Dikur ilirët e fisit amant e kishin ndërtuar qytetin emërmadh që sheh gjithandej luginës së lumit të Vlorës. I identifikuar nga arkeologët me fshatin Ploç, në rrethin e Vlorës, Amantia është prova e jetës urbane që veshi peizazhet pranë malit të Kudhësit.
Në tarracat e këtij fshati, ku ndodhen rrënojat e qytetit me nam, arkeologët së fundmi i kanë rënë fije dy varreve të moçme.
Sipas njoftimit nga mediat në Tiranë, gjatë gërmimeve për shpëtimin e një varri monumental, i cili ndodhet brenda hapësirës së Parkut, ka dalë në dritë një varr me muraturë tulle që i përket shekujve 3 dhe 2 para erës sonë.
Kreu i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore, Orges Feimi, i ka quajtur këto zbulime si tejet të rëndësishme.
“Brenda këtij varri janë gjetur edhe objekte të ndryshme si enë qeramike”, ka thënë Feimi teksa ka bërë me dije se këto gjetje konfirmojnë datimin preliminar të varrit me muraturë tulle.
Por gërmimet kanë nxjerrë në dritë edhe një varr tjetër pranë portës me hark në Amanti. Por, për arkeologët, ky varr, në bazë të gjetjeve, duhet të jetë shumë më i vonshëm.
“Nga vlerësimet tona paraprake mendojmë se ky varr i përket periudhës osmane pasi përveç enëve qeramike, janë gjetur edhe disa monedha”, ka thënë Feimi.
Ndërsa janë paralajmëruar gërmime edhe në pika të tjera brenda hapësirës së Parkut, kreu i Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore ka thënë se objektet e gjetura do të ruhen e do të studiohen me qëllim që të ekspozohen para publikut.
“Këto varre janë të rëndësishme në karakterin historik, por edhe për infrastrukturën e parkut arkeologjik pasi janë vlerë e shtuar për monumentet që mund të vizitohen në këtë qendër”, ka vlerësuar Feimi.
Amantia, që qëndron në një sukë të fortifikuar kodrinore, në një distancë prej 34 kilometrash nga qyteti tjetër i lashtë Aulona – zenitin e zhvillimit e arriti në shekullin e tretë para erës sonë, aq sa në vitin 268 preu monedhat e tij.
Është përmendur për herë të parë në shekullin e katërt para erës sonë nga Pseudo-Skylaksi në një përshkrim për gjeografinë e Mesdheut të vjetër.
Emri Amantia (në burimet e vjetra Ἀμάντια) është lidhur edhe me fjalën shqipe “amë”, që shënon shtratin e lumit.
Qysh në lashtësi, qyteti kishte ngacmuar interesimin e shkrimtarëve të vjetër për historinë e tij: kështu sipas Pauzanit, qyteti qe themeluar prej lokërve nga abantët që vinin prej Eubesë, kurse një tjetër më i vonë përmendte shprehimisht faktin se Amanta u ngrit në “tokë ilire” prej abantëve “që ktheheshin prej luftës së Trojës”.
Ndonëse ndërtuesit e tij ishin ilirë, siç dëshmohet nga muret, Amantia me kalimin e kohës do të përfitonte modele të urbanizimit helenistik siç vihet re nga fortifikimet, mënyra e ndërtimit dhe arkitektura.
Në kohën e pushtimit romak, Amantia gëzonte njëfarë autonomie të brendshme, pozitë që shpjegohet se ajo, njësoj si Bylisi e Apolonia, mbajti anën e Romës gjatë luftërave kundër shtetit ilir dhe atij maqedonas.
Brenda perimetrit të hapësirës urbane të Amantias, siç dëshmojnë gjetjet arkeologjike, në shekullin e dytë para erës sonë ishte ndërtuar stadiumi me 300 vende, ndërkohë që në anën jugore jashtë mureve është zbuluar edhe themeli i një tempulli antik.
Në vitin 2003, Qeveria shqiptare e ka shpallur Amantinë si Park Arkeologjik.