Me filmin “Ka me kalu” të Flonja Kodhelit, festivali për art feminist “FemArt” ka vënë në pah traumat e gruas në kohën postkomuniste dhe nevojën e saj për mbështetje nga shoqëria. Me “Vera andrron detin” në anën tjetër është ngritur çështja e çrrënjosjes së barrierave gjinore dhe lufta e gruas për përvetësimin e trashëgimisë që i takon. Të vetmit filma të prezantuar, por me mesazh të fuqishëm, kanë synuar ta ndërgjegjësojnë shoqërinë nëpërmjet ekranit të “Kino Armatës” në kryeqytet.
Dita e gjashtë e festivalit “FemArt” u është dedikuar filmave e shfaqjeve teatrale. Në “Kino Armata” publiku është mbledhur për të parë filmin “Ka me kalu” të regjisores shqiptare Flonja Kodheli. Në fakt është filmi i parë i saj, por që ka arritur ta qartësojë porosinë që i përcillet publikut.
Filmi i metrazhit të shkurtër, me personazhe kryesore Ilire Vincën dhe vetë regjisoren Flonja Kodhelin zbërthen traumën që trashëgohet si pasojë e komunizmit në Shqipëri. Ndonëse skenat e filmit zhvillohen në Belgjikë, Stelën dhe Marinë i përcjellin ngjarjet e dekadave më parë. Filmi hapet me Ilire Vincën tek zbërthen madhështinë e kujtimeve derisa përjetëson gjithçka në telefonin e saj. I ka mbetur ves të mbyllë perdet derisa beson gjëra në imagjinatën e saj se nëna i është helmuar dhe se nuk ka vdekur nga problemet me zemër. Ngre dyshime se po përcillet çdoherë që del jashtë. Momentet gazmore janë të rralla e kur ndodhin, trazohen me mërzinë e humbjes.
Marisë i fiksohet të dokumentojë gjithçka për t’i mbajtur të dyshuarit e saj në mendje, madje edhe në funeralin e nënës së saj, Antoneta. Libri i kujtimeve bëhet objekt hulumtimi për pjesëmarrësit. Ajo vazhdon të mbyllet në apartamentin e zymtë e të errtë. Personat më të afërt të saj kthehen në të panjohur, derisa edhe vajza e saj ndikohet dhe kësisoj trauma trashëgohet. Ato grinden e sjelljet e tyre janë dramatike me njerëz që rastësisht qëndrojnë a kalojnë pranë hyrjes së objektit ku jetojnë.
Vajza Stela kupton se nënën e saj, Marinë, e mundon më shumë frika sesa mërzia. Sjelljet e saj janë absurde dhe paranojake. Pavarësisht kësaj, Stela e mbështet nënën e saj me të gjitha format. “Ka me kalu” është mbështetje për nënën, si ngushëllim i Stelës, që as vetë ajo nuk e di nëse do të kalojë dhimbja.
Regjisorja Kodheli ka qenë e pranishme në shfaqjen e filmit, ku ka thënë se personazhet rikthejnë përjetimet nga komunizmi në Shqipëri dhe se janë konsekuencë e traumës që është përjetuar në jetën reale.
“Këtu e kam lidhur me vdekjen e gjyshes, pasi është moment emocional dhe që nuk jemi në gjendjen tonë normale. Në atë moment, trauma na rikthehet, sepse nuk e kemi ndalur, kemi vazhduar, kemi përparuar, kemi ecur përpara, por shumë gjëra na ndjekin. Pikërisht filmi flet për këtë. Duke lënë vendin tonë, liria na ofron shumë gjëra, por nganjëherë kur thjesht nuk jemi të lirë në kokën tonë vazhdojmë të jetojmë në atë burgun tonë të brendshëm”, ka thënë regjisorja e skenaristja e filmit, Flonja Kodheli.
Drejtoresha e “FemArtit”, Zana Hoxha, është shprehur se edhe me shfaqjen e këtij filmi është arritur mesazhi, që përkon edhe me moton e sivjetshme të festivalit – “Kalle Tutën”.
“Filmat kanë arritur të komunikojnë me publikun. Mënyra se si filmat komunikojnë me publikun tregon edhe se sa relevant janë. Publiku i ‘FemArt’ është tashmë tradicional, por edhe të rinj që vijnë dhe jam shumë e lumtur që këta filma janë reprezentues të ‘Fem Artit’ sivjet”, ka thënë Hoxha.
E pranishme ka qenë edhe aktorja Rina Krasniqi, e cila ka vlerësuar se te publiku është transmetuar pesha e rëndë dhe mënyra se si barten traumat e si mund të ndalet bartja te gjeneratat e reja. Ka vlerësuar veçanërisht aktrimin e aktores Ilire Vinca.
“Ishte film shumë specifik, jashtëzakonisht i bukur dhe intim në kuadro shpirtërore dhe personale, që i ka një nënë në raport me vajzën. Sigurisht se në Shqipëri dihet se çfarë lloj problemesh e traumash janë bartur, janë disa elemente që barten në mënyrë zingjirore në gjeneratat e reja dhe manifestojnë në mënyrë traumatike në bazë të rrethanave familjare”, ka thënë Krasniqi pas shfaqjes së filmit.

Filmi ishte dhënë premierë në edicionin e 21-të të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest” në Prizren. Ishte në garë në kategorinë e filmave kombëtarë. Me rastin e premierës, regjisorja kishte thënë se filmi ka të bëjë me akumulim eksperiencash që i kemi pasur apo i kemi të gjithë. Kishte treguar se synim i saj ka qenë paraqitja e traumave që nuk shihen, por që klithim kur jemi të dobët.
“Vdekja e nënës ka krijuar shok emocional, nga edhe vijnë momente të çuditshme, që janë pasojë e gjendjes emocionale. Ideja për titullin ishte, sepse është një moment në film ku vajza e rrethon nënën me dashuri, plot empati e një lloj naiviteti dhe e siguron se do të kalojë”, kishte thënë Kodheli për KOHËN.
Të shtunën mbrëma është shfaqur edhe filmi “Vera andrron detin”, me regji të Kaltrina Krasniqit dhe skenar të Doruntina Bashës. Filmi rrëfen për gruan që punon si përkthyese e gjuhës së shenjave e përballet me fatkeqësi të cilat në një botë patriarkale i nxjerrin shumë telashe.
Por filmi nga Kosova është duke e vazhduar rrugëtimin bashkë me mesazhet që bazohen në një rrëfim sa lokal aq edhe universal.
Në filmin 87-minutësh luajnë aktorët Teuta Ajdini, Alketa Sylaj e Rafet Abazi. Sjell rrëfimin e Verës, interpretuese e shenjave gjuhësore në televizionin publik, për jetën pas humbjes së bashkëshortit gjykatës, Fatmir Gashi (Xhevat Qorraj), i cili vetëvritet në moshën 65-vjeçare. Ai e merr këtë vendim pikërisht në kohën kur planifikojnë që shtëpinë e tyre në fshat ta shesin, sepse aty planifikohet një autostradë. Një banesë e re, mobilie e dekore të reja e një pushim në bregdet janë planet e Verës. Mirëpo e gjithë rrjedha e ngjarjes ndërron me aktin tragjik.
Përveç humbjes, Vera tashmë përballet me diçka tjetër. Kushëriri i bashkëshortit të saj, Ahmeti (Astrit Kabashi), ia kumton lajmin se Fatmiri ia ka lënë trashëgim shtëpinë pikërisht atij. Në fillim ajo beson se ky është një avaz për pasuri, mirëpo kur kupton që Fatmiri ishte marrë me bixhoz dhe e kishte humbur atë, mendimi detyrimisht i ndërrohet. Pavarësisht guximit të madh të saj dhe moskomunikimit të situatës me vajzën e saj Sara, përplasjet i vijnë një pas një.
Prej kur “Vera andrron detin” pati premierën botërore në edicionin e 78-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Venecie, ka udhëtuar në Kajro e në Tokio, ku triumfoi. Krasniqi u bë e para regjisore që mori çmimin kryesor të Festivalit Ndërkombëtar në Tokio dhe e futi për herë të parë një film nga vendi në garë zyrtare të këtij festivali.
Filmi ishte dhënë premierë vendore në shtator të vitit të kaluar në kuadër të edicionit të 14-të të festivalit ndërkombëtar të filmit “PriFest”.