Dy histori të para tre dekadave kanë shumë të përbashkëta e po ashtu shumë dallime. Njëra nga Kosova, tjetra nga Afrika e Jugut. I bashkon falja. Ajo ringjallet në shfaqjen “Nën hijen e një peme u ula dhe qava” me tekst të Jeton Nezirajt nën regji të Blerta Nezirajt si një rrëfim për, siç e ka shpjeguar dramaturgu Neziraj, “ngjarje të mëdha shoqërore dhe historike, shumë të ndryshme por në shumë mënyra edhe të ngjashme, kanë në thelb faljen – si gurthemel i shërimit dhe kohezionit shoqëror, emancipimit dhe pajtimit”
Anton Çetta dhe Desmond Tutu do të jene ballë për ballë. Pajtimtarët që gjeografikisht vepruan në hapësira që ndahen nga mbi 8 mijë kilometra në vijë ajrore do të piqen në skenë teatri. Ata rrëfejnë, provokojnë, polemizojnë e japin mesazhe. Dyshja “ringjallet” në shfaqjen “Nën hijen e një peme u ula dhe qava”, prodhim i “Qendrës Multimedia” dhe “The Market Theatre” të Johanesburgut, bashkë me plot bashkëpunëtorë të tjerë. Kasta e aktorëve midis shqiptarësh dhe atyre të Afrikës së Jugut në shfaqjen që ka premierën këtë të premte në Gjilan, sjell dy histori të para tre dekadave që kanë shumë të përbashkëta e po ashtu shumë dallime. Por i bashkon falja. Pikëpyetjet e atyre proceseve bashkë me ato të faljeve që mund të ndodhin sot do të “shoshiten” në skenë në tri gjuhë në shfaqjen nën regji të Blerta Blerta Nezirajt me tekst të Jeton Nezirajt.
Në shpjegimet për shfaqjen jepen sfondet historike. Tregohet se në vitin 1990, me luftën në horizont, një grup ish-të burgosurish politikë, studentë dhe intelektualë nga Kosova nisën lëvizjen historike për pajtimin e gjaqeve. Sqarohet se deri në atë kohë, qindra familje në Kosovë ndodheshin në cikle armiqësie dhe gjakmarrjeje.
“Ajo që nisi si një lëvizje e vogël pajtimi, u shndërrua shpejt në një forum kombëtar publik, ku nëna, baballarë dhe anëtarë familjesh ngjiteshin në skenë përpara një audience dhe falnin gjakun e të dashurve të tyre familjes së vrasësit. U mbajtën shumë ‘seanca’ publike dhe qindra familje u pajtuan gjatë këtij procesi. Në total, u zgjidhën 1 mijë e 275 gjakmarrje dhe konflikte. Mbi gjysmë milioni njerëz morën pjesë në seancën e fundit publike të pajtimit”, shkruhet në sqarimet për shfaqjen.
Ndërkohë, pesë vjet më vonë, në vitin 1995 qeveria e Afrikës së Jugut inicioi Komisionin e së Vërtetës dhe Pajtimit, me qëllim shërimin e vendit dhe pajtimin e popullit, duke krijuar një hapësirë për t’u përballur me të vërtetën e krimeve të kryera gjatë aparteidit. Siç sqaron “Multimedia”, viktimat dhe kryerësit e krimeve vendoseshin përballë njëri-tjetrit, në një “gjyq” ku të vërteta të tmerrshme nga periudhat e dhunës, shtypjes dhe persekutimit bëheshin publike.
“Këto dy ngjarje të mëdha shoqërore dhe historike, shumë të ndryshme por në shumë mënyra edhe të ngjashme, kanë në thelb faljen – si gurthemel i shërimit dhe kohezionit shoqëror, emancipimit dhe pajtimit”, shkruhet në sqarim. Në krye të lëvizjes në Kosovë qe vënë intelektuali Anton Çetta. Kurse në krye të Komisionit në Afrikën e Jugut Desmond Tutu, i cili qe arqipeshkëv anglikan dhe fitues i çmimit “Nobel” për paqe. Tutu punoi për falje pas aparteidit.
Tash, bashkëproducentët, nëpërmjet arkivave dhe dëshmive të reja duke kombinuar një grup artistësh nga Evropa dhe Afrika, reflektojnë mbi mësimet që Fushata e Pajtimit të Gjakmarrjeve në Kosovë dhe Komisioni i së Vërtetës dhe Pajtimit në Afrikën e Jugut ofrojnë sot.
“Mësime që mund të na shërbejnë në një botë të zhytur sërish në dhunë e konflikt. Nëse 30 vjet më parë besohej se e vërteta mund të na çlironte, çfarë na çliron në epokën e sotme të post-së-vërtetës? Kur falim, a falim pa kushte?”, shkruhet në sqarimet e “Multimedias”.
Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se natyrisht që ka dallime të shumta të dy konteksteve, megjithatë, sipas tij, ka edhe shumë pikëtakime, ndër të cilat, më të rëndësishmet janë varfëria dhe shtypja.
“Shqiptarët e Kosovës kanë qenë populli më i varfër në ish-Jugosllavi, janë trajtuar si qytetarë të rendit të dytë, por po ashtu, kanë qenë edhe të shtypur e persekutuar. Dhe kështu kanë qenë natyrisht, edhe të zinjtë në Afrikë të Jugut”, ka thënë ai. Duke parafrazuar Vladimir Arsenijeviqin, ka thënë se shqiptarët e Kosovës “kanë qenë të zinjtë e ish-Jugosllavisë”.

“Megjithatë, ndërkohë që në kontekstin e Afrikës së Jugut ne jemi marrë me Komisionin, si një mekanizëm që është krijuar për ta ndihmuar tranzicionin pas përfundimit të aparteidit, në Kosovë kemi zgjedhur ta shqyrtojmë Aksionin e Pajtimit të Gjaqeve, një ndërmarrje shoqërore që i dha fund gjakmarrjes në Kosovë, në fillim të viteve të 90-ta”, ka sqaruar Neziraj. Sipas tij, e kanë qëmtuar këtë sepse donin të shihnin se si funksionon e si ka funksionuar falja e pajtimi, jo vetëm nga prizmi racor, por edhe kur ajo është gjeneruar e ka ndodhur brenda llojit. E ka përshkruar si njërin prej projekteve teatrore më komplekse që kanë realizuar deri më tani.
“Fakti që po ‘gjurmonim’ në një territor kaq të largët e të panjohur, por edhe në një temë kaq të ndjeshme, nënkuptonte që duhej të ishim shumë të përgjegjshëm. Dhe them se kemi qenë të përgjegjshëm. Përpos një hulumtimi të thellë, kemi intervistuar edhe dhjetëra njerëz në Kosovë e në Afrikë të Jugut, si dhe kemi pasur të angazhuar edhe profesionistë që na kanë këshilluar e na kanë ndihmuar në të kuptuarit e analizuarit më mirë të gjërave”, ka thënë ai.
Ka treguar se në Kosovë u kanë ndihmuar e këshilluar Riza Krasniqi e Agron Demi. Provat fillestare kanë nisur me një “material për skenë” të gjerë, i cili pastaj është gdhendur, rimodeluar e riorganizuar nga dramaturgu Greg Homann, dhe nga ekipi i shfaqjes.
“Prandaj, po, plot skena janë gjeneruar nga diskutimet me aktorët, e të tjera nga intervistat me njerëz ose nga materialet arkivore”, ka sqaruar Neziraj. Krejt në fund ka thënë se në shfaqje kanë bërë përpjekje të shohin koloritin e këtyre dy proceseve – faljes dhe pajtimit – që janë të lidhura me njëra-tjetrën, por natyrisht jo e njëjta gjë.
“Dhe fakti që ne tani, në këtë kohë, i njohim, i afirmojmë duke i rivizituar e i nxjerrim për shqyrtim këto dy vlera të këtyre dy proceseve, historikisht të dëshmuara si të rëndësishme për të dy shoqëritë, në Kosovë dhe në Afrikë të Jugut, mendoj që e shpjegon edhe vetë esencën e qasjen tonë artistike”, ka përfunduar ai.
Shfaqja bashkon aktorë eminentë shqiptarë si Ema Andrea, Ilire Vinca, Arben Bajraktaraj me ata të Afrikës së jugut, Kensiwe Tshabalala, Les Madem dhe Gontse Ntshegang.
Dramaturgu i shfaqjes, Greg Homann, njëherësh drejtor i “Market Theatre” të Johanesburgut, ka thënë se dy kontekstet flasin për nevojën njerëzore për të thyer ciklet e dhunës dhe të traumës. Sipas tij, falja është një negocim i vazhdueshëm midis kujtesës, dhimbjes dhe empatisë.
“Jetoni bëri një vizitë në Johannesburg në fund të vitit të kaluar për një konferencë, gjatë së cilës më kontaktoi mua si drejtor artistik i ‘The Market Theatre’. Në atë bisedë ai ndau interesin e tij për të krijuar një projekt që trajtonte këtë temë. Rastësisht, unë kisha filluar të mendoja se çfarë produksioni mund të vëmë në skenë në vitin 2026 për të shënuar 30-vjetorin në Afrikën e Jugut që nga fillimi TRC-së”, ka sqaruar ai. Sipas Homann, bashkëpunimi më pas u zhvillua nga kureshtja e përbashkët për të parë se si dy rajone të shënuara nga histori të ndryshme dhune dhe rimëkëmbjeje mund të flasin me njëra-tjetrën nëpërmjet teatrit.
“Pasuan shumë biseda, përfshirë edhe gjatë një vizite që unë bëra në Kosovë në mars. Ka qenë detyrë e Jetonit, si dramaturg, të përmbledhë ato biseda në një ton të përbashkët, i cili më pas u përsos më tej në dhomën e provave, përmes dialogëve të aktorëve me tekstin dhe nën udhëheqjen e vizionin e Blertës si regjisore”, ka sqaruar ai.
Provat qenë intensive. Por intensiteti i reprizave do të jetë po ashtu i lartë. Bashkëprodhimi ku po ashtu kanë hise edhe “São Luiz Teatro” i Lisbonës, “Teatro Della Pergola” në Firence, Teatri i Dortmundit, “Black Box Teater” i Oslos, festivali italian “Mittelfest”, “Théâtre de la Ville” nga Parisi, Teatri i Gjilanit, “Ruimtetijd” nga Amsterdami, “La MaMa” nga New Yorku dhe festivali “Sens Interdits Festival” në Lion, pas premierës në Gjilan e pret një rrugëtim i gjatë.
“Nën hijen e një peme u ula dhe qava” do të prezantohet në “Kosovo/North Macedonia Theatre Showcase” që mbahet prej 28 tetorit deri më 1 nëntor, si pjesë e turneut ballkanik. Në prill 2026 ajo do të niset në një turne evropian, në qershor 2026 në Afrikën e Jugut, dhe në mars 2027 do të shfaqet në New York.