Kulturë

Enver Petrovci: E pranova çmimin me shpresë se po rikthehen vlerat

Në mëdyshje nëse duhet ta pranojë Çmimin për vepër jetësore, ka thënë të ketë qenë aktori Enver Petrovci. Por ka vendosur ta pranojë atë, siç ka thënë, duke besuar se po rikthehet koha kur çmohen vlerat. Për të është çmimi i parë që e merr prej shtetit të Kosovës, ku institucionet deri tash e kanë refuzuar e nënçmuar. “E pranova këtë çmim që t’i ndihmoj Qeverisë që të mos fillojë me të keq. Ndoshta po ndryshon koha me këtë ministër dhe Qeveri të re”, ka thënë ai për KOHËN, pak orë pas ceremonisë, ku janë ndarë edhe çmimet e tjera vjetore në fushën e teatrit

Mesdita e së premtes së 28 majit, Enver Petrovcit ia ka sjellë çmimin e parë nga shteti i Kosovës. Në goxha mëdyshje thotë të ketë qenë nëse duhet ta pranojë atë.

Me Çmimin për vepër jetësore, Enver Petrovci është nderuar nga Ministria e Kulturës, në një ceremoni të thjeshtë, ku janë ndarë edhe çmime vjetore për teatër. Një jetë të tërë me artin teatror e filmik, për Petrovcin është një histori e refuzimit dhe nënçmimit në vendin e tij. Fakti që këtë çmim po ia japin në moshën 67-vjeçare ka thënë se ia shtonte mundësinë e refuzimit. Për ta kundërshtuar këtë mundësi, Petrovci vendosi që ta merrte atë, duke besuar se koha e vlerave po kthehet me udhëheqjen e re shtetërore.

“Për këtë arsye e pranova këtë çmim, që t’i ndihmoj Qeverisë që të mos fillojë me të keq. Ndoshta po ndryshon koha me këtë ministër dhe Qeveri të re, ndoshta po fillon me ndryshu koha që të shikohen edhe vlerat”, është shprehur Petrovci, pak orë pasi ka marrë çmimin, në intervistën për emisionin “Express” të KTV-së.

Petrovci e ka vlerësuar se ky është çmim i moralit, i nderit që zakonisht artistëve u jepet në një moshë më të shtyrë dhe shpesh një të tillë e kanë marrë për hir të moshës më shumë sesa për merita.

“Kur vjen në një moshë, njerëzit të shikojnë se si jeni me shëndet dhe ta japin çmimin. Ka të tillë që kur e marrin këtë çmim thonë se tani është radha të vdesësh”, ka thënë gjatë intervistës Petrovci.

Në përshkrimin e jurisë së kryesuar nga Ilir Bokshi dhe anëtarët Astrit Kabashi, Shengyl Ismaili, Ben Apolloni dhe Kushtrim Koliqi, Petrovcit i dedikohet ky çmim për kontributin e dhënë në zhvillimin e artit dramatik në Kosovë, si aktor, profesor, dramaturg e regjisor.

Gjatë ceremonisë së mbajtur në Ministrinë e Kulturës, Petrovci ka kujtuar një prej shpërblimeve më të veçanta gjatë karrierës së tij teksa kishte ecur me buqeta lulesh shesheve të Tiranës.

“Kam marrë shumë çmime artistike, por çmimin më të madh të cilin unë e ndiej është kur shkova në pazar në Tiranë dhe një vajzë e re 12-vjeçare luleshitëse më tha: ‘Prindërit e mi të adhurojnë dhe dua të ta fal një buqetë me lule’. Shitësi që ishte afër e dëgjoi dhe ma dha edhe ai një buqetë dhe më tha: ‘Edhe unë po jua dhuroj një, sepse ju adhuroj edhe pse nuk ju njoha. Dhe, hera e dytë është kjo”, ka thënë Petrovci.

Në përshkrimin e jurisë, ai është vlerësuar si “një nga personalitetet më të shquara të teatrit të Kosovës, fama e të cilit ka tejkaluar kufijtë shtetërorë e kombëtarë”. Ai është vlerësuar edhe për kontributin e dhënë në themelimin e institucioneve teatrore në vend.

Petrovci, i lindur më 28 shkurt të vitit 1954 në Prishtinë, rrugës së aktrimit i hyri seriozisht gjatë kohës së studimeve, të cilat për bazë kanë degën e aktrimit në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, e më pastaj studimet për aktor i mbaroi në Fakultetin e Arteve Dramatike në Universitetin e Beogradit. Gjurmët e tij prej aktori i ka vulosur në dërrasat e teatrit, veçmas në teatrin e Beogradit “Atelie 212”. Me rolet e luajtura aty u bë i njohur në mbarë ish-Jugosllavinë, duke u vlerësuar si një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe. Në mesin e shumë shpërblimeve jashtë Kosovës, Petrovci në vitin 2020 u shpërblye në Novi-Sad me çmimin prestigjioz “Zoran Radmiloviq”.

Si regjisor, në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ai erdhi në vitin 2021 me shfaqjen “Kreolët e Ballkanit”, me të cilën eksploron përvojën e fëmijëve që kanë lindur me prejardhje të përzier etnike në Ballkan, një vend ku nacionalizmi, ndarjet etnike dhe urrejtja janë të rrënjosura thellë. “Kreolët e Ballkanit” u vu për herë të parë në skenë në Tiranë në vitin 2018 dhe më pas në Beograd një vit më vonë në festivalin “Mirëdita, Dobar Dan!”, i cili bashkon artistë nga Serbia dhe Kosova si kontribut kulturor në krijimin e paqes dhe normalizimin e marrëdhënieve.

Sa i përket raportit me politikën, sipas Petrovcit, është një lidhje që e shkëput artistin nga të qenit “artist i popullit”. Për Petrovcin është shkruar disa herë për aderime në parti politike. Në prill të vitit 2013 ishte raportuar që Petrovci i është bashkuar Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Në emisionin “Express”, një bashkim me politikën e ka quajtur të papranueshëm për këdo që ushtron profesion pedagogjik. Për shkak të këtij refuzimi për të qenë pjesë e partive politike dhe qëndrimeve të tij, Petrovci ka thënë se gjatë gjithë kohës është “shpërblyer” me nënçmim të vazhdueshëm.

“Unë nuk kam mundur të rri pa folur. Nëse e flas të vërtetën, nuk ma kanë bërë hallall. Më kanë ftuar nëpër parti politike, por i kam refuzuar, nuk ka kuptim që të jesh edhe mësues dhe të jesh pjesë e një partie”, ka thënë Petrovci në “Express” të KTV-së.

Pas mbarimit të luftës në ish-Jugosllavi, pas vitit 1999 vazhdoi me sukses karrierën e tij artistike kryesisht në trojet shqiptare, në Kosovë, Shqipëri, por edhe më gjerë. Ai u vlerësua edhe për interpretimet e tij filmike. Petrovci është njëri nga themeluesit dhe profesorët e parë të Degës së Artit Dramatik pranë Fakultetit të Arteve në Universitetin e Prishtinës. Në vitin 1989 do të kthehej nga Beogradi për të ligjëruar lëndën e aktrimit në Universitetin e Prishtinës, ku edhe formohen kuadro të reja të aktorëve në Kosovë.

“Zgjimi i pranverës”, nën regji të Zana Hoxhës, ka marrë Çmimin për shfaqjen më të mirë. Është vlerësuar për trajtimin e guximshëm të problemeve të të rinjve, asi që kanë ndikim të madh në ndërtimin e personalitetit të secilit njeri.

“Është një krenari e veçantë që juria e ka vlerësuar një shfaqje për të cilën unë jam shumë krenare. Viteve të fundit, ky çmim për mua e humbi kuptimin, kështu që ju falënderoj që ia keni kthyer integritetin këtij çmimi”, ka thënë Hoxha, pasi që ka pranuar çmimin.

Blerta Nezirajt i është ndarë Çmimi për regjinë më të mirë, për shfaqjen “Kthimi i Karl May”. Shfaqja është vlerësuar për kombinimin e elementëve të ndryshëm shprehës medialë, duke kaluar nga një situatë në tjetrën, e nga një formë në formën tjetër, pahetueshëm dhe duke arritur që të mbajë vëmendjen e audiencës deri në fund të kësaj shfaqjeje multimediale. Çmimi për aktorin më të mirë i është ndarë Armend Smajlit për rolin e Kara Ben Nemsit në po të njëjtën shfaqje. Ai është vlerësuar për pjekurinë aktoreske në interpretimin e një personazhi kompleks, por i cili në skenë vjen me një diksion të mirë, ekspresivitet dinamik dhe bindës. Në fjalën e tij, Smajli ka thënë se ndihet i nderuar që është në mesin e laureatëve të tjerë, ndërsa ka thënë se shpërblimin ua dedikon artistëve që skena teatrore ka humbur viteve të fundit.

“Kemi humbur disa kolegë tanë shumë të rinj dhe unë do të doja që t’i kujtojmë sot dhe këtë çmim më ua dediku profesorit Bekim Lumi, regjisores Arzana Kraja dhe aktorit Luran Ahmeti”, është shprehur Smajli në fjalën e tij.

Çmimin për prezantim të suksesshëm ndërkombëtar e ka marrë Mentor Zymberaj nga shtëpia teatrore “AKT”.

“Është nder kur vlerësohesh nga vendi yt, pasi që në shtatë shtete që s’na kanë njohur e ku ne jemi prezantuar, jemi kthyer me çmime ndërkombëtare”, ka thënë ai.

Ministri i Kulturës, Hajrullah Çeku, ka thënë se çmimet janë më e pakta që mund të bëjnë për komunitetin artistik, ndërsa ka premtuar përkrahje për të gjitha organizimet teatrore që ndodhin në Kosovë.

“Ne, si Qeveri dhe Ministri, po mundohemi ta kryejmë një obligim ndaj komunitetit teatror të Kosovës, i cili për dekada më radhë ka qenë pararojë e shoqërisë sonë, me premisën që teatri është reflektimi më i saktë i pararojave të një shoqërie”, ka thënë ministri Çeku.