Si gjigant i skenave teatro dhe sheshxhirime është kujtuar në 15-vjetorin e vdekjes, Faruk Begolli. Pedagogu universitar e themeluesi i Degës së aktrimit në Universitetin e Prishtinës ishte një prej artistëve më me nam në ish-Jugosllavi. Studentët e bashkëpunëtorët e tij e kanë kujtuar Begollin si një figurë me të cilin duhet të jetë krenarë jo veç Kosova. Të martën prej mesditës deri në orët e vona të mbrëmjes krahas Ministrisë së Kulturës janë shfaqur disa prej filmave ku ka luajtur Begolli
Me një ceremoni modeste, është kujtuar ikona e filmit shqiptar e jugosllav, Faruk Begolli.
Në ish-parkingun, tash park i vogël krahas Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit janë mbledhur disa prej bashkëpunëtorëve të Begollit, zyrtarë të MKRS-së dhe qytetarë. Pas fjalimeve ka nisur shfaqja e filmave të cilat janë paraparë të shfaqen deri në orën 24:00 të ditës së martë kur edhe u shënua 15-vjetori i vdekjes së Begollit.
Në ekran fillimisht është shfaqur “Era dhe lisi”, që nën regjinë e Besim Sahatçiut pasqyron historinë e heroit partizan, Lisit, nga periudha e Luftës së Dytë Botërore e deri te mesi i viteve ‘60. Publik përtej komunitetit artistik në fillim ka pasur pak, por me të parë figurën e Begollit në ekran, një numër qytetarësh u janë bashkuar të pranishmëve.
Filmi tjetër që është shfaqur përgjatë gjithë ditës ka qenë “Proka” nën regjinë e Isa Qosjes dhe skenar të Eqrem Bashës. Me lojën e Begollit përkrah Muharrem Qenës, Çun Lajçit, Masar Kadriut, Abdurrahman Shalës e yjeve të tjerë të kinematografisë shqipe, portretizohet personazhi fatkeq i cili përfundon në mënyrë tragjike.
Një film tjetër që zuri vend në një prej rrugëve më të frekuentuara të qendrës së qytetit, “Kur pranvera vonohet”, shpërfaqi historinë e një periudhe të revolucionit partizan, të bazuar në ditarin e luftës të Fadil Hoxhës.
Në ceremoninë përkujtimore të organizuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Teatri Kombëtar i Kosovës dhe Qendra Kinematografike e Kosovës, aktori Armond Morina ka folur për Begollin si artist.
“Te dielën do të shfaqet një emision për profesorin, do të flitet shumë gjatë. Në atë emision, Meli Qena tha që profesori s’i ka dashur kurrë protokollet”, ka thënë pasi ka treguar se në ceremoni do të flasë pa ndonjë protokoll.
Ai ka lëvduar organizimin, duke thënë se në një rrugë të qytetit ku ka të rinj, po shfaqen filma ku luan një prej njerëzve që ka dhënë kontribut për rininë.
“Është pikërisht ai që të rinjve ua ka bërë Kosovën Hollywood në një kohë të varfër”, ka thënë Morina. Sipas tij, çdo ditë e më tepër do të shihet rëndësia e Begollit si artist gjigant.
Për Morinën, i cili e kishte Begollin profesor, kujtimi i artistit është nder për historinë e Kosovës.
“Në listën e dekoratave presidenciale, nuk e kam të konfirmuar, por nëse dikush do të duhej ta kishte dekoratën më të madhe presidenciale të historisë së re të Kosovës, atë do të duhej ta kishte profesor Begolli”, vlerësoi ai.
Kontributin e tij artistik e ka ngritur në nivel të ndikimit në atdhe, duke e quajtur “patriot modern, jo provincial” por të përmasave globale.
“Gjergj Kaçinari më pati thanë ‘qysh është e mundshme në periudhën më të errët, me dal periudha më e ndritshme e artit?’. Por arti bën mrekulli. Mundet edhe okupimin me shndërrua në një film me ngjyra, jo veç bardh e zi”, ka thënë ai.
Liburn Jupolli, këshilltar politik i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se nëpërmjet kalendarit të veçantë kulturor po bëhen hapa drejt dokumentimit, mbrojtjes e promovimit të veprimtarisë dhe datave të rëndësishme.
“Do të mbetet figurë me personalitet të jashtëzakonshëm, i afërt me të gjithë veçanërisht me të rinjtë të cilët i formësoi”, ka thënë Jupolli.
Ka përmendur kontributin e Begollit si një nga themeluesit e Degës së aktrimit në Universitetin e Prishtinës, e pastaj edhe në drejtimin e Teatrit “Dodona”.
“Përveç punës së madhe krahas gjeneratës së tij me role që formësuan dhe institucionalizuan teatrin dhe filmin, Begolli ishte personalitet me kulturë të jashtëzakonshme në arsimimin e brezave të rinj”, ka thënë Jupolli.
Drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Sheremeti ka thënë se sjellja e Begollit e kishte bërë të ndjehej i çliruar dhe i barabartë edhe në momente të sikletshme. Ai kujtoi rastin e provimit pranues në Fakultetin e Arteve, ballafaqimin me profesorët dhe pyetjen e tij.
“Po më pyet Faruku, ose Faki qysh e kemi quajt ne, për emër. ‘qysh e ki emrin?’. Unë po i them ‘Kushtrim Sheremeti’. Më tha: ‘çka e ki Hakiun?’. I thashë: ‘familjar’. Më tha ‘edhe unë e kam familjar po të mos mendojnë këta që po të pranoj me intervenime të familjes”, ka kujtuar ai.
Pavarësisht që s’ka qenë në klasën e tij, Sheremeti ka kujtuar se Begolli ka qenë përherë aty për çdo këshillë të mundshme.
“Siç e tha edhe Armondi, shumica e sukseseve në kinematografi janë kontribut edhe i profesorit. Shumë mirë që po mbërrijmë me kujtu, me mbledhë edhe miq, edhe studentë të tij dhe me pa punën e tij që ka qenë e jashtëzakonshme”, ka thënë ai.
Midis të qytetarëve të pranishëm që janë ndalur për të shikuar filmat ku luan Begolli ishte edhe Musli Pirkuqi nga Opoja. Sipas tij, Begolli meriton çdo lavdatë.
“Ka qenë një humbje e madhe vdekja e tij për popullin tonë ngase shumë kohë kanë dashur të kalojnë për të marrë titullin e artistit te ne. Me të vërtetë është kënaqësi, sidomos për rini, të përkujtoj artistët me famë botërore”, ka thënë ai.
I lindur më 14 shkurt të vitit 1944, Begolli i takonte një familjeje të pasur në Pejë. Familjes së tij pushteti i atëhershëm ia kishte konfiskuar pronat, pasi llogariteshin “kulakë”. Fëmijëria për Begollin do të ishte një dramë në vete. E janë pikërisht dramat, ku Begolli do të frymonte si një prej artistëve më me nam në ish-Jugosllavi. Filmi është një histori më vete sa i përket krijimtarisë së artistit që bashkëpunëtorët e afër e thërrisnin “Faki”.
Ai mban rekordin e filmave, në të cilët ka luajtur një aktor shqiptar gjatë karrierës së tij - plot 58. Ai kishte bashkëthemeluar, përsëri me Enver Petrovcin, Shkollën e Teatrit në Prishtinë. U shfaq për herë të parë në filmin "Pogled u zjenicu sunca" ose "Looking Into the Eyes of the Sun" (1966). Dy vjet më vonë interpretoi në filmin "Uka i Bjeshkëve të Nemuna", si dhe në katër filma të tjerë në gjuhën serbokroate, duke ruajtur një ritëm të lartë: dy-tre filma në vit.