Të gjithë të pranishmit kanë qëndruar në këmbë gjatë gjithë kohës së interpretimit të “Odës së gëzimit” të Bethoveenit, që është edhe himni zyrtar i Evropës. Presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se Kosovës i duhet edhe integrimi politik në Evropë, pasi që sipas tij me kulturë ky integrim ka ekzistuar qëmoti
Albulena Sylaj
Prishtinë, 17 shkurt 2008 - Kryetari i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kryeministri Hashim Thaçi dhe kryeperlamentari Jakup Krasniqi, të shoqëruar nga deputetë, shefa të zyrave diplomatike, politikanë të tjerë dhe njerëz të kulturës, kanë qëndruar në këmbë gjatë gjithë kohës sa Filarmonia dhe Opera e Kosovës kanë interpretuar “Odën e gëzimit” të Ludvig van Beethovenit, të dielën mbrëma katër orë pasi që Kosova u bë shtet. Shteti më i ri në planet, është përcaktuar kështu për të ardhmen evropiane, duke kremtuar shpalljen e republikës me himnin e Evropës. Përveç himnit, Filarmonia e Kosovës, me dirigjent Baki Jasharin, ka interpretuar premierë veprën që konsiderohej e humbur, “Simfonia numër 1”, e kompozitorit kosovar Rexho Mulliqi, veprën e Fahri Beqirit, “Poema dramatike Skënderbeu”, si dhe pjesë nga opera “Nabuka”, të titulluara “Kori i hebrenjve” të Giuseppe Verdit. Duke folur si president i Republikës së Kosovës, dhe para instrumentistëve e korit të Filarmonisë së Kosovës, Fatmir Sejdiu ka thënë se Kosova me kulturën e saj është moti pjesë e Evropës.
“Republika e Kosovës do të kërkojë kulm të ri në Unionin Evropian dhe në NATO. Integrimi ynë do të shkojë natyrshëm, sepse me vlerat e veta, Kosova kulturalisht bën pjesë në këtë familje qëmoti, tash na duhet edhe integrimi politik”, ka thënë ai. Sejdiu nuk ka lëshuar as këtë rast për të kujtuar brezat e heronjve, të cilët me veprën e tyre, sipas tij, e kanë krijuar pavarësinë e Kosovës.
“Për t’u bërë shtet në vete, Kosova ka kaluar nëpër histori përpjekjesh dhe vuajtjesh gjatë ekzistencës së vet, shpeshherë në luftë për identitet politik, kulturor dhe historik si entitet në vete”, ka thënë Sejdiu. Tashmë për Sejdiun, Kosova është pjesë e kombeve të lira të botës.
“Në këtë fillim të shekullit të ri, të mileniumit të tretë, po hyjmë në familjen e madhe, në gjirin e kombeve të lira të botës, me pavarësi si të barabartë”, ka thënë ai.
Festimi me dinjitet, për kryeministrin Hashim Thaçi, ka dëshmuar se tashmë Kosova është pjesë e familjes evropiane.
“Sot ka qenë një ditë e madhe për Kosovën. Qytetarët tanë festuan me dinjitet dhe i dëshmuam edhe një herë botës që jemi një popull i qytetëruar, që jemi pjesë e familjes evropiane”, ka thënë ai.
Programi i koncertit të Filarmonisë i ka dhënë kryeministrit një mundësi të shohë imazhet e së kaluarës dhe vizionin për të ardhmen.
“Derisa po shihja programin e Filarmonisë së Kosovës më dolën përpara imazhet e së kaluarës dhe vizioni ynë për të ardhmen. Më doli përpara dhe mu rikujtua përpjekja dhe sakrifica e gjithë atyre luftëtarëve të lirisë, dëshmorëve të lirisë, sakrifica e dy milionë qytetarëve të Kosovës. Më doli përpara dhe mu rikujtua fuqishëm si çdo qytetari të Kosovës përpjekja, sakrifica, lufta e komandantit legjendar, Adem Jashari, të njeriut themelues dhe babait të Pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Kryeparlamentari Jakup Krasniqi ka pohuar se që nga 17 shkurti, Filarmonia do të quhet Filarmonia e Republikës së Kosovës.
“Më lejoni që një përshëndetje të veçantë ta jap për Filarmoninë e Kosovës, e cila prej sot do të quhet Filarmonia e Republikës së Kosovës, të shtetit të pavarur dhe sovran”, ka thënë ai. Koncerti i Filarmonisë i mbajtur në sallën “1 Tetori” është vetëm njëri nga organizimet e mbajtura të dielën, për të kremtuar lindjen e shtetit të ri të Kosovës.