Kulturë

Duartrokitje për “Pa Vend” në Cannes, në pritje të “Palmës së Artë”

Pasuria e vetme e klubit të pingpongut “Lidhja e Prizrenit, ca tavolina të vogla, nuk i dekurajuan sportdashësit prizrenas që të ndiqnin pasionin e tyre. As mbështetja minimale nga shteti dhe komunat nuk e frenuan vullnetin e kreativitetit të regjisorit 44-vjeçar nga Prizreni, Samir Karahoda, që një histori të vërtetë ta artisticizonte në një film të metrazhit të shkurtër. Paraditen e së premtes, “Pa Vend” markoi histori duke u bërë filmi i parë nga Kosova që u premierua në garë zyrtare të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Cannes

Me duartrokitje të gjata e vlerësime në superlativ në sallën zëmadhe të Théâtre Claude Debussy, filmi me një copëz historie nga Prizreni e ka kaluar “pagëzimin në zjarr” në Cannes. Si një nga dhjetë filmat e metrazhit të shkurtër që gjakojnë për “Palme d'Or”, me premierën e dhënë të premten paradite, “Pa Vend” ka bërë histori duke u bërë i pari film nga Kosova që ia bën sefte në garën e Festivalit të njohur Ndërkombëtar të Filmit.

Me vlerësimet preliminare kryesisht pozitive, filmi në kohëzgjatje prej 15 minutash është në pritje të vendimit të jurisë gjashtë-anëtarëshe të përbërë nga Kaouther Ben Hania, regjisore dhe shkrimtare (Tunizi); Tuva Novotny, regjisore, shkrimtare dhe aktore (Suedi); Alice Winocour, regjisore e shkrimtare (Francë); Sameh Alaa, regjisor, producent e shkrimtar (Egjipt); Carlos Muguiro, regjisor (Spanjë) si dhe Nicolas Pariser, regjisor e skenarist (Francë).

Duke ndjekur zemrën

Në edicionin e 74-t të Festivalit, të përshkuar nga ndjesia e ribashkimit dhe kauza për mbrojtjen e mjedisit, interesimi i publikut për të ndjekur dhjetë konkurrentët e kategorisë së filmave të shkurtër nuk ka munguar.

Emocionet e paharrueshme në sallën e mbushur i ka përjetuar edhe ekipi i filmit – regjisori Sami Karahoda, producenti Eroll Bilibani, dy personazhet kryesore Ermegen Kazazi dhe Jeton Mazreku si dhe montazheri Enis Saraçi – i cili ka qenë i pranishëm me rastin e premierës.

I titulluar “Déplacé” në gjuhën e vendit nikoqir dhe “Displaced” në anglisht, filmi që ia kishte dalë të përzgjidhej në mesin e 3500 aplikimeve nga mbarë bota, sipas sinopsisit të afishuar në faqen e festivalit prestigjioz paraqet dramën që zë vend në Kosovën e pasluftës, “ku të shtyrë nga ambicia për të mbajtur gjallë sportin e tyre të zemrës, dy lojtarë lokalë enden nga një vend në tjetrin duke mbartur me vete të vetmen pasuri të klubit: tavolinat e tyre”.

Në të vërtetë, filmi “docu-fiction” ndërtohet mbi suksesin e klubit prizrenas të pinpongut “Lidhja e Prizrenit”, duke përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit, të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifat Rifati, që të mbajnë sportin e pingpongut gjallë duke zhvilluar breza të rinj pingpongistësh.

Karahoda: “Një ndjesi ëndrre”

Si ndjesi ëndrre është përshkruar në mënyrë lakonike nga regjisori, Samir Karahoda, paraqitja para një publiku në sallën e njohur të “Claude Debussy”.

Në një prononcim për KOHËN, pak pasi kishte përfunduar premiera dhe diskutimi që kishte shoqëruar atë, ai ka thënë se filmi ka përftuar reagime e komplimente të shumta.

“Ishte një ndjenjë e papërshkrueshme krenarie, sidomos për vendin tonë që për herë të parë u prezantuam në një festival siç është ky i Cannes”, ka thënë Karahoda.

Regjisori 44-vjeçar nga Prizreni – të cilit vitin e kaluar iu akordua Çmimi Vjetor për Kinematografi – ka theksuar se te gjithë filmat në konkurrencë zyrtare kanë qenë të cilësisë së lartë me tema të rëndësishme nga jeta sociale nëpër vende të ndryshme të botës.

“Ata në të njëjtën kohë ishin edhe filma me vlera të larta artistike”, ka thënë Karahoda.

Një ëndërr për shumicën e kineastëve – debutimi me premierë në Cannes – filmit nuk i kanë munguar sihariqet e para gjatë ditës. Sipas Karahodës, “Pa Vend” tashmë ka marrë ftesa për të qenë pjesë e katër festivaleve të ndryshme.

“Dy prej tyre janë festivale të kategorisë A, por lajmet do t’i publikojmë gjatë ditëve në vijim”, ka shtuar ai.

Produksion i shtëpisë filmike “SK Pictures”, filmi “Pa Vend”, që kishte si titull pune “Table Stories”, është përkrahur me 15 mijë euro nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe ajo e Prizrenit, Dokufest si dhe disa kompani të tjera vendore.

Bilibani: Një sukses i jashtëzakonshëm i kinematografisë sonë

E ekipi i “Pa Vend” nuk kanë qenë të vetmit në sallë për të përjetuar emocionet e premierës. Në “Claude Debussy” ka qenë i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ambasadori në Paris, Qëndrim Gashi dhe drejtori i Qendrës KInematografike të Kosovës, Arben Zharku.

Për producentin, Eroll Bilibani, prania e tyre ishte një ndjenjë e mirë për të ndarë bashkërisht një përvojë të veçantë. Në një bisedë për KOHËN, ai ka vlerësuar se ky është një rast i mirë për të vlerësuar kinematografinë vendore e për të krijuar mekanizma për ta mbështetur atë.

“Në veçanti kjo mbështetje do të duhej të shkonte për regjisorët e rinj, për të cilët jam i bindur se do të na bëjnë krenarë dhe do ta përfaqësojnë me dinjitet vendin në arenën ndërkombëtare”, ka thënë Bilibani.

Producenti i filmit ka thënë se reagimi pozitiv nga ana e publikut i ka bërë të kuptojnë se u ka pëlqyer filmi, ashtu sikurse që edhe plot regjisorë të huaj e kishin uruar ekipin për filmin si një “masterpiece kinematografike”.

“Me shanse që janë 1/10, ne po shpresojmë që të kthehemi në Kosovë me lajme të mira”, ka thënë Bilibani teksa ka shtuar që prapëseprapë ky mbetet një sukses i kinematografisë vendore që po vlerësohet prej të gjithëve.

Image
Nëse “Pa Vend” do ta vulosë suksesin me “Palmë të Artë”, do të kotohet mbrëmjen e së shtunës, kur mbahet ceremonia përmbyllëse e edicionit të 74-t

“Një ndjesi melankolie dhe humor i butë”

Derisa filmi tash pret t’i ketë shfaqjet e tjera, në faqen zyrtare të festivalit janë të afishuara tri video të shkurtra me sekuenca nga filmi në kohëzgjatje prej 15 minutash.

“Bukur Tahibe…Mahide…Shaban”, dëgjohet zëri i trajnerit gjatë një stërvitjeje me pingpongistët e vegjël me zhurmat e këndshme të topit që përplaset në tavolinën e vogël.

Në ngarendjen e dhjetë filmave për “Palmën e Artë” në kategorinë garuese të filmit të shkurtër, filmi ka fituar vlerësime nga observues e kritikë të ndryshëm. Të mërkurën, edhe Federata Ndërkombëtare e Pingpongut (ITTF) ka veçuar projektin e Karahodës si zërues të sportit.

“Prania e filmit ‘Pa Vend” në Festivalin e Filmit në Cannes është një moment krenarie për pingpongun në skenën ndërkombëtare dhe federata u uron fat të gjithëve që janë të përfshirë në këtë projekt”, thuhej në një afishim të bërë në faqen zyrtare të institucionit më të lartë ndërkombëtar të këtij sporti.

Filmi nga Kosova ka përftuar vlerësime edhe nga kritiku në portalin evropian të filmit “Cineuropa”, Laurence Boyce. Sipas tij, filmat e përfshirë në garën për “Palme d’Or” paraqesin një bashkë të larmishme e eklektike që kanë të përbashkëta jo pak veçanti. “Shumë prej tyre kanë një nënrrjedhë të surealizmit, duke luajtur me konvencat kinematike. Një numër i mirë i tyre qëmtojnë pafajësinë e të rinjve”, ka shkruar Boyce.

Gjithnjë sipas tij, filmi i Karahodës është një nga më të favorizuarit. Sipas tij, “Pa Vend” është një film që i bën jeh përpjekjes së dy pingpongistëve për të çarë përpara pavarësisht shpërfilljes nga pjesa më e madhe e shoqërisë.

“Është një çështje bukurisht e patheksuar që bën bashkë një ndjesi melankolie me një humor të butë, teksa Karahoda e përdor filmin për të folur për përvojën e emigrimit dhe rikthimit në shtëpi që është sa familjare, po aq edhe e huaj”.

Image
Emocionet e paharrueshme në sallën plot “Claude Debussy” i ka përjetuar edhe ekipi i filmit – regjisori Sami Karahoda, producenti Eroll Bilibani, dy personazhet kryesore Ermegen Kazazi dhe Jeton Mazreku si dhe montazheri Enis Saraçi – i cili ka qenë i pranishëm me rastin e premierës

Një garë e fortë

Histori me pjesëmarrje në Festivalin e Cannes ka bërë edhe Maqedonia e Veriut, madje filmi i saj debutues ia ka bërë sefte në po të njëjtën kategori të filmave të metrazhit të shkurtër. Nën regjinë e Marija Apcevkas, filmi “Severen Pol” (Poli i veriut), si bashkëprodhim maqedono-serb, sjell rrëfimin e Margos, një vajzë 16 vjeçe, që ndihet e përmbushur mes moshatarëve të saj, porse beson që ajo do t’ia dalë më mirë nëse e humbet virgjërinë.

Ndërkohë, tetë filmat e tjerë të përfshirë në garë janë edhe: “Det er i Jorden” nën regjinë e Casper Kjeldsen (Danimarkë), “Orthodontics” nën regjinë e Mohammadreza Mayghani (Iran); “The Right Words” nën regjinë e Adrian Moyse Dullin (Francë); “Noite turva” nën regjinë e Diogo Salgado (Portugali); “Sideral” nën regjinë e Carlos Segundo (Brazil/Francë); “All The Crows in the World” nën regjinë e Tang Yi (Hong Kong); “Céu de Agosto” nën regjinë e Jasmin Tenucci (Brazil/Islandë) dhe “Xue yun” nën regjinë e Wang Lu (Kinë).

Nga shtetet e tjera në Ballkan, filmi rumuno-belg “La Cavil” është përzgjedhur në mesin e 20 filmave të kategorinë "Un Certain Regard". Nën regjinë e Teodora Ana Mihai, filmi përvijon Cielon dhe kërkimin e tij për të bijën që është rrëmbyer prej një karteli kriminal në Meksikë.

Lidhja që filloi më 1954

Si një rikthim i kinemasë është përshkruar edicioni i sivjetmë, i 74-i me radhë, nga presidenti i festivalit, Pierre Lescure.

Për qytetin e bukur në rivierën jugore të Francës, edicioni i 74-t me radhë sjell tepihun e kuq, glamurin, si dhe ambicien kineaste. Në ditën e hapjes më 6 korrik, mbi tapetin e kuq në “Croisette” kanë parakaluar yje nga e gjithë bota si: Carla Bruni, Jodie Foster, Marion Cotillard, Adam Driver, Bella Hadid dhe Helen Mirren.

Ndërkohë, historia e aktorëve dhe regjisorëve shqiptarë në këtë festival të njohur shtrin rrënjët shumë vjet më parë.

Ishte viti 1954 kur filmi shqiptaro-sovjetik “Luftëtari i madh i Shqipërisë Skënderbeu”, nën regjinë e Sergei Yutkeviçit, u përfshi në ngjarjen e madhe të filmit në Cannes. Aty fitoi Çmimin Ndërkombëtar, ashtu sikurse regjisori fitoi edhe “Përmendje të veçantë”.

13 vjet më vonë, më 1967, në këtë festival filmi “Mbledhësi i puplave”, ku interpretoi Bekim Fehmiu, triumfoi duke fituar Çmimin e Madh të Jurisë dhe Çmimin FIPRESCI. Në Cannes ishte aktorja Arta Dobroshi, e cila shkëlqeu me personazhin e Lornës në filmin “Heshtja e Lornës” në vitin 2008, rol për të cilin ishte nominuar në këtë festival. Kësisoj, ajo u bë aktorja e parë nga Kosova që eci nëpër qilimin e kuq të këtij festivali. E në vitin 2019 ishte filmi i shkurtër “The Van” (Furgoni) i regjisorit Erenik Beqiri, me aktorët nga Kosova Arben Bajraktaraj e Afrim Muçaj, i cili u shfaq premierë botërore në edicionin e 72-të të Festivalit të Cannes. Ai shënoi edhe një rekord për kinematografinë shqiptare, pasi u bë filmi i parë shqiptar që konkurroi për çmimin prestigjioz “Palma e Artë”.

Por sivjet nga Kosova në festivalin prestigjioz, vëmendje ka marrë edhe Luana Bajrami me “Luaneshat e kodrës”. 20-vjeçarja është bërë regjisorja më e re që në një hark gjysmëshekullor të historisë së “Director's Fortnight”, organizim paralel brenda Festivalit të Cannes, shfaqi filmin e saj. “Luaneshat...” pati premierën të enjten e javës së kaluar. Tema e filmit ka të bëjë me ëndrrat, rebelimin e ngulmimin në arritje të qëllimit. Mbi të gjitha, me energjinë rinore. Por, paralelisht, ekipi i filmit e dëshmon një gjë të tillë edhe në jetën reale, e këtë energji e ka çuar edhe në ngjarjen e madhe ku pos regjisores të pranishëm ishin edhe aktorët Flaka Latifi, Uratë Shabani, Era Balaj e Andi Bajgora

E nëse “Pa Vend” do ta vulosë suksesin me “Palmë të Artë”, do të kotohet mbrëmjen e së shtunës, kur mbahet ceremonia përmbyllëse e edicionit të 74-t.