Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Dy anët e kundërta të “Nobelit” për letërsi

Në vitin 1980 është laureuar me çmimin “Nobel” për letërsi, Czeslaw Milosz, polaku virtuoz, që shkroi letërsi të madhe dhe humane. Ai vlerësohet si njëra nga figurat më të mëdha të letërsisë evropiane dhe njëri nga më të respektuarit e shekullit XX. Ai u lind në Lituani, ku prindërit e tij emigruan për shkak të zhvillimeve politike dramatike. Pastaj, si i rritur, për t’i ikur shtypjes komuniste, iku në botën e lirë, në Amerikë, dhe atje jetoi nga viti 1960 deri në vdekje, më 2004.

“Ç’është poezia që nuk mund të shpëtojë kombe ose njerëz?”

Në Poloni, poezitë e tij ishin të ndaluara, derisa ai fitoi çmimin “Nobel” për letërsi. Kjo e dhënë tregon se ç’frikë dhe ç’mani të çuditshme kanë pushtetet despotike nga arti dhe fuqia e fjalës artistike, para së gjithash, nga e vërteta që përçon arti dhe forca e tij për të goditur të ligën njerëzore. E Miloszi, si shkrimtar i mirë e afirmoi me këmbëngulësi një lloj të tillë të letërsisë. Si shkrimtar i dalë nga koha e tronditjeve dhe përmbytjeve të mëdha ideologjike dhe politike, ai duket një Odise i kohëve bashkëkohore, që ka treguar në poezitë e tij vlerat fondamentale të artit, atë humusin transcendental të fjalës artistike, që aspiron të ruajë dhe të shpëtojë njeriun dhe lirinë e tij nga tiranitë e ndryshme ideologjike apo nga çdo formë tjetër e shtypjes njerëzore.

Ai ka shkruar një sërë poezish fantastike, por mua më ka bërë përshtypje të madhe poezia “Dedikim” e botuar në Warsaw, në vitin 1945. Vetë viti i botimit tregon nga ç’klithma, dhimbje, shkatërrime dhe lot ka dalë kjo poezi, në të cilën, përmes një ligjërim të thjeshtë dhe krejt të çiltër, poeti shtron përpara ndërgjegjes njerëzore dhe botës së artit një pyetje ekzistenciale: “Ç’ është poezia që nuk mund të shpëtojë kombe ose njerëz?”

E këtë pyetja ia shtrova edhe unë vetvetes sapo dëgjova kumtin e Akademisë suedeze për t’i dhënë çmimin “Nobel” për letërsi, austriakut Peter Handke, të cilësuar si mostër ideologjike. (Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)