Kulturë

Dokumente arkivore si dëshmi për përpjekjet shekullore të shqiptarëve

Dokumente që pasqyrojnë veprimet e shqiptarëve gjatë shekullit 20 janë prezantuar në ekspozitën “Kosova në Arkivin e Shqipërisë”, e cila u organizua të premten në hyrje të Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Dhjetëra dokumente të këmbyera ndër vite, si përpjekje e figurave të ndryshme intelektuale kosovare për shtetformimin e Kosovës, janë publikuar nga Arkivi i Shtetit Shqiptar.

“Këtu është edhe një dokument ku Komiteti i Kosovës në vitin 1941 ua dërgon një memorandum SHBA-së në lidhje me çështjen shqiptare”, ka shpjeguar me gisht drejt panos, kryeshefi i Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Bedri Zyberaj, teksa ka shtuar se të gjitha materialet e ekspozitës përfshijnë historinë e shqiptarëve në njëqind vjetët e kaluar, shkruan KOHA.

Dokumente ku pasqyrohet bashkëpunimi i Kosovës me Republikën Popullore të Shqipërisë në fushën e kulturës, arsimit, sportit dhe ekonominë gjatë viteve ‘70-‘81, memorandumet ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe atij të Tiranës, si dhe një vendim i Parlamentit të Republikës Popullore të Shqipërisë ku kërkohet që Kosova të bëhet njësi e barabartë në kuadër të federatës së Jugosllavisë, janë stampuar në dymbëdhjetë panot e ekspozitës.

“Këtu kemi përzgjedhur një numër simbolik të dokumenteve që t’i prezantojmë përpara publikut. Në të pasqyrohen shkresa dhe thirrje të kryengritësve nga Kosova e që ruhen në Arkivat e Shtetit Shqiptar. Krejt këto dokumente të prezantuara kanë të bëjnë me historinë e shqiptarëve dhe ngjarjeve historike që janë zhvilluar shekullin e kaluar në Kosovë”, ka thënë Zyberaj.

Ekspozita është mbajtur së bashku me edicionin e parë të Panairit të librit të vjetër, të rrallë dhe të përdorur. E organizuar nga Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave të Shqipërisë dhe Muzeu Kombëtar i Kosovës, kjo ngjarje paraqet edhe dokumentet e tjera me rëndësi, si “Veprimtaria e çetave të Kosovës dërguar Komitetit Kombëtar të Kosovës”, si dhe “Mesazhi i kuvendit popullor të Republikës së Shqipërisë drejtuar Konferencës së Londrës”. Ndër to janë letrat e Hasan Prishtinës, Hoxhë Kadriut, Hysen Currit dhe lëvizjeve të ndryshme patriotike.

“Arkivi i Kosovës me këtë ngjarje tregon që posedon një numër të madh të dokumenteve arkivore. Sidomos të viteve 1950 e tutje, pra të demonstratave dhe procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, që mund të hulumtohen, por që fatkeqësisht nuk janë të digjitalizuar”, ka thënë Memli Krasniqi, shef i Degës së Historisë në Institutin Albanologjik të Prishtinës.

Në kuadër të Panairit të librit të vjetër, të rrallë dhe të përdorur, janë prezantuar 700 tituj të librave nga letërsia shqiptare.