Kulturë

“Everything...” dominues në “Oscarin” me mesazhe lirie e besimi në art

Ekipi i filmit “Everything Everywhere All at Once”, fitues i shtatëfishtë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve nga “Academy Awards” (Foto: AP)

Një film ku realiteti e iluzioni ndeshen goxha, ka marrë 7 çmime “Oscar” nga 11 nominimet që kishte, përfshirë kryesorin, atë për filmin më të mirë. Kjo ka bërë që ekipi i filmit “Everything Everywhere All at Once” të largohet nga teatri “Dollby” – ku zakonisht mbahet ceremonia – me numër të madh trofesh të arta. Çmimet e tjera prekin histori të ndryshme. Midis tyre edhe ato të shoqërive që autokracia i ka bërë të jenë të ngufatura në krijimtari. Lufta në Ukrainë e historia e opozitarit rus Alexei Navalny janë marrë si shembuj se njerëzimi duhet të ketë të tjera ambicie

Bota e filmit sikurse çdoherë tash e 95 edicione ka pasur sytë nga ajo që ndodh në Los Angeles. Çmimet më prestigjioze nuk flasin vetëm për vlerësime të anëtarëve të Akademisë. Shkojnë përtej duke çuar mesazhe se nga po ecën industria e kinematografisë.

Të dielën një film ku realiteti e iluzioni ndeshen goxha, ka marrë 7 çmime nga 11 nominimet që kishte, përfshirë kryesorin, atë për filmin më të mirë. Kjo ka bërë që ekipi i filmit “Everything Everywhere All at Once” të largohet nga teatri “Dollby” – ku zakonisht mbahet ceremonia – me numër të madh trofesh të arta. Çmimet e tjera prekin storie të ndryshme. Midis tyre edhe ato të shoqërive që autokracia i ka bërë të jenë të ngufatura në krijimtari. Lufta në Ukrainë e historia e opozitarit rus Alexei Navalny janë marrë si shembuj se njerëzimi duhet të ketë të tjera ambicie.

Realja e iluzioni bashkojnë 7 çmime

Komedia e zhanrit aksion “Everything Everywhere All at Once”, me Michelle Yeoh si pronare lavanderie që lufton me të ligën duke u lidhur me versione të ndryshme të vetes në universe paralele dominoi ceremoninë kryesore të çmimeve kinematografike në botë.

Kthimi në shtëpi i këtij filmi me krejt çmimet e fituara nuk është komentuar si befasi, megjithëse ka prej kinematografëve që mendojnë se çmimet ishte dashur të ishin më të larmishme. Prej kur nominimet ishin bërë të ditura ky film u kthye në favorit të publikut e kritikëve. Pikërisht për faktin se e shtjellon temën e universeve paralele më ndryshe se që shikuesi është mësuar të presë e aq më pak si garues për çmimet e Akademisë. Kjo e vë në pah kahun e ri që ka marrë vlerësimi i filmave në Hollywood. Nga kritikët shpesh është theksuar se Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit i ka disa kritere të pashkruara të cilat një projekt filmik duhet t’i plotësojë për të marrë çmimin prestigjioz “Oscar”. E kundërta e këtyre kritikave u dëshmua me triumfin e filmit të regjisorëve Daniel Kwan dhe Daniel Scheinert. Ceremonia e këtij viti përfshiu një numër rekord artistësh aziatikë të nominuar për kategoritë e aktrimit. Ishte pikërisht protagonistja kryesore në filmin “Everything Everywhere All at Once”, Michelle Yeoh, që e mori Çmimin për aktoren më të mirë. Kësisoj u bë aziatikja e parë laureate e këtij çmimi.

“Mos u dorëzoni asnjëherë”

Fjalimet pasi pranuan çmimet depërtuan te secili i pranishëm, të cilët emocionin nuk e fshihnin nga shprehjet e fytyrës. Yeoh u bëri thirrje të gjithë vajzave dhe djemve që të mos dorëzohen.

“Për të gjitha vajzat dhe djemtë të cilët duken si unë dhe janë duke na ndjekur sonte, kjo është një shkëndijë shprese dhe mundësish. Kjo është një dëshmi se ëndrrat bëhen realitet. Dhe ju zonja, mos lejoni askënd t’ju thotë se koha juaj ka kaluar. Mos u dorëzoni asnjëherë”, ka thënë Yeoh në fjalimin pas pranimit të trofeut të artë.

Bashkëpunëtori i saj Ke Huy Quan – refugjat i lindur në Vietnam – mori gjithashtu Çmimin për aktorin më të mirë në rol dytësor. Për të kjo ishte një ëndërr e bërë realitet. I përlotur gjatë fjalimit, ai ka thënë se kjo është ëndrra amerikane dhe ajo çka paraqitet në filma që të lënë me shpresë.

“Nëna ime është 84-vjeçe dhe është në shtëpi duke na parë. Nënë, sapo fitova një ‘Oscar’! Rrugëtimi im filloi në një barkë, kam kaluar një vit në një kamp refugjatësh dhe disi kam përfunduar këtu në skenën më të madhe të Hollywoodit. Thonë se historitë e tilla ngjajnë vetëm në filma. Nuk po mund ta besoj se kjo është duke më ndodhur mua. Kjo është ëndrra amerikane” ka thënë Huy Quan.

Tërë pozitivitet gjatë gjithë mbrëmjes ishte aktorja Jamie Lee Curtis. Ashtu e pranoi edhe Çmimin për aktoren më të mirë në rol dytësor në filmin “Everything Everywhere All at Once”. Lee Curtis çmimin ua dedikoi të gjithë atyre që e mundësuan realizimin e filmit dhe atyre që e përkrahën atë. Duke e vënë theksin te prindërit e saj.

“Unë e di që duket sikur këtu jam vetëm. Por, nuk jam. Jam sa qindra njerëz. Jam Michelle Yeoh, Ke Huy Quan, Stephanie Hsu – i gjithë grupi i artistëve që e bënë këtë film – sapo fituam një ‘Oscar’”, ka thënë Lee Curtis.

Image
“All Quiet on the Western Front”, i vlerësuar si filmi më i mirë ndërkombëtar, ka bërë që të jepen mesazhe kundër luftërave

Thirrjet kundër luftërave dhe autokracisë

Vëmendja gjatë mbrëmjes së të dielës nuk i mungoi as filmit në gjuhën gjermane “All Quiet on the Western Front” me skenar të adaptuar nga romani i Erich Maria Remarque, ku shpalosen histori të Luftës së Parë Botërore. Epika e luftës shënoi katër fitore, duke përfshirë çmimin në kategorinë e filmit më të mirë ndërkombëtar.

“Kjo do të thotë shumë për ne”, ka thënë regjisori Edward Berger në fjalimin e pranimit të çmimit para se ta kthente vëmendjen e tij te protagonisti kryesor Felix Kammerer. “Ky ka qenë filmi yt i parë dhe e tërë barra ka qenë mbi supet tua. E keni bartur si të mos jetë asgjë. Pa ty asnjë nga ne nuk do të ishte këtu”, ka thënë ai, duke iu drejtuar Kamerierit. Filmi që shpërfaq realitet lufte të kohës kur bota pësoi konfliktin e parë me përmasa globale ka bërë goxha rrugë të suksesshme para se të triumfojë në “Oscars”. Pos çmimeve të tjera, sivjet nga ceremonia e çmimeve “Bafta” ka dalë me 7 trofe duke përfshirë çmimin kryesor. Ky film është vlerësuar lart si projekt i realizuar në mënyrë shumë bashkëkohore e që njëkohësisht nxjerr në pah detajisht ndjesitë dhe fatkeqësitë që sjell lufta. Koha kur është shfaqur duke komunikuar fort me luftën në Ukrainë, ka bërë që filmi të jetë në qendër të vëmendjes gjithandej botës, si një thirrje që dëshmon për pasojat e luftërave.

Prej shkurtit të vitit të kaluar Rusia është bërë shkaktare e një lufte të re në Evropë, duke nisur pushtimin e Ukrainës. Krejt Perëndimi për këtë akuzon presidentin rus, Vladimir Putin. Por, në edicionin e sivjetmë të “Oscars”, Akademia ka ndarë Çmimin për dokumentarin më të mirë pikërisht për projektin që tregon se si Putini sillet me oponentët politikë. Dokumentari “Navalny”, nën regji të Daniel Roher, tregon një realitet të trishtë për mbajtjen e opozitarit rus në burg. Paraprakisht Navalny kishte akuzuar shtetin e tij për tentim të helmimit. Roher e ka pranuar çmimin duke dalë në skenë bashkë me bashkëshorten e Navalnyt, Julia dhe fëmijët e tyre.

“Bota nuk e ka harruar mesazhin tënd jetik për të gjithë. Ne nuk duhet të kemi frikë që të kundërshtojmë diktatorët dhe autoritarizmin kudo që ai ngre kokën”, ka thënë regjisori, duke iu drejtuar Navalnyt. Ai po ashtu ka bërë thirrje për ndaljen e luftës në Ukrainë. E gruaja e Navalnyt ka pasur një mesazh prekës: “Alexei, po ëndërroj ditën që ti do të jesh i lirë dhe vendi ynë do të jetë i lirë. Qëndro i fortë, dashuria ime!”, ka thënë Julia Navalny.

Telashet e obezëve si fenomen

Një mësues të gjuhës angleze, i cili mbyllet në banesën e tij për të ngrënë deri në vdekje, e portretizon Brendan Fraser në filmin “The Whale”. Nën regjinë e Darren Aronofskyt, filmi trajton temën e obezitetit nga një këndvështrim më ndryshe se që adresohet kjo çështje nga shoqëria. Është në stilin e regjisorit që fenomenet negative të shoqërisë t’i trajtojë nga një aspekt fiktivo-psikologjik e nganjëherë edhe të sikletshëm. Rolin kryesor në “The Whale” ai ia besoi Fraserit, i cili e mori çmimin për të. Që nga momenti kur u thirr emri i tij e edhe gjatë fjalimit, Fraser nuk i ndalte dot lotët.

"Zoti im, falënderoj Akademinë për këtë nder edhe studion A24 për realizimin e një filmi kaq të guximshëm. I jam mirënjohës regjisorit Darren Aronofsky që më hodhi një litar shpëtimi dhe më mori në bordin e anijes të ‘The Whale’, ka thënë Fraser pas pranimit të çmimit.

Pritshmëritë për porosi më të gjera

Çmimet “Oscar” janë vendimtare sa i përket botës së kinematografisë. Filmbërësit nga Kosova kohëve të fundit nuk kanë qenë larg trofeve. “Shok” do të nominohej më 2016 e “Zgjoi” më vonë qe në rrethin e ngushtë para nominimeve.

Regjisori e profesori universitar i regjisë, Isa Qosja, ka thënë se personalisht meqenëse e ka parë filmin gjerman për luftën, pos që i ka pëlqyer edhe i ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme.

“Është mirë i xhiruar, i punuar ndryshe e me një mesazh të jashtëzakonshëm e shumë aktual. Kam pritur që ai film do ta dominojë ‘Oscarin’. Ky që fitoi e di se për çfarë bën fjalë, por nuk e kam parë. Nuk e di se a bën t’i jepen të gjitha ato çmime”, ka thënë ai. sipas Qosjes, filmat që kanë trajtuar problemet sociale e familjare janë vlerësuar gjithmonë.

“Bota është në një krizë të tillë e mendoj që me filmin gjerman mund të jepej një shembull me mesazhin e tij. Ai film mori edhe çmime të rëndësishme paraprakisht dhe tregoi se është në rrugë të mirë. Por, nuk e di çfarë ndodhi”, ka thënë Qosja.

Zëvendësuesi i drejtorit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Lum Çitaku, ka thënë se nuk është befasia e madhe që “Everything Everywhere all at Once” ka fituar. “M’u më është dukur shumë interesant që Hollywoodi përfundimisht po e bën një film të tillë. Gjenerata e re është shumë e familjarizuar me këtë spiritualen dhe kuantikën. Dhe është shumë e bukur që e kemi një film ‘blockbuster’ që e trajton këtë temë dhe merr një çmim”, ka thënë ai. Sipas Çitakut, është shumë me rëndësi të kuptohet rëndësia e promovimit të filmit. Sipas tij, kategoria “Filmi më i mirë i huaj” është luftë për vëmendje.

“Në nivel vendor duhet të bëjmë të gjitha që kemi mundësi për të ngritur promovimin e filmit”, ka thënë Çitaku.

Spektakli i këngëtarëve

Secili prej filmave “blockbuster” përmbylli mbrëmjen me një trofe të artë. “Top Gun: Maverick” mori në shtëpi çmimin për “Dizajnin më të mirë të tingullit” për sekuencat e veprimit të lartë. Derisa filmi fantastiko-shkencor “Avatar: The Way of Water” rrëmbeu trofeun për efektet më të mira vizuale. “Black Panther: Wakanda Forever” fitoi për dizajnin më të mirë të kostumeve.

“Faleminderit Akademisë për njohjen e superheroit që është një grua e me ngjyrë”, ka thënë Ruth E. Carter gjatë fjalimit të saj të pranimit të dielën mbrëma. “Ajo duron, dashuron, kapërcen, është çdo femër në këtë film, është nëna ime”, ka pambyllur fjalimin ajo.

Mbrëmjes së të dielës veçantinë ia shtuan edhe performancat muzikore nga dy yjet e skenës, Rihanna dhe Lady Gaga.

Performanca e Rihannas me këngën “Lift Me Up” nga kolona zanore e “Black Panther: Wakanda Forever” u prit me duartrokitje frenetike. Performanca e Lady Gaga në “Oscars 2023” erdhi më ndryshe prej asaj që audienca është mësuar të shohë në skenën prestigjioze. Për të kënduar këngën e nominuar “Hold My Hand”, ylli i popit ishte veshur thjesht me një bluzë të zezë, xhinse të grisura e atlete dhe dukej se nuk kishte fare grim. Pamja e saj gjatë performancës ishte një kontrast i fortë nga grimi dhe veshja qe pati në tapetin e kuq.

Mbrëmja nuk kaloi pa batuta. Për humorin e të pranishmëve dhe audiencës u kujdes prezantuesi i mbrëmjes Jimmy Kimmel, i cili e kujtoi skandalin e vitit të kaluar në mes Chris Rock dhe Will Smith. Ia bëri me dije çdonjërit të pranishëm se nëse kanë ndërmend ndonjë veprim si ai i Will Smith një vit më parë duhet të kalojnë nëpër disa persona që po kujdesen për të.

“Nëse ndonjëri nga ju në këtë teatër bëni ndonjë veprim të dhunshëm sonte, do të keni mundësinë e marrjes së çmimit për “Aktorin më të mirë” të përcjellë me një fjalim 19 minutash” ka thënë Kimmel në monologun e hapjes së ceremonisë.

Shakatë e Kimmel u pranuan me të qeshura për të vazhduar me mbrëmjen dhe ndarjen e çmimeve prestigjioze e me emocionet e shumta që solli për audiencën ceremonia e sivjetme. Krejt këto momente bashkë me çmimet e ndara kanë vulosur këtë ngjarje, e cila pavarësisht kritikave vazhdon të jetë pika qendrore që kinematografët botërorë e synojnë.