Kreativiteti i Luan Çukanit në poçari ka kohë që ka marrë vëmendje. Zanatliu nga Gjakova i zhvendosur me qarkun në Muzeun Kombëtar të Kosovës ishte atraktiv edhe për nxënësit e shkollave fillore e atyre të mesme. Argjila, kovat e tij me ujë, mjeti që e quan qark e krejt procesi i punës, e bëjnë atë një poçar të kompletuar. Nuk është prej atyre që porosit argjilë industriale, por atë e përpunon vetë, shkruan sot Koha Ditore.
Me ndihmën e Çukanit, disa nxënës ia kanë dalë të formojnë enë të ndryshme, të premten, në aktivitetin që i ka paraprirë Ditës Ndërkombëtare të Muzeut, që shënohet sot, më 18 maj. “Muzetë si qendra kulturore: E ardhmja e traditës”, është tema e këtij viti.
Çukani që e ka trashëguar këtë zanat nga familjarët e tij mendon se shpejt kjo zeje do të përfundojë në muze. Mendim të njëjtë kanë edhe disa kolegë të tij sa u përket artizanateve. Por pavarësisht mendimit që ka, Çukani ka thënë se të premten në Muze është ndier pak më ndryshe.
(shkrimin e plotë e gjeni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)