Kulturë

Festivali “KamerFest” vazhdoi me mbrëmjen e tetë muzikore

Këto tri muzikante përveç talentit dhe dashurisë për muzikën, e kanë të përbashkët edhe emrin.

“Tri Zanat” u bashkuan në skenën e Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, në koncertin e tetë të festivalit “KamerFest”.

Për më shumë se një orë, ato interpretuan para audiencës një program të larmishëm.

Koncerti filloi me interpretimin e veprave të Bellinit e Schumannit, të cilat konsiderohen ndër më të vështirat për t’u interpretuar, por “Valsi i Lumturisë”, i aranzhuar nga Edon Ramadani, ishte vepra që e emocionoi më shumë publikun, raporton “Express” i KTV-së.

Edhe pse e ndanë për herë të parë skenën në këtë formacion, pianistja Zana Badivuku - Basha beson se ky bashkëpunim duhet të vazhdojë.

Trio e kësaj mbrëmjeje muzikore u plotësua me Zana Abazin në skenë. Për flautisten e re ky koncert ishte nder.

“KamerFest” sivjet po e organizon edicionin e njëzet me radhë dhe festivali do të zgjasë deri më 17 nëntor.