Programi i Fabrikës Digjitale të Filmit të martën mbrëma është hapur me projeksionin e filmit dokumentar “School Time for Miss Roma” të regjisores Vesna Qudiq. Ky projekt i mbështetur përmes pakos për ringjallje ekonomike nga Ministria e Kulturës realizohet nga “DokuFest” me qëllim të pasurimit të jetës kulturore përmes programit të vazhdueshëm kinematografik
Tri herë në javë, deri në qershor, në “DokuKino” projektori i Fabrikës Digjitale të Filmit nuk do të ndalet së shfaquri dhjetëra dokumentarë edukativë temash të ndryshme dhe qëllimi i këtij programi nuk ndalet me kaq. Shpalosja e programit nga “DokuFesti”, që ka nisur të martën, është mbështetur nëpërmjet pakos për ringjallje ekonomike nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, dhe realizohet me qëllim të pasurimit të jetës kulturore nëpërmjet programit të vazhdueshëm kinematografik si në kinema ashtu edhe online.
Kreu i “DokuLabit” në “DokuFest”, Eroll Bilibani, ka bërë të ditur se në kuadër të programit të Fabrikës Digjitale të Filmit, në “DokuKino” do të ketë projeksione të filmave tri herë në javë, deri në muajin qershor, porse kanë edhe plane të tjera.
“Ne do të fillojmë me programe edukative të shfaqjeve të filmave tri herë në javë në ‘DokuKino’, me shpresë që ta zgjerojmë programin edhe në qytete të tjera. Dhe ky program që startoi sonte do të vazhdojë gjatë muajit shkurt e deri në muajin qershor, duke sjellë njërin prej programeve më ambicioze në rajon me rreth 60 filma deri në muajin qershor”, ka thënë Bilibani.
Sipas tij, ideja është që filmat me tema të ndryshme t’i ofrohen audiencës, ashtu që të rriten vizitat në kinema, por edhe të krijohen programe për institucionet arsimore.

“Projekti në përgjithësi është dizajnuar që t’i trajtojë katër tema. Kjo javë fillon me fuqizimin e vajzave dhe barazinë gjinore, do të vazhdojë me programin për ndryshime klimatike, do të kemi një program për edukim mediatik, si dhe programi i fundit do të jetë diversiteti kulturor dhe gjithëpërfshirja e cila do të përfundojë me shfaqjen e filmit ‘Push’ nga Fredrik Gertten dhe do të përcillet me një debat në temën e urbanizmit”, ka thënë ai.
Programi i Fabrikës Digjitale të Filmit të martën mbrëma është hapur me projeksionin e filmit dokumentar nga Kroacia të titulluar “School Time for Miss Roma”, të regjisores Vesna Qudiq, që shpalos tregimin se si tri vajza rome përpiqen të përfundojnë shkollën e mesme dhe të bëhen anëtarët e parë të familjes me diploma.
Këtë film e kanë ndjekur edhe aktivistët e komunitetit rom nga Prizreni, të cilët kanë vlerësuar se vajzat rome në këtë qytet po diplomojnë, porse po përballen me vështirësi në gjetjen e vendeve të punës.
“Po shohim që pozita e vajzave të komunitetit rom te ne në Kosovë, mund të them pikërisht në Prizren, dhe vajzat e Kroacisë që janë duke u prezantuar në këtë dokumentar është si dita me natën në sferën e edukimit. Në sferën e edukimit kemi shumë vajza të cilat po tregojnë sukses jashtëzakonisht të mirë”, tha Sylejman Elshani, aktivist nga komuniteti rom.
Sipas tij, tema për fuqizimin e vajzave dhe barazinë gjinore është e qëlluar.
“Çdo dokumentar, çdo prezantim i filmit që është duke u bërë është për vetëdijesimin e vajzave për t’u treguar se pa shkollim, pa edukim, pa integrim, nuk ka asgjë”, ka thënë ai.
Programi i rregullt i Fabrikës Digjitale të Filmit në “DokuKino” do të vijojë të enjten me shfaqjen e filmit nga Suedia, “Ouaga Girls” të regjisores Theresa Traore Dahlberg dhe të premten me shfaqjen e filmit nga Izraeli, “Soldier Woman: To See If I’m Smiling” nga Tamar Yarom.