Kulturë

“Ekologjitë e së ardhmes...” si ikje nga planeti i hirtë

“Pishat e Deçanit” e vitit 1977, diptiku që është pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Kosovës e fut publikun në një botë të gjelbër. Janë vepra të artit të Nimon Lokajt, të cilat janë pjesë e “anës tjetër” të ekspozitës “Ekologjitë e së ardhmes /Smogu i madh i vitit 2021”.

Afër tyre boçat e misrit të renditura sikurse në një lojë të vjetër fermerësh të këtyre anëve paraqesin një tjetër botë në veprën e Blerta Hashanit. Krejt afër saj, vepra e radhës ofron perspektivën e saj në raport me zhvillimet ekologjike.

Ekspozita e hapur të hënën mbrëma në Galerinë Kombëtare të Kosovës e kuruar nga Engjëll Berisha godet ndryshimet klimatike. Përderisa në një anë paraqitet natyra e pastër, në tjetrën veprat e artistëve britanikë Ben Rivers, Charlotte Prodger, Louis Henderson e Uriel Orlow nëpërmjet videove “shëtitin” vizitorët nëpër tmerrin ekologjik që është duke shkaktuar ngrohja globale. Duket se tatëpjeta që ka marrë ndotja e ambientit nuk ka të ndalur. Këtë e ka konfirmuar edhe politika. Në fillim të këtij muaji takimi i udhëheqësve të 20 vendeve që i prijnë ekonomisë botërore prodhoi tituj të llojit “G20 nuk i përmbush pritjet për mbrojtjen e klimës”. Samiti në Romë nuk nxori ndonjë zotim të fortë për mbrojtjen e klimës dhe përcaktimin e një date të qartë për heqjen dorë nga prodhimi i energjisë me qymyr a për ndërprerjen e emetimeve të dyoksidit të karbonit. Janë pikërisht shtetet që e ndotin më së shumti ambientin, ato që vazhdimisht flasin për një të ardhme të pasigurt. Por kur vjen puna për veprime konkrete që të ndalet ky trend, gatishmëria është tejet e zbehtë.

Image

Videot e artistëve britanikë që shfaqen në katin e sipërm të institucionit më të lartë të artit pamor në Kosovë ofrojnë të dhëna statistikore sa i përket ndotjes. Paraqesin pamje të shkrirjes së akullnajave e deri te ndotja e ajrit. Duken si dokumentar të angazhuar për një qëllim.

Kuratori Engjëll Berisha, i cili është vetë piktor e njëkohësisht edhe punonjës i GKK-së, ka thënë se ekspozita eksploron mundësinë e një të ardhmeje ku ndryshimet klimatike për shkak të mosveprimit të shoqërisë sot e kanë shndërruar botën në një planet të hirtë. Ka thënë se dikur bota ishte e gjelbër.

“Për të kuptuar të kaluarën brenda këtij realiteti dispopian, peizazhet janë të rëndësishme. Një botë e panjohur nga mënyra se çfarë ndjenjash kishim dikur ndaj natyrës”, ka thënë ai, duke e përsëritur tekstin kuratorial. Nëpërmjet ekspozitës së hapur në bashkëpunim me Këshillin Britanik në Kosovë, GKK-ja shtron pyetjen se a mund të pranohen gabimet e së kaluarës dhe bota të përballet me to. Tjetër pyetje është eksplorimi për mundësi të veprimit.

“Fillimi i dimrit të ftohtë sjell me vete erën e tymrave të qymyrit, të cilët janë fajtorët e këtij problemi”, ka shkruar Berisha në tekstin kuratorial. Sipas tij, smogu i këtij viti është jashtë çdo shtëpie, banese e edhe jashtë ekspozitës që ka kuruar.

“Windows seat” me dy vepra të Alban Mujës paraqet një pamje të përzier nga dritarja. Është vepër e vitit 2008, ku artisti ka paraqitur një sekuencë të një prej fluturimeve të tij drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Përshtypja ime e parë për SHBA-në dhe Evropën e bërë nga 10 mijë metra më lart dhe teksa i afrohesha kontinentit ishte se unë jam duke parë një vepër artistike”, është përshkrimi që ia bën Muja veprës. I ulur pranë dritares, Muja po shikonte peizazhin nga një karrige afër dritares duke i bërë përshtypje kryqëzimi i çuditshëm i vijave të drejta, herë të thyera, ndonëse, sipas tij, si të pikturuara nga dora e një fëmije.

“Mendova se ky peizazh mbi re mund të jetë i vetmi që nuk është i mbipërdorur”, ka thënë ai, duke ngacmuar se peizazhet në tokë janë përdorur shumë e edhe dëmtuar. Përtej “smogut” që ofrojnë veprat brenda Galerisë, jashtë saj Prishtina vazhdon të përballet me ajrin e ndotur. Bile, jo rrallë gjatë dimrit niveli i ndotjes është aq i lartë sa zor se mund ta përshkruante edhe ndonjë alamet artisti.