Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Emigrimi i shqiptarëve dhe brezi i artistëve për identitet e përkatësi

“Centro di Permanenza Temporanea”, Adrian Paci, 2007

Kohët e fundit në Britani të Madhe ka pasur një masë të madhe ksenofobie drejtuar emigrantëve shqiptarë. Është e lehtë të argumentohet se shqiptarët po bëhen kokë turku për krizën aktuale në sistemin e migracionit të Britanisë. Por paragjykimi që Evropa anembanë e bën ndaj shqiptarëve, s’është diçka e re.

Pas rënies së komunizmit në vitin 1990, varfëria, paqëndrueshmëria financiare dhe papunësia i detyruan shumë shqiptarët të emigrojnë në Greqi dhe në Itali. Në këto dy vende shqiptarët kanë qenë vazhdimisht viktima të diskriminimit, shpesh duke u përballur edhe me dhunë raciste.

Kriza financiare e vitit 2008 goditi Italinë dhe Greqinë më shumë se shumicën e vendeve të tjera. Vitet e fundit shqiptarët kanë emigruar edhe në vendet e Evropës Veriore, përfshirë këtu edhe Britaninë e Madhe. Përsëri, ata kanë vazhduar të përballen me diskriminim të ngjashëm.

Shumë e shohin migrimin shqiptar si rezultat të drejtpërdrejtë të politikave neoliberale pas transicionit të vendit nga diktatura në demokraci. Por pak flitet për përvojën e të qenit emigrant shqiptar.

Artistët, megjithatë, janë përpjekur të tregojnë anën e tyre, duke ekzaminuar kufijtë dhe duke i bërë më të dukshme historitë komplekse të migrimit.

Edhe OpEd Rreth pakënaqësisë të përbashkuar

Largime të detyruara dhe peizazhe kalimtare

Një nga artistët e parë shqiptarë që u mor me temën e migracionit ishte Adrian Paci. Vepra e tij vizuale “Centro di Permanenza Temporanea” (2007) ka marrë titullin e saj nga qendrat e paraburgimit të përkohshëm në Itali. Ajo paraqet një grup emigrantësh hipur mbi një shkallë të cilët presin të hipnin në një avion që nuk ekzistonte. Është një referencë për të gjithë refugjatët, ëndrrat e të cilëve për të filluar një jetë të re në një vend të ri nuk përmbushen kurrë.

Paci iku në Itali në vitin 1997, gjatë trazirave që shpërthyen në Shqipëri pas rënies së firmave piramidale nga të cilat ekonomia shqiptare ishte shumë e varur. Gjatë krizës, Qeveria mbeti pasive, edhe kur trazirat sociale pothuajse u shndërruan në luftë civile. Mijëra njerëz humbën jetën gjatë kaosit.

Image
“Njerëzit e së ardhmes”, Edi Hila, akrilik në pëlhurë, 200 me 170 centimetra, 1997

Në videon, “Intervista” (1998), Anri Sala bashkon pamjet mediatike të ngjarjeve të vitit 1997 me ato të vitit 1977, kur vendi drejtohej ende nga autokrati shumëvjeçar Enver Hoxha dhe kur vendi gjendej ende nën sistemin komunist. Pamjet e vitit 1977 tregojnë nënën e artistit, Valdete Sala, një ish-lidere socialiste, duke marrë pjesë në një kongres të Unionit të Rinisë Punëtore të Shqipërisë. Në këtë pamje, ajo mban shallin e kuq partizan dhe qëndron pranë Hoxhës.

Pamjet e viteve 1977 dhe 1997 shoqërohen me pamje të reja të Salas duke intervistuar nënën e tij për të kaluarën komuniste. Veprat e Salas shfaqin paralelisht anën personale dhe atë politike, si dhe të kaluarën komuniste që mohoi liritë themelore të njeriut dhe realitetin post-socialist që solli kaosin e vitit 1997.

Artistët që mbetën në Shqipëri pas eksodit masiv të viteve 1990 kapën ndryshimet që erdhën me kalimin nga socializmi shtetëror në kapitalizmin neoliberal, përfshirë përshkrimin e qyteteve dhe fshatrave boshe, tipike për Evropën postsocialiste.

Boshllëku i këtyre fshatrave nxjerr në pah dështimet e rendit kapitalist. Mbyllja e fabrikave ku kishin qenë të punësuar një pjesë e madhe e popullsisë dhe privatizimi i gjerë, solli rënien e qyteteve, gjë që i detyroi njerëzit të emigronin jashtë vendit.

Në pikturat e Edi Hilës pas 1990-s është spikatur një ndjenjë bezdisëse e një të shkuare të kaluar prej kohësh dhe e një transicioni që nuk arriti kurrë në një përfundim. Seria e tij “Migrations” (1997), i pikturuar me një ngjyrë gri, gati vajtuese, është një përkujtim i atyre që u mbytën në mars të vitit 1997 teksa kalonin Detin Adriatik, shumica e të cilëve ishin gra dhe fëmijë.

Edhe Shtufi: Mosha e mesme po e pengon edhe gjeneratën e re të integrohet Arbëri Shtufi: Mosha e mesme po e pengon edhe gjeneratën e re të integrohet

Ngjarja tragjike ndodhi kur anija shqiptare “Kateri i Radës” u përmbyt pasi në Ngushticën e Otrantos u përplas me një tjetër mjet lundrues italian. Kjo ishte një nga anijet e shumta që u nisën nga porti shqiptar i Vlorës dhe që transportonin shqiptarë të cilët iknin në përpjekje për t'i shpëtuar kaosit të vitit 1997. Në atë kohë marina italiane u urdhërua të parandalonte me çdo kusht hyrjen e paautorizuar të emigrantëve shqiptarë në Itali.

Seria e fundit e Hilës, “Paradox” (2005) përmban shtesa të ndrojtura të ngjyrave më të ngrohta. Ai paraqet foto të jetës së përditshme në një mjedis më ndryshe: ndërtesa të papërfunduara, njerëz që lahen përpara të njëjtit det ku dikur humbën jetë njerëzit, bunkerë komunistë që mbetën kujtim i së kaluarës traumatike. Jeta vazhdon. Por jeta këtu është e përhumbur nga tragjeditë e atyre që u përpoqën të iknin, pa arritur në brigjet e sigurta.

Duke kërkuar “shtëpi” dhe një dhuratë të pasigurt

Shumë emigrantë shqiptarë që ndërtuan jetë të reja jashtë vendit vazhdojnë të kërkojnë ndjenjën e përkatësisë. Në performancën e tyre, “Voyage Transparent” (2004), artistët “The Two Gullivers” (Flutura Preka dhe Besnik Haxhillari) me bazë në Kanada, tërheqin zvarrë një valixhe transparente, një metaforë për “bagazhin” e padukshëm (si kujtimet dhe emocionet) që emigrantët mbajnë me vete. Artistët e morën këtë valixhe në kryeqytetin shqiptar, Tiranë, në vitin 1994 dhe që atëherë ata performuan këtë akt në të gjithë botën. Në çdo shfaqje, mbetet e paqartë nëse valixhja arrin në destinacionin e saj.

Për fotografin Enri Canaj, i rritur në Greqi, kërkimi për të kuptuar “shtëpinë” e kthen në Shqipëri. “Në Shqipëri – Një kthim në shtëpi” (2011–2015) ai përdor fotografinë për të kapur momentet e përditshme në Shqipëri: gra që vajtojnë në një funeral, fëmijë që luajnë, njerëz që shkojnë në punë. Është një përpjekje për të njohur vendin që prindërit e tij lanë pas.

Në shumë raste, kur mbërrinin në vendin e ri emigrantët shqiptarë duhej të fshihnin kombësinë e tyre. Për shembull, në Greqi shumë prej tyre morën emra të rinj grekë – një strategji mbijetese, sepse të qenit “i padukshëm” nënkuptonte më pak shanse për të qenë objektiv i racizmit.

Megjithëse ekonomia e Shqipërisë është rimëkëmbur ngadalë, vendi mbetet një nga më të varfrit në Evropë. Kriza ekonomike e vitit 2008 dhe pandemia e fundit sollën më shumë papunësi dhe pasiguri. Korrupsioni ka luajtur gjithashtu rolin e tij në përjetësimin e pabarazive sociale.

“200 milionë euro” (2020) e Pleurad Xhafës, që u ekspozua përkohësisht në Teatrin Kombëtar në Tiranë, është një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj realitetit të normalizuar të korrupsionit në Shqipëri. Instalacioni përbëhet nga 500 euro brenda një kubi xhami. Ajo u krijua për të protestuar kundër mungesës së rishpërndarjes transparente të pasurisë dhe privatizimeve të paligjshme – për ironi edhe atë që çoi në shembjen e vetë Teatrit Kombëtar.

Edhe Burrat refugjatë stigmatizohen në të gjithë Evropën: Kjo na dhemb Botë Burrat refugjatë stigmatizohen në të gjithë Evropën: Kjo na dhemb

Historia e emigracionit po përsëritet pasi njerëzit vazhdojnë të kërkojnë azil në mbarë botën, duke përfshirë edhe në Mbretërinë e Bashkuar. Ky art vazhdon të jetë kaq parashikues, sepse cikli nuk mbaroi kurrë për shqiptarët dhe kështu ne mund të vazhdojmë të kuptojmë përvojën e tyre përmes këtyre veprave të fuqishme të shpërnguljes.

Marrë nga “The Conversation”. Përktheu: Mirjetë Sadiku