Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Ekspozita me fotografitë e historisë 31-vjeçare ku protagonist ishte populli i Kosovës

Fotografi që kanë fiksuar vlugun e organizimeve paralele në vitet ’90, takime të përzemërta si dhe episode të tjera historike janë bërë pjesë e ekspozitës “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999”.

Duke përkuar me 31-vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ekspozita e hapur të mërkurën në mjediset e muzeut “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” ka përshkuar rrugëtimin e shtetësisë së Kosovës nga fillimvitet ’90 deri në njohjen ndërkombëtare nga shtetet perëndimore.

Në hapje të ekspozitës ka marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti si dhe ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi bashkë me zyrtarë të tjerë të qeverisë në ikje.

Në një prononcim për mediat, Hoti e ka cilësuar 23-dhjetorin si datë të rëndësishme për pluralizmin dhe zhvillimin politik në Kosovë.

“Është një përmbledhje e gjithë historisë 31-vjeçare duke filluar nga themelimi i LDK-së, Deklarata e Kushtetutës, organizimi paralel, vuajtjet e qytetarëve, vrasjet, eksodi, lufta çlirimtarë dhe përpjekjet me partnerët tanë”, ka thënë Hoti.

Edhe “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999” për kthesën historike Kulturë “Rezistenca paqësore dhe shtetndërtimi 1989-1999” për kthesën historike

Ndërsa ka falënderuar organizatorët, ai ka shtuar se kjo ekspozitë “mundëson që për dhjetë minuta të kesh para syve krejt historinë e popullit të Kosovës”.

Ministrja në detyrë e Kulturës, Vlora Dumoshi ka thënë se detyra e institucioneve është që të ruajnë kujtesën kolektive.

“Është e rëndësishme që qytetarët të vijnë ta shohin punën e tyre sepse në këtë histori kanë qenë pjesëmarrës të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka thënë Dumoshi.

E kuratori i ekspozitës, Shkumbin Brestovci ka treguar se ekspozita është fryt i librave të shumtë që janë shkruar për këtë periudhë historike. Sipas tij, vitet ’90 bashkë me kohën e Skënderbeut janë dy momentet më interesante të historisë shqiptare.

Edhe “Liria” në Washington si kronikë rezistence, lufte e shtetndërtimi Kulturë “Liria” në Washington si kronikë rezistence, lufte e shtetndërtimi

“Këto dy periudha nuk kanë nevojë aspak të zbukurohen për shkak se vetë faktet e tyre janë të bukura”, ka thënë Brestovci teksa ka falënderuar fotografët Enver dhe Ilaz Bylykbashi që kishin dhuruar fondin e tyre të fotografive.

Ndryshe, shtëpia njëkatëshe që ndodhet në rrugën “Enver Zymberi”, ku dikur kishte qenë selia e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës e më vonë edhe e Qendrës për Informim të Kosovës (QIK), sipas nenit 21 të Statutit të Muzeut Kombëtar të Kosovës, konsiderohet si pjesë e Ministrisë së Kulturës.