Përkthimi i ndjenjave në fjalë ndikohet nga faktorët gjuhësorë e gramatikorë, mirëpo në muzikë e vallëzim gjëllin universaliteti. Kjo bëhet për vetë faktin se pavarësisht gjuhës në të cilën një solist këndon, emocioni që përcjell te publiku është i larmishëm në qenien e secilit, por njerëzore në fund të fundit. Ndërkaq, për dallim nga muzika ku emocioni ndihet pavarësisht kuptueshmërisë së gjuhës, në vallëzim mbisundon gjuha e trupit.
Kësisoj, kultura vazhdon të jetë shprehësi e delikatesës dhe shijes së hollë të një populli nëpërmjet artit që ka. Madje, kjo reflekton edhe atëherë kur publiku mund të mos i kuptojë fjalët të cilat solistja i kthen në tinguj muzikorë. Forcohet edhe më kur dashuria, xhelozia, dhimbja, martesa e disa pjesë komike portretizohen prej lëvizjeve të valltarëve.
Kjo ishte ajo që është ndier në shfaqjen muzikore “Kabare franceze” nga Zana Hoxha, e dhënë premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës të mërkurën mbrëma e që i dha vulë edicionit të IX të Festivalit ndërkombëtar për artiste dhe aktiviste, i cili sivjet luftoi seksizmin, “FemArt”.
Duke qenë i pari dhe i vetmi festival feminist në Kosovë, rrugëtimi i nisur sivjet që nga 1 tetori pritej të kishte një përmbyllje me gëzim për triumfin. Mirëpo, vdekja në moshën 31-vjeçare e fotografit të “Artpolisit”, Meddy Huduti, bëri që ceremonia mbyllëse të ishte dedikim e kujtim për të.
“Ne regrette rien”, “Le tempe de la amour”, “La dermiere dance”, “Formidable”, “Je ne ve pa travailje”, “Pantomima”, “Charlston”, “Spanish French”, “Derniere Danse”, “Sing, Sing, Sing”, “La vie en rose” ishin këngët të cilat sollën një frymë më ndryshe nën interpretimin e Zana Berishës dhe koreografisë së Robert Nuhës.
Terri i skenës së Teatrit Kombëtar të Kosovës u zëvendësua me prezencën e bateristit Teoman Ukça, kitaristit Arbër Salihu, pianistit Alzan Gashi dhe çellos së Gresa Broçit. Kur gishtërinjtë e instrumentistëve filluan të krijojnë tinguj, para publikut doli e cilësuara si “ylli i mbrëmjes” nga regjisorja, Zana Berisha.
Zëri i veçantë dhe shoqërimi nga lëvizjet plot jetë nga 9 aktorët e trupës rezidente të “ArtPolis”-it dhe dhjetë valltarët e “Noa Dance Theatre” e bënë publikun që për 45 minuta të ndiejnë frymë franceze. Në secilën këngë që i jepte zë Berisha, nuk e linte pa i dhënë edhe emocion. Bashkë me të, edhe aktorët e valltarët shndërroheshin në një “ushtri artistike”.
Regjisorja dhe themeluesja e “FemArtit”, Zana Hoxha, ka thënë për KOHËN se ideja e “Kabaresë franceze” lindi në muajin shtator.
“Dëshiruam që të krijojmë një performancë, e cila sjell energji të mirë dhe inspiruese për publikun dhe t’i transportojë njerëzit në një udhëtim imagjinar në Paris”, ka thënë ajo.
Sipas saj, të gjithë kontributdhënësit artistikë bënë që të krijohet një “sinergji unike e kabaresë”.
“Këngët i kemi përzgjedhur bashkë me Zanën dhe Robertin, ndërsa janë përshtatur së bashku me bendin”, ka thënë ajo për këngët, disa prej të cilave sollën ritme të gjalla, e tjerat rrëfime më të fjetura brenda tyre.
Për koreografin Robert Nuha, kjo shfaqje arriti të krijojë shkrirjen organike skenike për të arritur një rezultat koreografik e artistik multi-disiplinor.
“Programi i jashtëzakonshëm me peshën artistike dhe peshën e vet të mbrëmjes u realizua në formën më të mirë të saj”, ka vlerësuar koreografi në “Neo Dance Theatre”, teksa ka shtuar se kjo u realizua për shkak të “dashurisë, punës së përbashkët, harmonisë, për të arritur qëllimin artistik e njerëzor”.
Nuha e ka vlerësuar solisten e mbrëmjes, Zana Berishë, se “me zërin e saj rriti peshën artistike e ndjesore” të shfaqjes.
“’FemArti’ është kthyer në industri për skenën artistike në Kosovë, e cila përveç që u jep hapësirë artistëve për të shpërfaqur kërkimet e tyre, gjithashtu iu mundëson të jenë më afër me artin bashkëkohor”, ka vlerësuar Nuha, teksa ka përmendur se ky bashkëpunim arriti t’i aktivizojë 30 artistë.
Valltarja Medina Koliqi ka thënë se kjo përvojë e ka bërë të ndihet më ndryshe.
“Ishte, vërtet, një ndjesi shumë e veçantë dhe ndryshe nga vallëzimi ynë bashkëkohor që bëjmë çdo ditë”, ka thënë Koliqi.
Kur duartrokitjet e publikut nisën ta mbushin sallën, regjisorja Zana Hoxha u ngjit në skenë. Mirëpo, kjo nuk ishte si herëve të tjera. Me vete bartte emocionet e vdekjes së Meddyt.
“Meddy ka ditur me e shtrydhë kohën dhe me nxjerrë momente që askush tjetër nuk i nxirrte”, ka thënë ajo, teksa ka kërkuar nga publiku që me mbyllje sysh, të luteshin për të e të ngriheshin në këmbë.
“Meddy ka qenë personi që më së miri e ka përcjellë në imazhe fotografike shpirtin e ‘ArtPolis’-it dhe ‘FemArt’-it”, ka thënë Hoxha.
Se mbrëmja e fundit kishte ndjenja të përziera në premierë e ka thënë edhe koreografi Robert Nuha.
“Na la një zbrazëtirë në mendjet e zemrat tona, por ishim me një lloj ngushëllimi që arritëm t’i bëjmë homazhe të dinjitetshme ashtu siç i ka merituar një artist i kalibrit të tij”, ka thënë ai.