Festivali sensacional “EPIZODE” rikthehet në viset bregdetare shqiptare pas debutimit të suksesshëm në Shqipëri vitin e shkuar. Festivali këtë vit do të mbahet prej 15 deri më 19 shtator, në plazhet e hareshme të Shëngjinit. Edicioni i dytë shqiptar dhe i gjashti ndërkombëtar do të zgjasë katër net e pesë ditë dhe do të ketë muzikë të zgjedhur, dizajn skenik spektakolar dhe një atmosferë tashmë të njohur.
Programi 24-orësh do të përfshijë emrat më të mëdhenj internacionalë të muzikës elektronike, krah për krah me talentet më të mira rajonale. Ata do të performojnë në skena mbresëlënëse të cilat do të dizajnohen nga kolektivët ikonë të artit. Eksperienca do të pasurohet edhe më shumë nga aktivitetet ditore, të stolisura për fund me agime dhe perëndime shumëngjyrëshe.
“Me shumë kënaqësi kthehemi në të bukurën Shqipëri! Si gjithmonë do të vazhdojmë të sjellim artistët më të mëdhenj botërorë, duke përkrahur në të njëjtën kohë edhe muzikën dhe artistët rajonalë.
“Ky edicion do të sjellë edhe më shumë artistë të shkëlqyer nga i gjithë Ballkani. Mezi po presim për këto pesë ditë që do të jenë të paharrueshme dhe katër net të mbushura me muzikë të hatashme dhe me atmosferë magnetizuese të mirënjohur që sjell ‘EPIZODE’”, ka thënë menaxhmenti i “EPIZODE”.
Këtë vit lokacioni i “EPIZODE” do të jetë veriperëndimi i Shqipërisë, në Shëngjin, i njohur për peizazhet hyjnore, plot pyje pishash të gjelbra dhe det të ngrohtë ngjyrë smeraldi. Natyra e tij që të lë pa frymë, kultura mesdhetare, mikpritja e pashoqe lokale dhe delikatesat e shijshme do ta bëjnë këtë udhëtim arratinë e shkëlqyer për mbylljen e verës.
Edicioni i parë i “EPIZODE” në Shqipëri mblodhi në publik nga rreth 50 shtete dhe morën pjesë më shumë se 50 DJ ndërkombëtarë dhe rajonalë si: Solomun, Marco Carola, Michael Bibi, Richy Ahmed, Lee Burridge, Adriatique, Dubfire, Binh, Margaret Dygas, Petre Inspirescu, Praslea, Nastia, Anfisa Letyago.
I themeluar në vitin 2016 në ishullin vietnamez Phu Quoc “EPIZODE” për vetëm katër vjet ka marrë famë ndërkombëtare dhe është kthyer në sensacion për artdashësit dhe aventurierët botërorë, së bashku me muzikantët profesionistë të industrisë. Edicionet paraprake të “EPIZODE” vendosën standarde nga artistët më të respektuar të botës së artit në skenën e vallëzimit, si dhe brende klubesh të njohura ndërkombëtarisht.
Marrë nga ravejungle.com. Përktheu: Flakrona Rexhepi