Kulturë

Është përuruar në Tiranë “Shtëpia me gjethe” si muze i përgjimeve

Dje në Tiranë u hap për publikun Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe”, godina e mistershme që prej 45 viteve mbuluar nga gjethet iu fsheh syrit të publikut dhe ku u përgjuan, kontrolluan dhe spiunuan njerëz të pafajshëm nga regjimi komunist.

“Shtëpia me Gjethe”, e kthyer në muze të memories, projekt i Ministrisë së Kulturës, është dëshmia më therëse e një regjimi që synonte kontrollin total mbi trupat e shpirtrat e njerëzve.

Muzeu është projektuar sipas standardeve europiane nga një grup në përbërje të të cilit edhe ekspertë tëhuaj dhe me konsulencë ndërkombëtarë nga institute dhe muze me tematike të ngjashme. Ai është i ndarë në 9 sektorë që trajtojnë aspekte të ndryshme të veprimtarisë së kryer në këtë shtëpi që prej ndërtimit të saj në fillim të viteve 30’-të dhe deri në vitin 1991.

Kryeministri Edi Rama e cilësoi muzeun më të ri të hapur dje në Tiranë “Shtëpia e Gjetheve”, një shtëpi ku fshihet një thesar i kujtesës sonë kolektive.

Gjatë ceremonisë së përurimit të këtij muzeu, kryeministri Rama theksoi se “nga Bunkart 1 dhe Bunkart 2 deri sot tek ky muze, për nga gjithë procesi, nga përfshirja e njerëzve që i dhanë jetë dhe nga muzeografia si themel i punës së bërë, është pa dyshim guri më i çmuar i kurorës”.

“Ky muze është një thesar që na jep mundësi të zbulojmë pjesë të tjera të këtij mozaiku që mbeten për të zbuluar me ngjarje, personazhe, lidhjen e shtetit me njerëzit, periudhave, që janë deri këtu sot të mbuluara nga pluhuri i harresës”, nënvizoi Rama.

Hapja e këtij muzeu, vijoi ai, është kurorëzimi i një pune aspak të lehtë për t’i dhënë jetë këtij muzeu, në një vend ku historia e përcaktoi si pikën ku duhet të lindin fëmijë nënat e reja dhe pastaj e transformojnë pikën ku lindte çdo ditë frika, që rrezatonte shtëpia fantazmë e gjetheve.

Kreu i qeverisë u shpreh se “është e domosdoshme që ne të përputhim raportin tonë me të shkuarën në funksion të së ardhmes, shpesh herë kemi qenë dëshimtarë sesi reagohet ndaj këtyre projekteve”.

Image

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, falënderoi Agjencinë Telegrafike Shqiptare për fotot, Arkivin e Shtetit për dokumentat.

Kumbaro theksoi se, “në korrik të 2014-ës mendova se e kisha kaluar tmerrin e përgjimit të diktaturës. Por vitet ’90-të hoqën zvarrë këtë histori me emra spiunësh dhe dosjesh”.

Unë, vijoi ajo, i përkas brezit të çimkave, kur të gjithë përgjonin të gjithë.

Duke folur për shndërrimin e kësaj godine në muze, Kumbaro tha se “kjo ndërtesë u ngrit si klinikë obstetrike për t’i dhënë jetë njeriut , por në fakt u përdor për t’ia marrë jetën njeriut. Ndërtesat e harruara dhe të rrënuara po i rikonstruktojmë. Që nga 2014 kemi punuar për planin e ndërtimit dhe muzealizimin e kësaj ndërtese”.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “do të mirëpresim çdo kontribut, dëshmi e dokument. Këtu historia sapo ka filluar, rrugë të mbarë muzeut më të ri në Shqipëri”.

E ndërtuar në vitin 1931, godina, e njohur në Shqipëri si “shtëpia e gjetheve” fillimisht ka patur funksionin e një klinike. Gjatë luftës së dytë botërore, nën pushtimin gjerman, ajo i përkiste Gestapo-s, ndërkohë që fill më pas, gjatë viteve të para të regjimit të ri, ajo u bë një qendër e Sigurimit (Policia politike) e përdorur për hetime. Nga viti 1950 ajo u bë zyra qendrore e seksionit teknik dhe shkencor të sigurimit.