thënë ai.
Për koncertin e së dielës reagimet kanë qenë pozitive. Selimaj ka thënë se shpresojnë që do të ketë edhe më shumë të interesuar pasi që tashmë do të dihen ditët të cilat do t’i takojnë Filarmonisë.
Në mesin e atyre që e kanë parë koncertin online të së dielës ka qenë edhe aktori Shkëlzen Veseli.
më shumë iniciativa të tilla që ta ruajmë shëndetin mental nga politika...ju lumtë!”, ka shkruar ai.
Selimaj ka thënë se një qasje e tillë ndaj publikut i ka shtyrë ta shqyrtojnë nëse duhet vazhduar edhe pas pandemisë.
“Na ka bërë që të rimendojmë prezencën online të Filarmonisë të cilën deri tani nuk e kemi praktikuar pasi që nuk është se i kemi transmetuar koncertet. Kjo nënkupton se edhe në të ardhmen, kur t’i kthehemi normalitetit, do ta shohim si praktikë, ndoshta jo dy herë në javë, por të paktën një herë në javë”, ka thënë ai. Sipas tij, kjo do jetë diçka pozitive sidomos gjatë sezonit veror, kur Filarmonia nuk ka aktivitete.
Vendimet e Qeverisë së Kosovës të 12 marsit për masat që duhen marrë për të parandaluar shpërndarjen e koronavirusit kanë paralizuar jetën kulturore. Që atëherë institucionet kulturore kanë pezulluar ngjarjet e tyre kulturore. E deri më 1 prill shumica e institucioneve qendrore ishin pa oferta për publikun në kohën e pandemisë. Në mesin e tyre ishin edhe Filarmonia e Kosovës, e cila deri tani ka anuluar tri koncerte. Fillimisht kishte anuluar koncertin e orkestrës së bashku me kuartetin italian “Quartetto di Cremona”, që ishte paraparë të mbahej më 29 mars në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë. E po ashtu ka anuluar edhe dy koncerte të tjera: koncertin e 19 prillit dhe atë të 22 prillit. Më 22 prill ishte paraparë që muzikantët kosovarë të interpretonin në Hungari në një prej sallave me akustikën më të mirë në Evropë.