Në kuadër të festave të nëntorit, Muzeu Historik Kombëtar në Tiranë, në bashkëpunim me piktorin Arben Morina, hapi të premten ekspozitën “Etërit e Pavarësisë”, e cila përmban portretet e 40 firmëtarëve të aktit të Pavarësisë së Shqipërisë, si edhe artefakte të firmëtarëve.
Arben Morina, si zëri kryesor i ekspozitës, në fjalën tij ka falënderuar Muzeun Historik Kombëtar dhe gjithë stafin e këtij institucioni, që ia dha një dimension tjetër festës në kushtet me të cilat po përballet shoqëria në kohë pandemie, me një ngjarje të tillë që përçon ndjenjë shprese dhe solidariteti te publiku.
“Për mua kjo ekspozitë ka një rëndësi të veçantë dhe kam ndier gjithçka që kam bërë, pasi vetë gjyshi im, Zihni Abas Kanina Hamzaraj, ishte një nga nismëtarët e shpalljes së pavarësisë. Uroj edhe një herë Muzeun Historik Kombëtar për këtë organizim që është bërë në mënyrën më të përsosur”, ka thënë ai.
Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dorian Koçi, ka thënë se në “Nëntorin e Lirisë”, muajin e shpallur nga Ministria e Kulturës për t’i përkujtuar ngjarjet më të rëndësishme të kombit shqiptar, Muzeu Historik Kombëtar, që si çdo vit ka qenë në avangardë me këto lloj aktivitetesh, ka organizuar ekspozitën “Etërit e Pavarësisë”, realizuar nga piktori Arben Morina, të 40 firmëtarëve të pavarësisë. “Ajo që dëshiroj sot është të falënderoj Arben Morinën dhe stafin që e kanë ideuar këtë ekspozitë në emër të Muzeut Historik Kombëtar, pasi për herë të parë hapet në shtëpinë më të madhe të trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në Muzeun Historik Kombëtar. Kjo ekspozitë është një kombinim i përkryer i portreteve në pikturë të etërve tanë, të 40 firmëtarëve të pavarësisë, dhe objekteve të tyre personale që ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar”, ka thënë ai, duke folur për përmbajtjen e ekspozitës.
“Kemi të ekspozuar një kopje të aktit të shpalljes së pavarësisë dhe disa objekte të Luigj Gurakuqit e Kristo Floqit, për të bërë të mundur këtë lloj harmonie në pasqyrimin e kësaj ekspozite në kombinim me veprat e prezantuara në pikturë të shumë të talentuarit Arben Morina. Nuk mund të mos mungonin Isa Boletini dhe Ismail Qemali, të dy këta kolosë të Pavarësisë së Shqipërisë. Ekspozita e sotme me foto, me pikturat përkatëse të të gjithë atyre që kanë nënshkruar aktin e Pavarësisë dhe me një informacion të gjerë mbi aktivitetin e tyre patriotik, përbën një informacion të munguar prej kohësh, sidomos për brezin e ri”, ka thënë ai.
-
Mbrojtja e përhershme e Deklaratës së Pavarësisë, kërkesë edhe në 18-vjetor
-
112-vjetori i pavarësisë bën bashkë Ramën e Kurtin në Vlorë
-
Portretet e Lidhjes së dytë të Prizrenit si jehonë e idealit
-
“Dita e Çlirimit” – tabloja e lirisë
-
Figura e Skënderbeut shpaloset si kalorës e strateg unik në Evropë