Kulturë

Ernest Koliqi – urë lidhëse për kulturën shqiptare, besimtar i artit

Me ekspozitë e orë letrare, dita e dytë e “Javës së Bibliotekës në Kosovë” ka pasur në fokus shkrimtarin e veprimtarin e shquar Ernest Koliqi si figurë poliedrike. Poeti e studiuesi Agim Vinca ka thënë se Ernest Koliqi ishte një moderator i shkëlqyer i vlerave kulturore e shpirtërore i kombit të vet, veçmas një urë lidhëse midis kulturës shqiptare dhe asaj italiane. Sipas studiuesit Ndue Ukaj, ai ishte besimtar i artit dhe fuqinë e tij e konsideronte të epërme

Janë vepra që paraqesin kohët kur ka vepruar autori, preokupimet e tij, bashkë me interesimin që të promovojë kulturën e popullit të cilit i takon. Gjatë kohës kur jetoi Ernest Koliqi, historia kishte bërë që ai të përjetonte regjime të ndryshme në Shqipëri, përfshirë Mbretërinë Shqiptare, periudhën e pushtimit fashist e më pas do të ikte nga komunizmi. Kjo bëri që Koliqi të jetonte shumë edhe jashtë atdheut të tij. Por nuk ndalej së krijuari dhe pos kësaj, edhe së promovuari kulturën shqiptare, përfshirë edhe vepra të personaliteteve që i takonin regjimit që ia kishte mundësuar qëndrimin në Shqipëri.

Ekspozita “Ernest Koliqi në 120-vjetorin e lindjes” në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, u ofron vizitorëve një pasqyrë të krijimtarisë së Ernest Koliqit. I lindur më 20 maj të vitit 1903 në Shkodër, Koliqi është një prej aseteve kulturore të shqiptarëve. Pos veprave të tij në poezi e prozë, revista që ka themeluar e udhëhequr bashkë me antologjitë që ka shkruar, e bëjnë atë figurë poliedrike. Në kuadër të Javës së Bibliotekës në Kosovë, BKK-ja ka ekspozuar të gjitha veprat që i posedon nga ky autor e edhe të tjera studimore që kanë në fokus krijimtarinë e Koliqit.

“Hija e Maleve” , botim i vitit 1929, “Kushtrimi i Skanderbeut”, botim i vitit 1924 e “Tregtar flamujsh”, botim i vitit 1935, janë midis veprave që zënë vend në ekspozitë, krahas revistave e antologjive. Përtej ekspozitës së hapur paraditen e së martës, në orën letrare “Ora e Ernest Koliqit”, studiuesit e veprës së tij kanë paraqitur pikëpamjet për këtë autor. Agim Vinca, Albana Mehmetaj e Ndue Ukaj e kanë përshkruar Koliqin si një krijues intelektual e patriot.

Profesori universitar, Agim Vinca ka folur për veprën e Koliqit, “Antologji për lirikën shqipe”. Ka treguar se kjo antologji është botuar më 1963 në Romë në një mijë kopje. Ishte koha kur Koliqi nuk kishte kontakte me Shqipërinë shkaku i regjimit komunist. Vinca ka rrëfyer se ai kishte në dorë kopjen që vetë Koliqi i kishte dhënë historianit Hasan Kaleshi me mbishkrimin: “Hasan Kaleshit” me miqësinë shqiptare”. Vinca ka treguar se në këtë antologji përfshihen 32 poetë, midis tyre Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Ndre Mjeda, Ali Asllani, Lasgush Poradeci, Migjeni, Esad Mekuli, Din Mehmeti, Dritëro Agolli e Besim Bokshi.

Image
Përtej ekspozitës së hapur paraditen e së martës, në orën letrare “Ora e Ernest Koliqit”, studiuesit e veprës së tij kanë paraqitur pikëpamjet për këtë autor. Agim Vinca, Albana Mehmetaj e Ndue Ukaj e kanë përshkruar Koliqin si një krijues intelektual e patriot

“Antologjia e Koliqit është konceptuar si antologji e lirikës e jo e poezisë shqipe në përgjithësi”, ka thënë Vinca. Sipas tij, vërehet mungesa e disa autorëve, midis të tjerëve ka marrë shembull edhe Zef Seremben.

“Ndryshe nga disa krijues tjerë të brezit të tij, Koliqi tregohet mjaft tolerant sa i përket përkatësisë krahinore, fetare e madje edhe ideologjike të shkrimtarëve. Kjo ka shumë rëndësi”, ka thënë Vinca. Koliqi kishte përfshirë në antologjinë e botuar në italisht edhe Dritëro Agollin, i cili ishte pjesë e pushtetit komunist shqiptar, e që ishte pikërisht ai pushtet prej të cilit kishte ikur Koliqi. Vinca ka përmendur se Koliqi kishte vepruar më mirë sesa disa studiues që ditëve të sotme në antologji nuk përfshijnë krejt autorët shqiptarë. Ka pasur fjalën për antologjinë e Rudolf Markut, në të cilën bëjnë pjesë vetëm autorët e Shqipërisë. Në këtë rast Vinca ka thënë se ajo antologji ka krijuar skandal. I është kthyer Koliqit duke thënë se antologjinë e vitit 1963 e kishte shkruar në italisht për ta bërë të njohur kulturën shqiptare për italianët.

“Ernest Koliqi ishte një moderator i shkëlqyer i vlerave kulturore e shpirtërore i kombit të vet, veçmas një urë lidhëse midis kulturës shqiptare dhe asaj italiane”, ka thënë Vinca.

Studiuesi Ndue Ukaj ka thënë se në historinë e artit dhe të kulturës shqiptare, Ernest Koliqi shquhet si poet e tregimtar me ndjeshmëri të thella artistike, si profesor e drejtues i revistës me peshë kulturore “Shêjzat”, si ministër Arsimi e drejtues institucionesh. Më pas edhe si përkthyes nga italishtja në shqip dhe anasjelltas, si studiues i zellshëm që çmon punët e të tjerëve. Sipas Ukajt, Koliqi ishte besimtar i artit dhe fuqinë e tij e konsideronte të epërme.

“Koliqi në veprën letrare e studimore e lidh bukur traditën me të tashmen dhe bëhet shprehje e së resë, duke themeluar tregimin modern shqiptar e duke krijuar institucione të vlefta kulturore”, ka thënë Ukaj. Sipas tij, Koliqi ishte i bindur se një shoqëri vlen aq sa është e kulturuar, përparon aq sa i kushton vëmendje e rëndësi kulturës dhe pranohet në vlerat e përbotshme aq sa ka forcë t’u japë vlera ushqyese kulturës dhe civilizimit botëror.

“Prandaj përpjekja e tij për t’i dhënë kombit vlera shumëdimensionale nuk pushoi kurrë”, ka thënë Ukaj. Ka përmendur edhe fillimin e viteve ’40, kur Koliqi si ministër i Arsimit kishte dërguar në Kosovë mësimdhënësit shqiptarë në mënyrë që të rinjtë e kësaj ane të nisnin mësimet në gjuhën shqipe.

“Koliqi tanimë e ka fituar kohën e pambarim”, ka përfunduar Ukaj. Studiuesja Albana Mehmetaj në këtë orë letrare, ku janë lexuar edhe disa poezi të Koliqit në bashkëpunim me “Kultplus”, ka folur për aspekte të ndryshme të poezisë e prozës së Koliqit.

Në hapje të ekspozitës, drejtori i BKK-së, Fazli Gajraku, ka thënë se Koliqi është një nga figurat e mëdha të kulturës shqiptare. Sipas tij, për Koliqin ende s’ka një jetëshkrim të plotë e gjithashtu, mungojnë studime thelbësore të veprave të mëvetësishme të këtij autori dhe të aspekteve të veçanta të tyre. Të pranishmeve u është drejtuar duke thënë se Koliqi shkollimin e nisi në vendlindje e më pas e vijoi në Itali. Ka përmendur se nga viti 1924, me rikthimin e Legalitetit në pushtet, për një kohë, doli në mërgim e jetoi në Bosnjë, Kroaci e Itali.

“Koliqi mori pjesë në shoqëri patriotike, lëvizje politike e qe edhe ministër i Arsimit në Qeverinë e Shqipërisë (1941–1942), në të cilën kohë ai ndërmori një mision arsimor e atdhetar të gjerë. Njihet sidomos dërgimi i më shumë se 200 mësuesve në Kosovë dhe në hapjen e shumë shkollave shqipe, në Kosovë, në Maqedoni dhe në Mal të Zi”, ka thënë Gajraku. Pas ikjes nga Shqipëria më 1943, Gajraku ka përmendur se Koliqi në Romë arriti ta themelojë dhe Institutin e Studimeve Shqiptare.

“Prej atëherë e deri në vdekje, gjatë 32 vjetëve të mërgimit, ndihmoi shumë mërgimtarë, por arriti edhe të ruajë komunikimin edhe nëpërmjet letërkëmbimeve me miq të vjetër intelektualë e veprimtarë politikë, brenda e jashtë atdheut, të njohur për kontributet e tyre në kulturë e arsim, e për qëndresën politike kundër dhunës komuniste”, ka thënë ai. Sipas tij, BKK-ja në ekspozitë ka përfshirë krejt koleksionin që e posedon në raport me Koliqin.

“Kjo ekspozitë është më shumë se në një kuptim, një shtrirje e natyrshme dhe bazohet në një shkallë të madhe mbi informacionin e verifikuar dhe të grumbulluar në mënyrë sistematike. Është një vazhdim dhe një zgjerim i listës kontrolluese të librave dhe artikujve të Koliqit dhe të veprës së tij”, ka thënë Gajraku.

Java e Bibliotekës gjatë ditës së martë ka vazhduar me kumtesa që kryesisht kanë elaboruar temën bosht “Biblioteka dhe shërbimi i referencave”, përderisa sot (e mërkurë) aktivitete do të mbahen në Prizren e Gjakovë.