Kriticizmi i vitit të kaluar duket se është marrë parasysh në nominimet e sivjetme të çmimeve të Akademisë Britanike të Filmit – BAFTA. Pasditen e së martës, eventi i përvitshëm britanik ka bërë të ditur nominimet në gjithsej 23 kategori, ku ka më shumë se asnjëherë më parë nominime nga grupet e pakicave etnike, si dhe femra. Ndërkohë, drama boshnjake “Quo Vadis, Aida?”, nën regjinë e Jasmila Zhbaniqit, është nominuar në kategorinë për regjinë më të mirë, si dhe në atë të filmit në gjuhë joangleze. “Është një infuzion për të gjithë ne”, ka thënë për KOHËN aktori shqiptar Alban Ukaj, që është pjesë e kastit të këtij filmi
Prishtinë, 9 mars – Prestigjiozja britanike BAFTA ka shpalosur një listë fort të larmishme nominimesh, ku më shumë se gjysma nga 24 nominimet e sivjetme vijnë nga grupet e pakicave etnike.
Kështu, “Nomadland” dhe “Rocks” kryesojnë, ku secili ka marrë nga shtatë nominime. Filmi i regjisores kinezo-amerikane Chloé Zhao është nominuar për filmin dhe regjinë më të mirë, ashtu sikundër edhe për skenarin, aktoren më të mirë, kinematografinë, montazhin dhe muzikën. Kurse “Rocks”, nën regjinë e Sarah Gavronit, është kandiduar në kategorinë e filmit të jashtëzakonshëm britanik, për debutimin më të mirë, për regji, skenar, aktoren më të mirë, aktoren mbështesë, si dhe për kast.
Fill pas tyre, me nga gjashtë çmime, pasojnë filmat “The Father”, “Mank”, “Minari” dhe “Promising Young Woman”.
Një listë e larmishme
Nominimet e edicionit të 74-të janë bërë të ditura të martën nga Krishnendu Majumdar, si dhe nga aktoret Aisling Bea dhe Susan Wokoma nëpërmjet një videoje të transmetuar drejtpërdrejt nga Londra. Katër femra janë nominuar në kategorinë për regjinë më të mirë, përfshirë edhe Chloé Zhaon për “Nomadland”. Javën e kaluar ajo fitoi të njëjtin çmim në “Golden Globes”.
Mbi gjysma e nominimeve të sivjetme për çmimet prestigjioze BAFTA vijnë nga grupe të pakicave etnike. I vlerësuar si vit historik nga kritikët, nominimet e sivjetme kanë sjellë më shumë se kurrë diversitet
Por befasia më e madhe ishte ajo në kategorinë për aktrim. Derisa asnjë aktor me ngjyrë nuk ishte nominuar vjet, Akademia britanike ishte ballafaquar me jo pak trysni për t’i diversifikuar të nominuarit e sivjetmë.
Kjo duket të ketë dhënë rezultate me Daniel Kaluuya, Riz Ahmed, Dominique Fishback, Tahar Rahim dhe Bukky Bakray që janë në mesin e të nominuarve në kategoritë për aktrim. Po ashtu, shumë nga ata që pritej të ishin të nominuar kanë munguar, përfshirë Viola Davis, Carey Mulligan, Amanda Seyfried, Sacha Baron Cohen, Olivia Colman, Glenn Close dhe Gary Oldman.
Alban Ukaj: “Besoj shumë në rrugëtimin e mëtutjeshëm”
Një sukses jo të vogël ka shënuar edhe filmi i regjisores boshnjake, Jasmila Zhbaniq, “Quo Vadis, Aida?”, që në kohëzgjatjen e tij prej 1 orë e 41 minutash, sipas një recensioni në “The Guardian”, paraqet “një rindërtim shterues të masakrës së Srebrenicës gjatë luftës në Bosnjë”.
Sipas njoftimit të BAFTA-s, drama boshnjake është nominuar në kategorinë për regjinë më të mirë, si dhe në atë të filmit në një gjuhë tjetër nga anglishtja.
Në “Quo Vadis, Aida?” – që vjen si bashkëprodhim mes 12 kompanive nga Bosnja, Austria, Gjermania, Franca, Holanda, Norvegjia, Polonia, Rumania dhe Turqia – luan edhe aktori shqiptar që jeton në Sarajevë, Alban Ukaj.
Alban Ukaj, nominimin e dyfishtë për BAFTA të filmit “Quo Vadis, Aida?” e ka quajtur si një moment tjetër që sjell krenari e gëzim. Ai ka përkujtuar se thënia që dëgjohet shpesh “sukses i madh për një film të vogël nga një vend i vogël” duhet të thuhet pak më ndryshe
Vetë aktori i njohur, i cili tash e dy dekada jeton dhe vepron në Bosnjë, e ka quajtur nominimin e dyfishtë si një moment tjetër që sjell krenari e gëzim. Ai ka përkujtuar se thënia që dëgjohet shpesh “sukses i madh për një film të vogël nga një vend i vogël” duhet të thuhet pak më ndryshe.
“Unë do të thosha se është sukses i madh për një film të madh, ashtu sikurse ndodhi edhe me filmin ‘Zgjoi’ (të Blerta Bashollit, i cili në shkurt mori tri çmime në ‘Sundance Film Festival’ v.j.)”, ka thënë Ukaj në një prononcim për KOHËN. Në “Quo Vadis, Aida?” – që është në garë edhe për “Oscar” – ai është në rolin e Tarikut. Aida, të cilën e luan aktorja serbe, Jasna Gjuriçiq, është kryepersonazhi i filmit. Punon si përkthyese për Kombet e Bashkuara në kohën kur boshnjakët në Srebrenicë i pret masakra. Në mesin e turmës kërkon edhe familjen e saj. “Tarik, a e ke parë familjen time?”, i drejtohet ajo kolegut të saj.
“Unë do të thosha se është sukses i madh për një film të madh, ashtu sikurse ndodhi edhe me filmin ‘Zgjoi’”, ka thënë aktori Alban Ukaj
Në një kohë kur Bosnja po përjeton ditët më të vështira me pandeminë, sipas aktorit 40-vjeçar, lajmi i nominimit të dyfishtë ishte “një infuzion për të gjithë ne”.
“Besoj shumë në rrugëtimin e mëtutjeshëm të filmit dhe shpresoj që ‘Quo Vadis, Aida?’ do të jetë një thirrje për ndërgjegjen edhe të bashkësisë ndërkombëtare”, ka shtuar Ukaj.
Katër vjet më parë, filmi 20-minutësh i Daniel Mulloyt “Home” kishte fituar çmimin e Akademisë britanike si filmi më i mirë i shkurtër. Ky film, i xhiruar në fshatrat e Janjecës dhe Graçanicës, sjell kronikën e gjendjes së njerëzve që largoheshin nga zona e luftës në kontrastim me gjendjen me refugjatët sot. Ishte realizuar me mbështetjen financiare të ekipit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Open Society Foundation UK dhe USAID-it, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës dhe të Komunës së Prishtinës si bashkëproduksion midis “DokuFestit”, “Somesuch” dhe “Black Sheep Studios”.
Katër vjet më parë, filmi 20-minutësh i Daniel Mulloyt, “Home”, bashkëproduksion midis Britanisë e Kosovës, kishte fituar BAFTA për filmin më të mirë të shkurtër
Kritikët – nota pozitive për përzgjedhjet
Por vetë ceremonia e BAFTA-s për ndarjen e çmimeve do të mbahet virtualisht më 11 prill. Në javën e dytë të prillit do të shfaqen virtualisht dy showe nga “Royal Albert Hall” në Londër.
Edhe kritikët dhe njohësit e traditës së BAFTA-s kanë folur me nota pozitive për të nominuarit e sivjetmë. Kritiku i filmit në “The Guardian”, Peter Bradshaw, ka thënë se përpjekja e Akademisë britanike të filmit për më shumë larushi ia ka dalë mbanë.
“Nominimet e BAFTA-s duket që këtë vit u janë përgjigjur dy kundërshtimeve të kamotshme: që ato nuk janë mjaftueshëm diverse dhe – mbase edhe paradokalisht – jo edhe aq britanike”, ka shkruar Bradshaw në një artikull në mediumin e njohur britanik.
Kritiku tjetër në “The Telegraph”, Robbie Collin, ka thënë se përzgjedhja e sivjetme e të nominuarve për regji është më e pabesueshmja që ka parë. “Kur unë dhe të tjerët po ankoheshim vjet mbi votuesit që pamenduar prireshin drejt zgjedhjeve të qarta, ky në fakt ka qenë skenari alternativ i ëndërruar”.
Kurse në një deklaratë të Frances McDormand, Chloé Zhao dhe ekipit të “Nomadland” është thënë: “Ne jemi të ngazëllyer që ‘Nomadland’ është vlerësuar nga BAFTA dhe anëtarët e saj”.
“Në një vit kur të gjithë ne kemi qenë të ndarë dhe kur filmat ishin disa nga pak gjërat që na përbashkonin, ne jemi krenarë të vlerësohemi për një film mbi qëndrueshmërinë, komunitetin dhe atë çfarë na lidh ne”.
Ndryshime të reja
Duke përjetuar kritika jo të pakta mbi mungesën e diversitetit, BAFTA ka etabluar më shumë se 120 ndryshime sa i përket votimit, anëtarëve dhe proceseve të fushatave. Ato përfshijnë krijimin e një rrethi të ri të votimit, zgjerimin e fushës së filmave të jashtëzakonshëm britanikë në 10 nominime, si dhe shtimin e nominimeve në katër kategoritë për aktrim dhe regji me qëllim të sigurimit të një larushie më të madhe.
Kryesuesi i BAFTA-s, Krishnendu Majumdar, kishte thënë: “Pas nominimeve të vitit të kaluar, ne filluam procesin e rishikimit me qëllim të rrafshimit të fushës së lojës dhe kemi përfshirë një sërë masash që të gjithë filmat në garë të shihen nga anëtarët tanë e të vlerësohen me meritë”.
“Ne shpresojmë që ju mund të shihni që disa nga këto ndryshime janë reflektuar në gjerësi e thellësi të këtyre të nominuarve dhe i urojmë të gjithë ata”.
Ndryshe, lista e nominimeve të sivjetme të BAFTA-s është si vijon: në kategorinë e filmit më të mirë (“The Father”, “The Mauritanian”, “Nomadland”, “Promising Young Woman” dhe “The Trial Of The Chicago 7”); në kategorinë e aktores më të mirë (Bukky Bakray nga “Rocks”, Radha Blank nga “The Forty-Year-Old Version”, Vanessa Kirby nga “Pieces Of A Woman”, Frances McDormand nga “Nomadland”, Wunmi Mosaku nga “His House” dhe Alfre Woodard nga “Clemency”); në kategorinë e aktorit më të mirë (Riz Ahmed në “Sound Of Metal”, Chadwick Boseman në “Ma Rainey’s Black Bottom”, Adarsh Gourav në “The White Tiger”, Anthony Hopkins në “The Father”, Mads Mikkelsen në “Another Round” dhe Tahar Rahim në “The Mauritanian”); në kategorinë e aktores në rol dytësor (Niamh Algar në “Calm With Horses”, Kosar Ali në “Rocks”, Maria Bakalova në “Borat Subsequent Moviefilm”, Dominique Fishback në “Judas And The Black Messiah”, Ashley Madekwe në “County Lines” dhe Yuh-Jung Youn në “Minari”); në kategorinë e aktorit në rol dytësor (Daniel Kaluuya në “Judas And The Black Messiah”, Barry Keoghan në “Calm With Horses”, Alan Kim në “Minari”, Leslie Odom Jr., në “One Night In Miami…”, Clarke Peters në “Da 5 Bloods” dhe Paul Raci në “Sound Of Metal”); në kategorinë e filmave të jashtëzakonshëm britanikë (“Calm With Horses”, “The Dig”, “The Father”, “His House”, “Limbo”, “The Mauritanian”, “Mogul Mowgli”, “Promising Young Woman”, “Rocks” dhe “Saint Maud”); në kategorinë e filmit në gjuhë tjetër nga anglishtja (“Another Round”, “Dear Comrades!”, “Les Misérables”, “Minari” dhe “Quo Vadis, Aida?”); në atë të dokumentarit (“Collective”, “David Attenborough: A Life On Our Planet”, “The Dissident”, “My Octopus Teacher” dhe “The Social Dilemma”); për filma të animuar (“Onward”, “Soul” dhe “Wolfwalkers”), për regji (Thomas Vinterberg për “Another Round”, Shannon Murphy për “Babyteeth”, Lee Isaac Chung për “Minari”, Chloé Zhao për “Nomadland”, Jasmila Zhbaniq për “Quo Vadis, Aida?”, si dhe Sarah Gavron për “Rocks”), etj,.
(“BBV”, “Hollywoodreporter”, “Variety”, “Deadline”, “CNN”, “The Guardian”)