Mbajtja e tetë lopëve të ngujuara në Galerinë e Arteve për dy javë rresht, si pjesë e ekspozitës së artistit Sislej Xhafa, i ka irrituar organizatat për mbrojtjen e kafshëve.
Me parulla të ndryshme, ata kanë protestuar para Galerisë. Driton Gusia, nga organizata "Të bashkuar për kafshët", tha se vuajtja e kafshëve po konsiderohet art. Por, drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës ka thënë se për realizimin e kësaj vepre janë konsultuar edhe me ekspertë të veterinarisë dhe ka thënë se lopët po mbahen në kushte të mira, sipas rekomandimit të Ministrisë së Bujqësisë.
Arben Avdiu, që galeria e ka prezantuar si pronar të lopëve, ka treguar se këto janë lopë ferme dhe, sipas tij, nuk ka problem pse qëndrojnë të mbyllura.
Gjatë konferencës, artisti Sislej Xhafa ka dërguar një mesazh, të cilin e kumtoi drejtoresha Arta Agani. “Unë jam vegjetarian. Ju dua pa e ditur”, thuhet në mesazhin e Xhafës.