Video-instalacione, skulptura, piktura dhe fotografi reflektojnë dridhërimat e botës moderne, duke ofruar një diversitet vizionesh për botën e globalizuar dhe fragjilitetin e shoqërisë. Mes 17 artistëve me nam ndërkombëtarë, Muzeu i Ri Kombëtar i Monakos, sjell edhe veprat e artistit nga Kosova, Petrit Halilaj
Ajo që i bashkon 17 artistë që po i ekspozojnë veprat e tyre në Muzeun e Ri Kombëtar të Monakos (NMNM) është se japin një përgjigje kundrejt definimit të “mendimit drithërues”. Një term që me fjalët e poetit Edouard Glissant, “na bashkon në diversitetin absolut, në një vorbull takimesh”. Ekspozita e re e hapur në “Villa Paloma”, e titulluar “Drithërimat”, bën bashkë vepra të blera nga NMNM-ja nën drejtimin e Marie-Claude Beaud në këtë dekadën e fundit.
Kuruar nga Célia Bernasconi, video-instalacionet, skulpturat, pikturat dhe fotografitë, reflektojnë dridhërimat e botës moderne, duke ofruar një diversitet vizionesh për botën e globalizuar dhe fragjilitetin e shoqërisë. Ekspozita e hapur më 25 nëntor të këtij viti është e qasshme për vizitorët deri më 15 maj të vitit të ardhshëm.
Në mesin e artistëve me nam ndërkombëtar që ekspozojnë është edhe Petrit Halilaj nga Kosova. Dy vepra të tij plotësojnë imazhin e ekspozitës që bënë bashkë artistin britaniko-nigerian Yinka Shonibare, artisten franceze Sylvie Blocher, video-artistin amerikan Arthur Jafa, australianen Helen Johnson, filmbërësin dhe artistin bashkëkohor Clément Cogitore, artisten nga Afrika Jugore Candice Breitz, artisten vizuele marokene Latifa Echakhch, artistin francez, Brice Dellsperger, artisten zvicerane Pauline Boudry dhe bashkëpunëtoren e saj nga Berlini, artisten Renate Lorenz, fotografen amerikane Nan Goldin, Steve McQueen, artistin nga Selaniku Apostolos Georgiou, artistin vizuel nga Austria Hans Schabus, skulptoren gjermane, Katinka Bock dhe artisten franceze, Laure Prouvost.
Halilaj paraqitet me dy skulptura nga projekti i tij “Abetare” (2017): “Pëllumbi” (Dove) dhe “Syri në vaj” (Eye in tears). Në serinë e skulpturave prej çeliku të titulluar “Abetare”, artisti replikon në madhësi me të mëdha vizatime dhe gdhendje të gjetura në bankat shkollore të shkollës fillore “Shotë Galica” në Runik. Në po këtë shkollë, edhe artisti kishte ndjekur mësimet si fëmijë.
“Emrat e futbollistëve, motivet e zakonshme si lulet, zemrat apo zogjtë ndërthuren me mesazhe më shumë politike, që lidhen me luftën e Kosovës”, ka thënë artisti. Ka theksuar se ia kishte dhënë atëherë emrin “Abetare” bazuar në librin nga i cili mësoi gjuhën shqipe. “Libër që u përcoll brez pas brezi në periudhën e represionit në Kosovë, duke u bërë kështu dëshmitar i identitetit kulturor shqiptar”, ka theksuar ai.
Nga instalacioni “Alien” i artistit Candice Breitz që u bë pjesë e koleksionit të Muzeut në vitin 2010, e deri te filmi “The White Album” nga Arthur Jafa që u ble në vitin 2021, ekspozita bënë bashkë artistë të 12 nacionaliteteve të ndryshme.

Sipas komunikatës për media të Muzeut, sizmografët e botës bashkëkohorë, artistët: Yinka Shonibare CBE (RA), Sylvie Blocher, Arthur Jafa, Helen Johnson dhe Clément Cogitore ftojnë për të decentralizuar shikimet dhe dekolonizuar mendimet. Në anën tjetër, Candice Breitz, Latifa Echakhch dhe Petrit Halilaj vënë në dyshim themelet e bazuara në identitet të kulturave popullore. E traditat trasdisiplinore të Brice Dellsperger, Pauline Boudry, Renate Lorenz dhe Nan Goldin marrin si shkas për veprat e tyre dukshmërinë e kulturës ‘queer’, e për fund, Steve McQueen, Apostolos Georgiou, Hans Schabus, Katinka Bock dhe Laure Prouvost fokusohen në procesin e paraqitjes dhe dematerializimit të trupit.
“Gjatë të ’60, poeti dhe filozofi Edouard Glissant kishte një projekt për një muze në ishullin e tij të lindjes në Martinika. Ky muze nuk u ndërtua, por mbi të u realizuan mjaft ekspozita dhe Hans Ulrich Obrist, që ndante të njëjtin mendim me Glissant, e kishte theksuar këtë projekt përmes intervistave të tij të shumta. Duke sfiduar modelin imperialist, Glissant kishte zhvilluar një projekt eksperimental dhe trasdisiplinor, një muze ‘që hulumton’, e kundërta e një muzeu perëndimor ‘që hulumton”, shkruan në komunikatën për media të Muzeut.
Aty tregohet se shpikësi i konceptit të globalitetit, një formë e shkëmbimit global që ruan diversitetin përmes kreolizimit, e përkufizoi muzeun si një “vend ku vendet e tjera vihen në kontakt me vende të tjera”, duke synuar kështu një diversitet me të madh dhe përfaqësim të zërave të ndryshëm, duke theksuar ndjeshmërinë individuale të artistëve mbi narrativat e përgjithshme.
“Përmes shkrimeve të tij dhe ekspozitave të shumta, Glissant ka ndihmuar në ridefinimin e rolit të muzeut në shekullin XXI. Duke u bazuar në idenë e Glissant, ekspozita ‘Drithërimat’ nga NMNM-ja hedh dritë mbi veprat e blera nën drejtimin e Marie-Claude Beaud mes viti 2009 dhe 2021”, shkruan në njoftimin që tregon se Beaud ka zhvilluar vizionin e saj për Muzeun bashkëkohor në Monako duke u bazuar në poezinë e Glissant dhe konceptin e tij për botën.
“Në këtë mënyrë, koleksioni i NMNM-së është i pasur për nga gjithëpërfshirja dhe është në një dialog të vazhdueshëm me artistët bashkëkohorë. Duke siguruar hulumtimin dhe ruajtjen e veprave të artit që janë të lidhur me të kaluarën dhe periudhën moderne, NMNM është e përkushtuar të zhvillojë një trashëgimi që përfshinë artin më bashkëkohor”, vazhdon tutje shkrimi që tregon se kjo politikë e blerjeve ka bërë të mundur që të mbështetet dhe të përfaqësohet pikëpamje dhe zëra të ndryshëm brenda koleksionit kombëtar.
E këtë imazh që po e synon NMNM-ja e plotësojnë edhe veprat e Halilaj, i lindur në vitin 1986 në Kostërc, veprat e të cilit shënjohen nga tensioni kulturor dhe politik në regjion dhe eksperienca si refugjatë që ai kishte përjetuar në fëmijëri.
Në disa instalacione, ai përdor gurët nga shtëpia e tij e shkatërruar gjatë luftës e kopjet të bizhuterive që nëna e tij fshehu në kopshtin e tyre për t'i ruajtur gjatë luftës. Halilaj po ashtu në vitin 2018 organizoi edhe shfaqjen “Shkrepëtima” në rrënojat e Shtëpisë së Kulturës në Runik, fshat në të cilin ai u rrit. E pati realizuar në bashkëpunim me banorët e zonës.